Lidhur me konstatimet e kryetarit të Komunës së Ulqinit Loro Nrekiqit që Forca me lojëra politike pengon dhe ndalon zhvillimin e Ulqinit, Forca e Re Demokratike shpreh keqardhje që kryetari i Komunës, në vend që të shfrytëzojë Kuvendin për të ballafaquar argumentet e për të argumentuar dhe përmirësuar buxhetin e propozuar, përdoron konferencën për media që të shprehë sulmet e veta, që si zakonisht janë të paargumentuara dhe me motive jo të mira, kështu fillon kumtesa për opinion e Forca së Re Demokratike.
Edhe ne konstatojmë që në Ulqin në këtë periudhë nuk ka ndodhur zhvillimi i premtuar i cili është edhe kushtëzuar me marrjen e postit kyç nga partia juaj. Zhvillimin e ndalon mosrespektimi i ligjit, papërgjegjshmëria politike dhe padituria, e këto nuk mund të mbulohen e zbuten me mbivotim dhe marrëveshje kafenesh.
Lidhur me këtë, e përkujtojmë kryetarin e Komunës dhe qytetarët e Ulqinit, të cilët ia sigurojnë Komunës mjetet e buxhetit, që nuk kemi dashur të mbështesim buxhetin i cili në procedurën e kuvendit ka arritur jashtë afateve ligjore (meqë Shërbimit të Kuvendit iu është dorëzuar më 22 dhjetor e jo më 1 dhjetor) dhe se nuk e kemi mbështetur Buxhetin për vitin 2021 sepse si partneri më i madh i koalicionit nuk jemi konsultuar para shpalljes së draftit të buxhetit dhe, sepse ky buxhet mbanë shumë pozicione joreale dhe se thelbësisht nuk përmbanë komponentën zhvillimore, vazhdon kumtesa për opinion e Forca së Re Demokratike.
E ftojmë Nrekiqin që me argumente të tregojë obstrukcionet dhe të japë më shumë detaje për ecurinë e projekteve zhvillimore siç janë: fabrika e salmonit, aeroportit sportiv në Shtoj, akuaparkut, kompleksit turistik në Hije – Mavrian dhe realizimin e investimeve shumëmilionëshe në infrastrukturën e ujësjellësit dhe kanalizimit në Ulqin.
Jemi krenarë që, së bashku me qytetarët, kemi ndaluar ndërtimin e fabrikës së bitumit në Krythë, sepse nuk kemi dashur të mbështesim një investim për të cilin nuk është ditur kush e financon, nuk është ditur baza ligjore dhe plani për këtë investim dhe kush ka bërë e kush ka financuar punët përgatitore dhe çfarë leje është dhënë për këto punë, përfundon kumtesa për opinion e Forca së Re Demokratike.