AppleMark

Nga Dr. Nail  Draga

(Në Prishtinë, më 18 mars 2021, në moshën 86 vjeçare vdiq Fahri Buçinca, veteran i arsimit dhe autor i disa botimeve më vlera shkencore e kulturore. Duke qenë dhëndër i Ulqinit, ka treguar një interesim të veçantë për figurën e Cafo Alibegut, i cili ka qenë personaliteti më i njohur i Ulqinit në shek.XX. Eshtë meritë e tij  dhe bashkëshortës së tij Naxhije Alibegaj, mësuese e nderuar, që për 40 vite kanë mbledhur lëndë me interes për  këtë personalitet emblematik, që u kurorëzua me botimin e librit “Cafo Beg Ulqini-jeta dhe veprimtaria politike”,Art Club, Ulqin, 2009. Ishte ky botimi i parë kushtuar këtij personaliteti të anatemuar nga pushteti monist  i kohës, duke qenë dhuratë për qytetarët e Ulqinit dhe më gjerë, me qasje shumëdimensionale për kohën kur ka jetuar e vepruar Cafo Begu.

Në nderim të autorit. më këtë rast po ribotoj recensionin për këtë libër, me rastin e përurimit të mbajtur në Ulqin, më 5.7.2009).

MONOGRAFI QË I KA MUNGUAR LITERATURËS SHQIPE

Fahri Buçinca, CAFO BEG ULQINI-jeta dhe veprimtaria politike, Botoi: Art Club, Ulqin 2009

Gamës së gjerë të botimeve që trajtojnë tema në lidhje me shqiptarët në Mal të Zi iu shtohet edhe  një botim më vlera të veçanta. Fjala është për monografinë me titull  CAFO BEG ULQINI-jeta dhe veprimtaria politike, të autorit Fahri Buçinca.

Është ky një botim i veçantë i cili i ka munguar literaturës sonë në shqip, sepse personaliteti i Cafo Begut ka qenë i anatemuar nga pushteti i kohës sikurse disa  figura të tjera madhore kombëtare shqiptare.

Nuk ka dilemë së një veprim i tillë nga pushteti komunist bëhëj me qellim, sepse figurat madhore ishin vazhdimisht pengesë për realizimin e planeve të tyre djallëzore. Duke i  sulmuar dhe dhënë epitete të ndryshme negative këtyre figurave tentohej që ata të largoheshin nga kujtesa e popullit. Por edhe pse diçka të tillë perjetoj edhe vet Cafo Begu ai mbeti i pamposhtur sepse   është personaliteti më i madh politik që ka dhënë Ulqini deri më sot.

Në saje të një atmosfere dhe absurditeti të tillë për Cafo Begun ka qenë e ndaluar të flitej sepse pasonin masat ndëshkuese, ndërsa të rinjtë kanë pasur mundësi vetëm të kenë dëgjuar për emrin e tij, e asgjë më shumë. Por,  duhej të ndodhnin ndryshime të mëdha për të pasur mundësi për të folur dhe shkruar për figura të tilla kombëtare siç ishte Cafo Begu.

Dhe pikërisht rënia e Murit të Berlinit në nëntor 1989, ishte fillimi i fundit të sistemit komunist që pësoi disfatë  në vitin 1990, me aplikimin e pluralizmit politik. Pikërisht nga ajo kohë ngjarjet dhe figurat e anatemuara filluan të ringjallën me dimensionin e tyre të vërtetë, e jo ashtu siç na e kishin imponuar pushtetarët dhe kalemxhinjtë e tyre vite më radhë.

Autori në ketë botim na ofron të dhëna me interes për jetën dhe veprimtarinë politike të Cafo Beg Ulqinit, nga rinia e tij e deri në momentin e vdekjes së tij në Shkodër më 24.12.1977 në Shkodër. Të dhënat e prezantuara përfshijnë jo vetëm një regjion të ngushtë siç është Ulqini me rethinën e tij, por pothuaj edhe hapësirën mbarëkombëtare.

Duke e redaktuar ketë libër  kam përjetuar momente të veçanta emocionale, sepse për të parën herë kisha mundësi të njihem me jetën dhe veprimtarinë  e Cafo Begut dhe vëllaut të tij Hodo Begut. Veprimtaria dhe jeta e tyre paraqet një dramë të veçantë familjare, që në një farë mënyre janë sinonim i vuajtjeve të përgjithshme të shqiptarëve në ketë mjedis. Nuk ka dilemë se diçka të tillë do të përjetojnë edhe lexuesit e këti libri  e në veçanti ata familje  apo pasardhësit e tyre që i  kanë përjetuar maltretimet dhe ndeshkimet e ndryshme nga ana e pushtetit të kohës.

Në  saje të këti botimi për të parën herë kemi mundësi të njihemi edhe me emra të personave dhe familjeve të ndryshme të cilët e kanë ndihmuar apo kanë qenë bashkëmenditarë të Cafo Begut. Po ashtu këtu për të parën herë paraqitet një regjistër i indivdëve të pushkatuar, dënuar dhe të përsekutuar nga ana e pushtetit komunist. Nuk ka dilemë se sëcili prej tyre paraqet çështje në vehte sepse kanë përjetuar maltretime dhe torturime të ndryshme. Të dhënat e prezantuara këtu janë vetëm epizodike, që meritojnë një qasje të veçantë për të ndriçuar të vertetën e kohës.

Por, pa dyshim  se në ketë aspekt një familje  paraqet ekzemplarë të veçantë të  qendrimit. Fjala është për familjen e Simon Gjokës-Shkrelit nga Shën Gjergji e cila për besë, nder e burrni ka vuajtur shumë. Madje vuajtjet e tyre janë biblike që pak kush mund ta imagjinojë, që shkon deri në atë nivel duke shpallur të vdekun djalin e gjallë. Një sakrificë  të tillë sublime kanë mundur ta  përjetojnë vetëm familjet me dinjitet të jashtëzakonshëm të karakterit  dhe besës shqiptare.

Ndonëse Cafo Begu pas arratisjës nga  janari i vitit 1953 jetonte në Shqipëri përkatësisht në  Shkodër ku edhe vdiq në vitin 1977, në moshën 85 vjeçare, ai kishte nostalgji të madhe për Ulqinin e tij. Me interes është një detal nga një takim që ka pasur një ulqinak në vitin 1972  më Cafo Begun në Shkodër në dyqanin ku ka punuar të Dugajt e Reja, ku në mes tjerash ai e ka pyetur së “a ka me e permend kush emnin tem në Ulqin”.

Nëse emri i tij deri me rënien e sistemit komunist ka qenë i anatemuar, më vendosjen e pluralizmit ai filloj të marrë përmasat reale. Dhe botimi i këtij libri, dëshmon në mënyrë bindëse së Cafo Begu, është pjesë e pandarë e Ulqinit dhe si i tillë do të jetë përherë.

Në libër jepën të dhëna më interes më rastin e  vendosjes së komunistëve në Ulqin në nëntor  1944 dhe instalimit të pushtetit të tyre ku  pushtetarët e rinj burgosen, përsekutuan dhe pushkatuan një numër të konsideruar të qytetarëve të Ulqinit dhe viseve tjera, që kanë qenë përkrahesit e Cafo Begut. Dhe në ketë situatë për jetë a vdekje Cafo Begu më disa bashkëluftëtar dual në ilegalitet(nëntor 1944-janar 1953). Kjo periudhë kohore paraqet sakrificën më të madhe për jetë a vdekje sepse ai ndiqej në të gjitha anët, por ishte populli ai që e strehoj dhe e mbajti duke rrezikuar jetën e tyre si në Anë të Malit, Krajë, Shtoj, Tivari i Naltë, Shkodër e përfundimisht në Ulqin.

Cafo Begu ishte në mes dy zjarrëve. Ai  ndiqej nga të dy regjimet si në Shqipëri dhe Jugosllavi. Kjo ishte fatkeqsi e madhe sepse të ndiqej individi i cili ka punuar për çështjen kombëtare ishte utopi e kohës. Sepse  bashkimi i tokave shqiptare më shtetin amë Shqipërinë nuk mund ti mveshet Cafo Begut krim, sepse këto ishin qasjet e idealistëve kombëtarë, që janë prezantuar gjatë okupimit italian dhe ati gjerman. Madje një ide e tillë fillimisht ka qenë e përkrahur edhe nga komunistët në fillim të Luftës së Dytë Botërore, por më pas ata devijuan platformën e tyre, ku si dëshmi transparente na shërben   mbledhja historike e Mukjes. Nga një devijim i tillë del se atyre nuk iu ka interesuar çështja kombëtare shqiptare në përgjithësi, por marrja e pushtetit dhe instalimi i sistemit komunist i cili pati pasoja të mëdha për popullin shqiptarë.

Autori i këtij  libri meriton falënderim të veçantë sepse ai ka treguar  angazhim serioz disavjeçar duke mbledhur e përpunuar një material të gjerë dhe shumëdimensional për figurën e Cafo Begut. Autori me një durim i cili është për admirim nuk është zhgenjyer as atëherë kur i kanë munguar të  dhënat e nevojshme për ca periudha përkatëse, apo kur individ të ndryshëm kanë refuzuar e ngurruar për të dhënë informacionet e duhura.

Ky botim  në një farë mënyre paraqet një dosje të çështjeve deri më tash pak apo aspak të njohura për mjedisin tonë. Andaj kur të lexohet ky libër do të kemi mundësi të gjykojmë për individet dhe rrethanat e kohës.

Nuk ka dilemë se ky libër do të hap debate të natyrave të ndryshme. Por, jemi të mendimit se vetëm një debat i tillë do të jetë në favor të këtij botimi, sepse të dhëna të reja do të plotësojnë figurën komplekse të Cafo Begut. Ky botim avancon njohuritë për ketë personalitet dhe të bashkëmendimtarëve të të tij, ndërsa  edhe këto të dhëna janë të mjaftueshme për të kuptuar se historia e jonë meriton të rishkruhet, me dokumenta dhe fakte konkrete pa paragjykime dhe qasje ideologjike. Pikërisht nga ky konstatim, nuk dyshojmë se në sajë të të dhënave të reja që do të ofrohen, janë të gjitha gjasat që  botimi i dytë  të jetë i plotësuar dhe i zgjëruar.

Vlerë e veçantë e këtij botimi është së ai është  paisur me një numër të konsideruar të fotografive të cilat për të parën herë i prezatohen opinionit.

Duke e lexuar këtë libër  del qartë së ka ardhur koha që për ngjarjet apo figurat e ndryshme kombëtare të shkruhet e vërteta sepse gjatë periudhës së komunizmit na është imponuar një realitet tjetër. Një dukuri e tillë nuk është çudi sepse historinë e kanë shkruar fitimtarët duke ia përshtatur interesave të tyre me ngjyrim ideologjik. Ndërsa sot në rrethana të tjera është obligim moral dhe profesional që të shkruhet e vërteta ashtu si ka qenë duke u bazuar në fakte dhe argumente të kohës. Ngjarjët e kohës së Cafo Begut që na dëshmohet madje edhe përmes individeve pjesëmarrës të drejtpërdrejt, dëshmojnë një realitet tjetër i cili duhet të jetë mësim për të gjithë ata që do të merren me shkrime të kësaj periudhe kohore. Vetëm me një veprim të tillë  do ti shërbejmë realitetit sikurse veprohet kudo në botën e qytetëruar.

Duke i falënderuar këtij botimi Cafo Begu nuk është më figurë e panjohur dhe e anatemauar si e ka paraqitur pushteti i kohës, por ai është me ne, të çdo individ e familje. Andaj ky libër përfundimisht heq dilemat  dhe kureshtjen e të gjithë neve, ku padyshim lexuesi do të jetë ai që do të japë gjykimin dhe vlerësimin e vet.

Monografia e cila i kushtohet  Cafo Beg Ulqinit, duhet të jetë pjesë e çdo familje ulqinake në mënyrë të veçantë dhe të gjithë neve në përgjithësi. Ajo duhet të lexohet dhe analizohet, sepse kjo paraqet të kaluarën tonë në një periudhë të caktuar kohore. Vetëm kur të lexohet atëherë do të jemi në gjendje për të kuptuar vuajtjet e popullit tonë që duhet të jetë mësim për të sotmën dhe të ardhmen.

                                                                                         

By admini