Nga Xheladin Zeneli

Kohë më parë Shoqata “ Ana e Malit” në New York, ka marrë iniciativën për blerjen e objektit  apo vendit i cili  do  të shërbejë jo vetëm si seli e Shoqatës por njëherit do të jetë Qendra  e komunitetit anamalas në New York me rrethinë.

Idea e realizimit të një Qendre të tillë ka qenë në plan-programin  e Shoqatës “Ana e Malit” dhe qëllim i komunitetit të saj që nga koha e themelimit të kësaj Shoqate në vitin 1997, por edhe më herët. Deri më sot, nuk ka ardhur deri te arritja e këtij projekti për vetë faktin se gjatë gjithë kësaj kohe Shoqata “ Ana e Malit”, ka qenë kryesisht e përqendruar në aktivitetet që kanë të bëjnë me vendlindjen dhe nevojat e bashkëvendasve tanë si dhe me aktivitete të tjera me karakter humanitar dhe kombëtar në atdhe.

Mendoj se nuk ka nevojë të shpjegohet rëndësia e posedimit të një selie të Shoqatës apo të një Qendreje  komuniteti, pra i një vendi apo ndërtese  ku do të mbahen mbledhje, tubime, takime dhe organizime të ndryshme .

Me vite të tëra këto mbledhje dhe takime janë mbajtur në lokale të huazuara në vende të ndryshme të New York-ut dhe këtu kanë meritë disa afaristë shqiptarë anamalas por edhe bashkëatdhetarë të tjerë,të cilët vazhdimisht kanë ofruar dhe kanë hapur dyertë e zyrave të bisneseve të tyre për mbajtjen e mbledhjeve apo nevojat e tjera të Shoqatës. 

Tani  është koha që Shoqata “ Ana e Malit” dhe komuniteti i saj të bëhet me “shtëpinë” e vet të përhershme. Staten Island-i është vendi më i adekuat për këtë pasi që aty gravitojnë numri më i madh i komunitetit tonë.

Një ndër sfidat e komunitetit shqiptar në SHBA dhe me këte edhe të komunitetit anamalas është ruajtja dhe kultivimi i gjuhën dhe traditës shqiptare dhe përcjellja e trashigimisë kombëtare te brezat e rinj . Një rol kryesor në këtë aspekt kanë grupet dhe shoqëritë kulturore artistike.Në kuadër të Shoqatës “ Ana e Malit” vepron grupi artistik i vallëzimit “ Freskia” në përbërjen e së cilit janë shumë djem e vajza të cilat kanë vullnet, dëshirë  e pasion të mësojnë këngët dhe vallet e bukura shqiptare .

Një Qendër e ardhshme e komunitetit do të mundësonte që brenda hapësirës së kësaj Qendreje të mbahen aktivitete kulturore të Shoqatës, por edhe shumë organizime të tjera me karakter edukativ-arsimor, argëtues dhe festiv.

Siç njofton kryetari i Shoqatës “Ana e Malit”, z. Safet Llolla, vendi i objektit tashmë është siguruar dhe kontrata e pronësimit është nënshkruar, kështu që tani kërkohet përkrahja financiare dhe materiale nga ana e pjësëtarëve të komunitetit anamalas që me kontributet dhe donacionet e tyre bujare të ndihmojë në pagimin e çmimit përfundimtar të këtij objekti.

Objekti ka nevojë për një transformim qenësor, kështu që rinovimi, rindërtimi si dhe zgjerimi eventual i hapësirës së kësaj ndërtese  do të mëvaret krejtësisht nga shuma e kontributeve financiare që do të mblidhen nga pjesëtarët dhe bisnismenët e komunitetit. Pra sa më shumë mjete financiare që do të mblidhen, aq më i plotë dhe më përshtatshëm  do duket realizimi i kësaj  Qendreje.

Vlen të përmendet se disa pronarë shqiptarë të bisneseve të ndërtimit që në fillim kanë ofruar shërbimet e tyre pa kompenzim për nevojat e renovimit eventual të objektit në fjalë.

Deri më tani janë mbledhur   një numër i konsiderueshëm i donacioneve nga disa pjesëtarë të komunitetit  anamalas , por njëherit kjo nisëm  ka hasur në përkrahje edhe nga pjesëtarë të tjerë të komunitetit shqiptarë si nga New York-u , ashtu si edhe nga ata që jetojnë në vende të tjera të SHBA-ve.

Megjithate, shuma e deritashme e mbledhur apo e premtuar është shumë larg shumës e cila nevojitet për arritjen e qëllimit të duhur final për blerjen komplete të objektit dhe vendit të paraparë për këtë Qendër.

Prandaj është me rëndësi që secili pjesëtarë i komunitetit anamalas nga New York-u me rrethinë, sipas mundësisë, ti përgjigjet aksionit të Shoqatës “Ana e Malit” për mbledhjen  e mjeteve financiare dhe të jap kontributin e vet për këtë projekt shumë të rëndësishëm dhe jetik, sidomos për gjeneratat e ardhshme të Diasporës tonë.

Për informata të tjera si dhe mënyrën se si mund të ndihmoni dhe të kontriboni për këtë projekt të komunitetit tonë, klikoni në link-un e mëposhtëm:

http://anaemalit.com/al/2021/03/04/shoqata-inicion-blerjen-e-lokalit-qe-do-te-jet-ne-sherbim-te-komunitet-anamalas-dhe-me-tej/

Mars 2021

By admini