Kryetari Faik Nika zhvilloi takim me kryeministrin Krivokapiq dhe ministrin Lleposaviq
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi z.Faik Nika, së bashku me përfaqësuesit e tjerë të Këshillave Kombëtare që veprojnë në Mal të Zi, u takuan me kryeministrin e Malit të Zi Zdravko Krivokapiq dhe Ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Lleposaviq, mësohet nga një kumtesë e Shërbimit për informim i KKSH-së.
Gjatë takimit kryetari Nika e njoftoi kryeministrin Krivokapiq, ministrin Lleposaviq dhe të pranishmit e tjerë me situatën dhe statusin e KKSH-së, me aktivitetet e deritashme, duke theksuar vështirësitë dhe problematikat me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Mal të Zi.
Po ashtu, kemi diskutuar edhe mbi problematikat me të cilat ballafaqohen Këshillat në përgjithësi, siç janë: kuadri ligjor dhe zbatimi i tij, situata me mjetet financiare për funksionim dhe realizimin e aktiviteteve dhe projekteve të mirëfillta, funksionimi i Fondit për Pakica, përfaqësimi i pamjaftueshëm proporcional në organet shtetërore, çështjet e arsimit në gjuhën shqipe etj.
Nga ana tjetër, kryeministri Krivokapiq deklaroi se kjo është Qeveri, veprimtaritë e të cilës do të jenë të bazuara në ngritjen e shkallës së respektimit të së drejtave të njeriut dhe pakicave në nivelin më të lartë të mundshëm, kurse ministri Lleposaviq theksoi se shteti do të mbrojë Këshillat nga çfarëdo lloj ndikimi në mënyrë që këshillat të veprojnë lirshëm. Po ashtu, në këtë takim u tha se buxhetet e këshillave nuk do të zvogëlohen, por përmes mekanizmave juridikë shtesë, duhet të sigurohet transparenca maksimale e shpenzimeve të mjeteve buxhetore për çka u ra dakord.