Nga Xheladin Zeneli

Me 4 Prill, 2021 Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash zgjodhi znj. Vjosa Osmani, presidente e vendit në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.

Fillimisht, vlen të theksohet se ata  deputetë të opozitës të cilët në Kuvendin e Kosovës , përmes mosprezencës së tyre apo përmes votave  të tyre të pavlefshëme, u munduan t’a pengonin apo ta sabotonin zgjedhjen e znj. Osmani  si presidente duke e zvarritur e tërhequr  zgjedhjen e saj deri në raundin e tretë të votimit, ishin në mohim të një të vertete të pakontestueshme . Dhe kjo e vërtetë është se znj. Osmani në zgjedhjet e 14 Shkurtit të këtij viti garoi si kandidate  për deputete por  me platformën e kandidatës për presidente të Kosovës dhe fitoi numrin ma të madh të votave në Kosovë.  Pasi që presidenti nuk zgjidhet me votën e drejtëpërdrejtë nga populli, atëherë rrjedhimisht del se ajo ishte e preferuara e popullit të Kosovës pasi që muar mbi 300 mijë vota duke thyer rekordin si kandidatja më e votuar gjatë kohës 13 veçare të Kosovës si shtet i pavarur.Zgjedhjet e 14 Shkurtit ishin një legjimitet indirekt i saj për president.

Pra, na pëlqen apo s’na pëlqen neve, realiteti qendron në ate se Vjosa  paraqet vullnetin e një pjese të madhe  të qyetarëve Kosovës që ajo të jetë presidentja e ardhshme  e Kosovës dhe zgjedhja e saj me 4 Prill 2021 nga ana e 71 deputetëve të Kuvendit ishte shprehje e këtij vullneti.

Gjithashtu, mosvotimi i znj. Osmani nga pjesa më e madhe deputetëve të opozitës nuk ishte veprim nga baza e qendrimeve të tyre të ashtuquajtuara “parimore” , por thjeshtë për shkaqe të inateve dhe huqeve të tyre personale që ata kanë me znj. Osmani, por edhe me kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij ,si përkrahësi kryesor i saj . Njëkohësisht, mosvotimi i tyre ishte njëherit edhe paralajmërim se në legjislacionin e tanishëm parlamentar ,ata do të jenë më shumë  një opozitë obstrukcioniste se sa opozitë konstruktive. Por shpresoj që mos të jetë kështu.

Me zgjedhjen e presidentës së Kosovës, me 4 Prill 2021 u përmbyll formimi i institucioneve të pushtetit të ri  të Kosovës të dalur nga zgjedhjet e 14 Shkurtit si një një hap i duhur dhe i nevojshëm drejt rrugës së një stabilizimi të shumëpritur politik të vendit duke u vendosur tani vëmendja dhe përqendrimi i këtij pushteti në punët dhe angazhimet tepër të mëdha që e presin Kosovën. 

Dhe në fund, si diçka shumë e rëndësishme është se kësaj radhe ndodhi defaktorizimi i listës serbe në Kosovë ,pasi që si qeveria (e cila u është votuar kohë më parë nga Kuvendi), ashtu edhe zgjedhja e presidentës me 4 Prill , u arritën pa votat e kësaj liste, çka sinjalizon dhe mundëson eliminimin e  ndikimit  të Beogradit dhe Vuçiqit në proceset politike në Kosovë.

Derisa i uroj znj. Osmani detyrën e presidentes , njëkohësisht i dëshiroj Kosovës suksese në konsolidimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të institucuoneve të saja shtetërore në shërbim të avancimit të demokracisë në vend, si dhe progresit dhe prosperitetit ekonomik të shoqërisë dhe qyetarëve të saj.

4 Prill 2021

By admini