Republika e Kosovës ka presidentin e gjashtë me radhë që nga paslufta. Ajo është Vjosa Osmani. Në votim kanë marrë pjesë 82 deputetë. Me 71 vota dhe 11 vota të pavlefshme në rundin e tretë të votimit, Osmani mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat pesëvjeçar.

Me këtë rast kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Saubih Mehmeti i ka dërguar një urim presidentes së posazgjedhur të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë urimin.

PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

SHT Znj. Vjosa Osmani Sadriut

                                                                                                Prishtinë

E nderuar Shkëlqesia Juaj, znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

Kosova stabile politikisht e ekonomikisht është një garancë dhe shembull i mirë jo vetëm i Ballkanit por i gjithë Europës. Një stabiliteti të tillë i ka kontribuar posaçërisht procesi zgjedhor shembullor i 14 shkurtit kur alternativa juaj dhe e Kryeministrit Kurti mori mbi 50% të votave dhe ky proces tashmë u përmbyll ditën e djeshme me zgjedhjen e postit më të lartë shtetëror, Presidentes së Shtetit, Komandantes Supreme të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Kosova politikisht stabile është parakusht edhe për një Kosovë ekonomikisht stabile, posaçërisht të detyrueshme në këtë kohë pandemie që ka prekur çdo pore të jetës.

I gëzohemi sikur ju e sa ju shembullit që keni dhënë, andaj në emër të anëtarëve të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi dhe në emrin tim, ju uroj Shkëlqesisë Tuaj postin e Presidentes së Republikës me dëshirën e besimin që do ta mbani me nder dhe që do punoni me përkushtim.

Shqiptarët në përgjithësi e ata të Malit të Zi në veçanti Kosovën e kanë patur strehë e frymëzim. Strehë si në dijenxënie në universitet, ashtu edhe në formim të kuadrove e punësim, e krahas këtyre në të njëjtën kohë si frymëzim në shumë dimenzione.

Në kuadër të relacioneve ndërshtetërore por edhe përtej tyre, mbetemi të përkushtuar dhe shpresojmë në intensifikim të bashkëpunimit institucional mes nesh, shqiptarëve në Mal të Zi dhe pozitës së Presidentes, duke përsëritur tashmë shumë herë porosinë tonë që rruga edhe e një presidenti të Kosovës për Podgoricë duhet të kalojë patjetër nga Ulqini, Tuzi, Plava, Gucia e Rozhaja.

Urime, Ju priftë e mbara e dalshi faqebardhë!

Vëllazërisht,                                                                                                                                                                       Kryetar,

      Saubih Mehmeti

By admini