Në çastin kur nuk do të jem asgjë më tepër se shkrimtar, unë do të pushoj së qeni shkrimtar.” Albert Camus

“Qosja Vepra”, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës, ngjarje me rëndësi mbarëkombëtare. Janë 29 vëllime që përmbledhin veprimtarinë shkrimore të njërës prej mendjeve më të ndritura të popullit shqiptar në këto pesëdhjetë vitet e fundit

Vepra e Rexhep Qosjes, një portë e madhe drejt botës së dijes dhe imagjinatës krijuese

Prolog

Fjala mbarëkombëtare tashmë lumturisht ka hyrë në fjalorin tonë me të drejtën e saj shekullore të mohuar. Jeta si një lumë i nëndheshëm plot freski e gjallëri po krijon një rrjedhë të mendimit të lirë me ide që na njëjtësojnë si shqiptarë, në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo që janë trojet ku banojmë. Një mendim i tillë të shoqëron kur njihesh me botimin e veprës së Rexhep Qosjes, e cila përshkohet nga ide monumentale dhe një universalizëm i rrallë. Shumësia e planeve mbi të cilat shpaloset krijimtaria e tij në këtë vepër, ngjan me një katedrale madhështore, në të cilën grupimet tematike janë si kolonat dorike që lartësojnë e zbukurojnë vështrimin me vertikalitetin dhe formën e tyre të lëmuar. Seria çelet me një parathënie nga dr. Hysen Matoshi, që e tejkalon llojin, duke i dhënë frymën e një studimi gjithëpërfshirës.

“Qartësia e koncepteve prodhon qartësinë e mendimit, ndërsa qartësia e mendimit atë të fjalisë dhe më gjerë edhe të tekstit. Gjithsesi, një logjikë e tillë e shkrimit të materies, pavarësisht se a është fjala për shkrimin e shkencës a për krijimin letrar, është njëra ndër të veçantat e përgjithësuara më të rëndësishme të veprës së Rexhep Qosjes, nga ato të veçanta që e bën atë ndër autorët më të preferuar dhe më të çmuar nga lexuesi shqiptar, sikundër edhe njërën ndër vlerat deri tani më të pranuara në kopshtin e madh të kulturës botërore.” (Qosja, Vepra, I:36). Studimi i hollësishëm i dr. Matoshit, mbetet një qasje e rëndësishme edhe për vizionin konceptualist në vlerësimin e veprës së shumëfishtë të Rexhep Qosjes. Mund të thuhet me bindje se klasifikimi tematik që i bëhet kësaj vepre është përfundimtar, një pikë referimi e saktë për cilindo studiues.

Vepra

Pesë grupimet kryesore në vepër dallohen për nga natyra përmbajtësore dhe për nga forma e shprehjes. Duke ruajtur natyrën kronologjike brenda tematikës, krijohet kështu një lidhje e brendshme e ideve themelore, të cilat kalojnë prej librit në libër që nga hershmëria në të sotmen, me forcën që çliron origjinaliteti dhe përkushtimi misionar. Seria fillohet me:

I) Librat historiko-letrarë, 12 tituj në 10 vëllime, që përfshijnë studimet shkencore në fushë të letërsisë, e që përbëjnë një nga aspektet më të gjera të veprimtarisë së Qosjes. Ato janë analiza të dukurive, shkollave teorike, veprave letrare dhe periudhave historike të letërsisë. Mund të citojmë ndër të tjerë: “Asdreni – jeta dhe vepra”(1972) ; “Anatomia e kulturës” (1976); “Nocione të reja albanologjike” (1983); “Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 1,2,3” (1984, 1986) ; “Porosia e madhe” (1986); “Tri mënyra të shkrimit shqip” (2004) etj., të cilat janë të mbështetura në kritere shkencore dhe estetike të vlerësimit. “Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 1,2,3”, përkushtim jetëgjatë” e quan me të drejtë H. Matoshi, sepse zë fill që në shkrimet e tij të para, botuar në revistën “Jeta e re” në fund të viteve ’60. Historia e romantizmit shqiptar është gjithashtu vepra më e plotë, më e argumentuar dhe më shteruese e studimeve tona për këtë fushë. Si një punim i rrallë shkencor me 2000 e ca faqe, i cili jep një imazh të natyrshëm kombëtar të letërsisë së Rilindjes si “Vetëdija më e lartë, më e përgjithshme në kulturën tonë; në të vërtetë vetëdija më e përparuar për lirinë tonë” (Romantizmi I: 11), ai thekson edhe profilin e një historiani të shquar të letërsisë. Libri “Porosia e madhe”, studim me 547 faqe, kushtuar njërës prej figurave më të mëdha të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërit, krijon pastaj lidhëse me jetëshkrimin për Asdrenin (1972) dhe me librin “Antologjia e lirikës shqipe” (1970). Po të shohë treguesin e emrave në vëllimin I (“Vazhdimësi” 1972 dhe “Panteoni i rralluar” 1973), lexuesi do të mahnitet prej prurjes së madhe kulturore me futjen në studime të risive që kanë sjellë rrymat e shkollave letrare në botë, si: klasicizmi, parnasizmi, simbolizmi, modernizmi, formalizmi, surrealizmi, strukturalizmi, romani i ri, modernizmi etj. Në morinë e emrave të shquar po përmend vetëm disa, si: Rafael Alberti, Dante Aligieri, Gyjom Apoliner, Nikola Boalo, Sharl Bodler, Herman Broh, Homeri, Mishel Bytor, Fransis Bakon, Tomas Stern Eliot, Lusjen Goldman, Aldos Haksli, Ernest Heminguei, O Henri, Alber Kamy, Tomas Karlil, Gjergj Llukaç, Tomas Man, Pierre de Marivo, Alen Rob-Grije, Marsel Prust, Natali Sarot, Zhan-Pol Sartre, Tolstoi, Mark Tuein, Pol Valeri, Henri Xhejms e të tjerë, për shumicën e të cilëve në Shqipëri ose nuk dihej në ekzistonin, ose heshtej. Studiuesit e këndej kufirit i trajtonin studimet shkencore, dhe jo për faj të tyre, sipas metodës së ngushtë të realizmit socialist. Metoda krahasuese këtu zbatohej me dramat e Kolë Jakovës dhe Loni Papës, me romanet e Ali Abdihoxhës dhe Fatmir Gjatës, me poezitë e LLazar Siliqit dhe Luan Qafëzezit, me shkrimet kritike të Adriatik Kallullit dhe Rinush Idrizit e të tjerë. Shkrimet e tij të para studimore, si: “Për traditën kundër tradicionalizmit” (1967), “Letërsia Kombëtare dhe letërsia botërore ose afrimi përmes ndryshimeve” (1972) e ndonjë tjetër, shprehin qartë edhe idenë absolute që përshkon të gjitha studimet e Qosjes: vështrim i pjesës në raport me të tërën. Struktura analitike e këtyre librave dëshmon evropianizimin e hershëm të studimeve shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë.

II) Librat letrarë, 8 tituj në 7 vëllime, romane, drama e tregime që nisin me një apogje me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), i cili, për fat të lumtur, nuk u kthye në dënim të veprës letrare të mëvonshme të autorit, sepse ashtu si thotë Umberto Eco, ndodh jo rrallë që romanet e para të suksesshme të shkrimtarëve, mbulojnë me hije romanet e mëvonshme. Qosja, pra, ka edhe një apogje të dytë krijues me romanin madhor “Bijtë e askujt” (1,2) më 2010. Dhjetëvjeçari i parë i këtij shekulli nis me tregimin e fuqishëm satirik dhe alegorik “I ringjalluri i penduar”, një parodi groteske e anëve negative të kohës sonë, që është në simetri me romanin “Nata është dita jonë”. Edhe romani “Një dashuri dhe shtatë faje”, krijon simetri tematike me tri dramat e librit “Mite të zhveshura”. Duhet nënvizuar se krijimtaria e tij letrare në brendësinë e vet thur një poetikë herë tragjike dhe herë tragji-komike e satirike. Për nga elementet e strukturës, ajo është një kërkim i vazhdueshëm për të gjetur forma të reja të shprehjes, të cilat i japin të drejtë kësaj vepre të radhitet në letërsinë postmoderne.

III) Librat historikë dhe historiko-dokumentarë, 6 tituj në 5 vëllime, që nisin me librin “Çështja shqiptare – historia dhe politika” (1994), vëllimi XVIII, një libër i jashtëzakonshëm, sintezë thuajse e të gjitha studimeve albanologjike, Bibël e çështjes shqiptare. Asnjëherë studimet tona nuk kanë pasur libra të tillë enciklopedikë, ku analiza dhe dokumenti janë vetë historia që flet. Ai është rrëfimi më tragjik i fatit tonë, me padrejtësitë paimagjinueshëm të egra që na ka dhuruar historia. Në fund të tekstit është edhe një kronologji e ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, që nga vitet 400 para erës sonë, në kohët iliriane e deri në vitet ’90 të shekullit XX. Ky është një libër që na pasuron të gjithëve me të vërtetën tonë të hidhur. Nga shkrimtar, Rexhep Qosja këtu kthehet në historian dhe shkrimtar, duke dhënë jetëshkrimin më të vërtetë të historisë sonë. Udhëtimi i tij nëpër të gjitha kohërat e ekzistencës sonë ka dashur lexime të panumërta, sakrifica dhe brenga, sepse të futesh në histori, do të thotë të futesh në një thertore gjigante. Në këtë vëllim XVIII është edhe libri “Programet kombëtare serbe për shpërnguljen e shqiptarëve”, një përmbledhje e plotë dokumentesh që nga “Naçertanija” (1844) e Ilia Garashaninit, “Dëbimi i arnautëve” (1937) i Vasa Çubrilloviqit, “Projekt për ndarjen e Shqipërisë” (1939) i Ivo Andriqit e deri te “Kryengritja e vitit 1981 dhe tezat për Kosovën” (1981) i Dobrica Qosiqit. Padrejtësia historike, e realizuar me propagandë të shfrenuar raciste kundërshqiptare, duhet të na mbushë me mëri. Kur flasin për komb dhe popull, serbët i përjashtojnë shqiptarët si “të prapambetur”, të cilët“ende nuk janë takuar me vlerat e qytetërimit”. Për ta shqiptari “është i ligshtë dhe i imët”, me pamjen e njerëzve të parakohës historike, që “për shkak të drojës prej shtazëve të egra flinin në drunj, në të cilët, për mos t’u rrëzuar, mbaheshin me bisht” (në kreun përkatës jepet autori serb dhe libri nga janë marrë).

Ndër librat historikë dhe historiko-dokumentarë janë “Paqja e përgjakshme”; “Tronditja e shekullit” (1,2); “Rilindja e dytë” etj., libra me analiza, përfundime dhe përjetime të pakrahasueshme dhe të pazëvendësueshme të një dëshmitari okular.

IV) Librat publicistikë, 6 tituj në 6 vëllime, mes të cilëve libri “Populli i ndaluar”, është fryt i përpjekjeve të tij të pashembullta për ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës nën Serbinë. Libri në të vërtetë i ngjan një beteje që mund të shëmbëllehej nga lexuesi me titullin “Edhe i vetëm trim në luftë”. Është koha kur diktatura në Jugosllavi u ashpërsua dhe shtypja ndaj shqiptarëve arriti kulmin me përgjakjen e demonstratave të rinisë shqiptare të vitit 1981. Në libra të tjerë si “Ligjërime paravajtëse” (1996), lexuesi do të ndeshet me idetë e rëndësishme të shprehura në gazetat e Prishtinës, Kosovës, Tiranës, Beogradit, Lubjanës, apo në radion “Zëri i Amerikës”, që më 1990, 1991 dhe 1992 e në vazhdim, e që i paraprinë luftës së Kosovës për liri. Grupi i tretë dhe i katërt dëshmojnë qartë sesi sakrifikohet përkohësisht shkrimtari (studimet në fushë të letërsisë ai nuk i ndërpreu) në përfitim të intelektualit atdhetar, i cili rreshtohet në barrikadën mbrojtëse të popullit të vet, duke i ndriçuar rrugën se nga duhet të ecë. Rexhep Qosja është një shembull, që mbetet edhe një përmasë morale për intelektualët e vërtetë shqiptarë.

V) Librat polemizues, 4 tituj në 1 vëllim XXIX, përbëjnë kuintesencën e mendimit intelektual qosjean për disa probleme të veçanta që nga protagonizmi i tij i fillimit në letrat shqipe, e deri te protagonizmi në mendimin më të fundmë për disa çështje me rëndësi në jetën e ditëve tona në Shqipëri dhe Kosovë. Në analizën e thellë që bën për identitetin shqiptar, pasi arsyeton përse identiteti është një kategori historike që vjen duke u pasuruar, ai vëren disa fenomene të jetës “shoqërore, kulturore, shkencore dhe politike me ndikim çintegrues” (f. 336) që e transformojnë identitetin nga një ndërgjegje universale, në një ndërgjegje “të thjeshtëzuar, të rrëgjuar, që Faik Konica do ta quante edhe sot siç e quante në kohën e vet: patriotizëm i mëhallës” (f. 337,338) dhe e lidh pastaj zvetënimin e mëtejshëm të identitetit me qëndrimin ndaj gjuhës. “Në qoftë se gjuha standarde shënon një shkallë më të lartë të njësisë shpirtërore dhe të pjekurisë historike të një populli, përpjekjet për ndryshimin e saj, për mohimin e saj do të thotë ftesë për kthim mbrapa, në të vërtetë ngadhënjim i vetëdijes prapakthyese” (f. 344) dhe me qëndrimin ndaj fesë:“[…]tejtheksimet e vetëdijes fetare, si myslimane ashtu edhe të krishterë, e sidomos favorizimi i ndonjërës prej tyre nga ana e institucioneve politike a shtetërore, janë veprime dhe gjykime të anshme me ndikim të mundshëm shpërbërës ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe ndaj proceseve integruese shqiptare” (f. 352) dhe vazhdon pastaj me “Të vërtetat e vonuara” e me probleme të tjera që janë plagë të rënda të shoqërisë shqiptare në tranzicionin e pafund drejt një shoqërie demokratike etj.

*

Së pari, të hysh në Veprën e Rexhep Qosjes do të thotë të kapërcesh pragun e një porte që hapet drejt botës së dijes dhe imagjinatës krijuese. Së dyti, do të thotë të njihesh me mendimet dhe idetë e një projekti të madh shkrimor. Është një lëvizje e pandalur drejt së Vërtetës, të Drejtës dhe Lirisë. Pasi mbaron së lexuari çdo libër të kësaj Vepre, njeriu mediton në qetësi dhe e kupton se të lexosh apo të rilexosh një tekst, do të thotë të kuptosh autorin dhe çështjen e tij, që është çështje e të gjithëve. Njeriu përballë realitetit në të vërtetë është subjekti më qenësor i të gjitha arteve e që shpreh edhe dualitetin midis qenies dhe mosqenies. Dhe vepra e Qosjes është pohim i këtij raporti transcendence midis veprës dhe autorit. Në këtë këndvështrim Vepra është unike, simbol i analizës tipologjike e stilistike, i imagjinatës krijuese dhe i dialogut të pambaruar midis shkrimtarit dhe librit, njeriut dhe botës. Nëse aty trajtohen probleme si “Prometeizmi në poezinë shqipe” (1968) dhe përmenden emra, si: De Rada, Pashko Vasa, Çajupi, Skiroi, Asdreni, Migjeni, Esat Mekuli e të tjerë; “Lirika dhe romani” (1968) dhe krahas emrave të huaj Boris Pastërnak, Alberto Moravia, Salvatore Kuazimodo e të tjerë, përmenden edhe emrat Jakov Xoxa, Dhori Qiriazi, Hivzi Sulejmani, Din Mehmeti apo të tjerë; “Përgjegjësitë e kritikut letrar”, dhe shkruhet për librat poetikë të Musa Ramadanit apo Ali Podrimjes e të tjerë, për romanin “Kështjella” të Ismail Kadaresë, për librin me kritika të Razi Brahimit e të tjerë që në vitet 68, 69 dhe ’70, atëherë mund të themi se koncepti i tij themelor për letërsinë shqiptare si një e tërë është në vizionin e tij fillestar dhe nuk është mendim i mëvonshëm i përpunuar.

Në studimet teorike shkencore për letërsinë dhe historinë e saj në Vepër shpalosen disa koncepte të rëndësishme, si ai për traditën e letërsisë shqiptare që është një dhe e pandarë, “një tërësi vlerash”, as e thjeshtëzuar ku futet gjithçka që shkruhet, as e ndarë, e copëtuar në treva dhe as e censuruar; ai për letërsinë popullore, ai për veprat monumentale, ai për periodizimin letrar, për ndërlidhjen e poetikave krijuese etj. Vepra e tij ruan një fuqi të madhe përtëritëse me shkrime që kanë dendësi mendimi, argumente dhe ide përgjithësuese.

Stili

Qosja ka një stil të fuqishëm, të mprehtë, stil lëndë, të cilin e ushqen së pari me dije kur është fjala për të vërtetat historike, duke krijuar kështu raporte të brendshme me objektin e mendimit, dhe së dyti, me imagjinatë, e cila ngrihet mbi përvojën dhe vizionet kur është fjala për të vërtetën artistike. Ai sjell plotëri atje ku mbretëron zbrazëtia, duke përmbushur kështu misionin shpirtëror të krijuesit. “Stili është çështje vizioni dhe aspak teknike”, shkruan Proust-i (Essais et articles, Pleiades, f. 586). Përdorimi i fjalëve: anatomi te “Anatomia e kulturës”, vdekje te “Vdekja më vjen prej syve të tillë“, porosi te “Porosia e madhe”, Çështja shqiptare, te “Çështja shqiptare, historia dhe politika”, program te “Programet kombëtare serbe për shpërnguljen e shqiptarëve”, tronditje te “Tronditja e shekullit”, e përgjakshme te “Paqja e përgjakshme”, shpëdoruar te “Demokracia e shpërdoruar”, dashuri te “Një dashuri dhe shtatë faje”, të vërtetat te libri “Të vërtetat e vonuara”, strategji te “Strategjia e bashkimit shqiptar”, e askujt, te romani “Bijtë e askujt” etj., janë çelësa magjikë për të hyrë në universin e tij krijues.

Në librat e tij shpesh rrëfehet në vetën e parë, që është un shumë i shprehur krijues. Kjo ndodh edhe në tekste letrare që i nënshtrohen sajimit, por edhe në tekste me polemika që i nënshtrohen argumentit. Veta e parë në letërsi krijon edhe protagonizmin, që është histori e zotërimit të vetvetes. Pra, adresuesi dhe i adresuari janë një, janë bërësi i ngjarjes, i historisë. Metodat strukturaliste dhe krahasuese mësojnë se materia letrare është e lidhur ngushtë me formën aq sa Saussure i quan entitetin gjuhësor dhe stilistik dy anë të së njëjtës fletë. Autori e thyen rrëfimin në atë mënyrë që tërë lëvizja e lëndës të shkojë drejt një qëllimi. Bota në veprën e tij është një botë e gjallë, në lëvizje, një botë që është në kërkim të zgjidhjeve.

Orientimi filozofik popullor që përshkon tërë veprën e Qosjes është në natyrën artit të tij. Referencat letrare e filozofike, emrat, titujt, nëntitujt, epigrafet, të cilat shfaqen në vazhdimësi që në librin e parë, janë paratekste domethënëse, të cilat dëshmojnë për një vetëdije artistike të hershme, që zhvillohet në mënyrë të natyrshme në krijimtarinë e tij. Disa epigrafe: “Dhe mbi të gjitha ruaje zemrën tënde, /sepse prej saj buron jeta./ Dhe rri sa më lark prej gojëve të rrejshme, / dhe largoji prej vetes buzët mashtruese. /Dhe sytë e tu le të shikojnë në fytyrë, / dhe shikimi yt le të jetë prore i drejtë./ Dhe kujdesu cilës rrugë do të ecësh, / dhe të gjitha rrugët do të jenë të drejta. / Dhe mos kthe as djathtas as mëngjër, / dhe kujdesu të ecësh larg të keqes. Psalmet, që përdoren që në librin e tij të parë “Kontinuitete” 1972 (Vepra I:45) dhe vazhdojnë: “Tash ajri u mbush me hije aq fort, sa askush s’e di si t’u shpëtojë dot”. Johan Vofgang Gëte, Faust II, Akti 5, “Bijtë e askujt, 1”, 2010, Vepra XVI); “Këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita më ditë si në kaleidoskop. Fan Noli, “Bijtë e askujt, 2”, 2010 (Vepra XVII); dhe“Çka paguhet më shtrenjtë: gënjeshtra apo e vërteta? E para e kushton unin tënd, kurse e dyta, ndoshta lumturinë tënde”. Fridrih Hebel, “Ideologjia e shpërbërjes”, 2006, vepra XXIX:333. Nga ana tjetër, zotërimi i të folmes dhe i shprehësisë letrare pa ngurtësime puriste, shpie në ligjërimin e bukur artistik. Fraza lapidare, në të cilën përsëritja, monologu, dialogu imagjinar, sentenca, fjalitë pyetëse me përgjigje të nënkuptuar, me ose pa përgjigje, pikëpyetjet dhe pikëçuditjet shndërrohen në tingëllim ritmik të fjalës, i japin mendimit fuqi transmetuese. Si stilist i papërsëritshëm, Qosja përfaqëson një univers me imagjinatë dhe dije të jashtëzakonshme. Një univers në të cilin përzihen në mënyrë harmonike regjistrat letrarë: kritikë, studim, roman, dramë, histori letërsie, jetëshkrime shkrimtarësh të shquar, dhe regjistrat jashtëletrarë që janë histori, publicistikë filozofike dhe polemika për jetën në demokraci, të cilat ruajnë gjithnjë si thesar të çmuar peshën e fjalës. Takimi me veprën e Qosjes është një festë intelektuale.

Qytetari

Figurë madhore e letërsisë, e studimeve për historinë e saj si dhe një protagonist i mendimit më të lartë bashkëkohor, ai i falet vetëdijes fatlume se shkrimtari në çdo kohë ngre një rrjet raportesh mes vetes dhe bashkëkohësve. Çdo veprimtari e tij shkrimore na jep mësimin themelor e të çmuar për të shpëtuar dhe ruajtur “burimin”, rrënjët tona identitare. Ai nuk i ndahet shoqërisë së cilës i përket, ashtu si të mëdhenjtë Voltaire, Rousseau e Diderot, që duruan me vendosmëri kundërvënie dhe luftë të hapur nga përfaqësuesit e mediokritetit, të hierarkisë zyrtare dhe të moskuptimësisë. Kështu ka ndodhur në histori me mendimin pararojë që udhëheq e i takon së ardhmes dhe kështu ndodh e dhe në kohën tonë, ku nuk janë të paktë shkrimtarët postavanguardistë si Mario-Vargas Llosa, Andre Brink, Umberto Eco, Orhan Pamuk, Roberto Saviano e të tjerë, që kanë mbajtur në shpinë kundërveprimin e forcave të ngushta, përfaqësues të grupeve të caktuara.

Zëri i Qosjes në këtë botë të zhurmshme shqiptare, ku shpeshherë duartrokitet jovlera, dëgjohet si një rrëfim mes paradokseve. Ai i ka përjetuar dhe regjistruar si sizmograf tërë lëvizjet që kanë tronditur Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë:“Të mendojmë. Të mendojmë ndershëm dhe vetëm ndershëm, qoftë edhe kundër të gjithëve, sepse ashtu mendojmë për të gjithë”. (Romen Rolan, Vepra XXIX:375).

Si një tërësi heteroklite, ku vihet re një vazhdimësi idesh, ndarjet historike-dokumentare, publicistike dhe polemike të veprës së Qosjes kanë në indin e vet rishpikjen e shqiptarizmit, si një apologji e qenësisë shqiptare dhe idenë e madhërishme të bashkimit shqiptar, që mbetet kurora më e artë në thesarin e mendimit mbarëkombëtar.

Lumturia jonë e përgjithshme do të arrihet vetëm kur të realizohet bashkimi, kryeideja e tërë veprës së Qosjes kushtuar çështjes shqiptare, që shpaloset gjerësisht te vepra monumentale “Strategjia e bashkimit shqiptar” me devizën “Në Evropën e bashkuar, shqiptarët e bashkuar”, botuar më 2 shtator 1990, në gazetën “Vjesnik”.

Epilog

Kjo Vepër e veçantë që në tërësinë e saj ka një transtekstualitet të pasur me paratekste dhe intertekste të shumta që nga analiza veprash, dukurish, me tituj, nëntituj dhe ndërtituj, me epigrafe, me trajtesa të plota dhe komentarë, me intervista dhe polemika të mprehta, parathënie, pasthënie, me tregues emrash, me romane post avanguardiste, me drama të ndërtuara me teknikën e absurdit, ka kërkuar një zgjidhje të strukturuar me elemente të realizimit të jashtëm që t’i qëndrojnë kohës. Dhe ky shqetësim ka marrë një përgjigje të mrekullueshme që nga zgjedhja e formatit të vëllimeve, tipit të shkronjave, ngjyrës së letrës, formës dhe ngjyrës së kopertinës, veshjes dhe shumë elementeve të tjera profesionale që lidhen me punën e piktorit dhe përgatitësve të Veprës, që nga këshilli redaktues dhe këshilli botues, redaktori gjuhësor, korrektuesi etj. Kur merr në dorë një vëllim të kësaj vepre, lexuesi kujton se mban në duar një objekt artistik. Është një botim me të vërtetë i përkryer i Institutit Albanologjik të Prishtinës, i denjë për emrin që mban.

Vepra e Qosjes tani vjen e plotë, e bashkuar, e rindërtuar sipas një arkitekture të re, duke krijuar thyerje dhe vazhdimësi. Tërë vepra e tij ushqehet nga një lloj frymëzimi, që është dialogu i përhershëm dhe i palodhur me botën shqiptare. Kjo është edhe ana më madhështore e krijimtarisë së personalitetit të shquar të letrave shqipe, birit të shquar të kombit, akademikut Rexhep Qosja.

Temë nga projekti “Shkruaj, lexo dhe fol shqip”, një pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.

By admini