monopoli_tivar_ku_u_vrane_shqiptaret_1945Nga Dr.Nail Draga

70-vjetori i Masakrës  së Tivarit(1945-2015)

Të ndëruar të  pranishëm,

Jemi mbledhur sot këtu  për të përkujtuar një ngjarje tragjike e cila njihet me emrin Masakra e Tivarit, e cila ka ndodhur para 70-të viteve,  pikërisht me 1 prill të vitit 1945. Ishte kjo tragjedia e shqiptarëve nga Kosova, e cila ishte planifikuar nga strukturat ushtarake jugosllave të kohës dhe e realizuar sipas një skenari të përgatitur më parë për qellim hakmarrje  ndaj  shqiptarëve.

Ne lidhje me numrin e të vrarëve varësisht prej burimeve ka të dhëna të ndryshme e ai numër sillet nga  1560 e deri në 4000 vetë! Mobilizimi i shqiptarëve nga disa vise të Kosovës si regrutë në aradhat partizane   ishte bërë gjoja me moton  për të ndjekur armikun përfundimisht nga territori i ish-Jugosllavisë.
Edhe pse ne popull dihej për ketë tragjedi dhe përshperitej për numrin e të vrarëve, saktësisht pak kush dinte të dhëna të sakta, sepse arkivat për shqiptarët ishin nen embargo, apo edhe dokumentat gjegjëse ka mundësi që janë zhdukur nga ato të cilët kanë realizuar ketë masakër.

Por, edhe pas shtatëdhjetë vjetëve kjo tragjedi ende nuk është ndriçuar  sa duhet nga studiuesit e ndryshem nga vet fakti se gjatë periudhës së sistemit komunist marrja me një ngjarje të tillë ishte e pa preferueshme dhe me pasoja për autorët.

Por, vetëm pas dështimit të sistemit monist dhe vendosjes së pluralizmit nga viti 1990 e më pas, opinioni i gjërë  filloi të njihej ne detaje për ketë masakër, e ate duke iu falenderuar dëshmitarëve autentik të cilët kishin shpetuar nga kjo kasaphane e përmasave  naziste e bërë nga pjesëtarët e aradhave partizane jugosllave gjoja “nacional-çlirimtare”.

Dhe janë këto individ të cilët e përjetuan personalisht ketë masakër të cilët kanë dhënë kujtimet e tyre për ketë kalvar të shqiptarëve nga mobilizimi i tyre në Kosovë dhe rrugëtimi ne relacionin Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar. Janë ata pjesëtarë të gjashtë eshaloneve ushtarake, të cilët kishin tretmanin e robërve e jo pjesëtarëve të njësive të rregullta ushtarake.

Qellimi i largimit të tyre nga Kosova ishte i planifikuar  sepse serbet e kishin më të lehtë  të vendosnin  pushtetin e ushtarak, duke bërë riokupimin e Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore, pa përfillur premtimet e parimeve të Kartës së Atlantikut.

Veprimet  vrastare në mjediset e Monopolit të duhanit në Tivar të realizuar nga pjesëtarët e  Brigadës së Dhjetë Malazeze ia kanë kaluar nazistëve gjermanë, sepse të vrarët nuk janë varrosur por janë deportuar në vende të ndryshme për të humbur gjurmet e krimit, ku edhe sot varret mungojnë!!
Por, ne këtë regji shfarosëse ka pasur raste qe individ të ndryshëm të shpetojnë dhe të ikin ne drejtime të ndryshme, por edhe aty nëse janë zbuluar janë likuidur, sepse të gjithë shqiptarët janë cilësuar si armiq, nga pushteti ushtarak. Megjithate ka  raste të veçanta që kosovarët janë strehuar e mbajtur nga familje shqiptare duke iu shpetuar jetën, si ne Tivar, Anë të Malit dhe Krajë, ku për raste të tilla egzistojnë dëshmi autentike.

Nuk ka dilemë se për këtë masakër përgjegjësia bie mbi pushtetin e kohës në Mal të Zi, por edhe ate të Shqipërisë. Sepse si te lejohet që të kalojnë  nepër territorin e Shqipërisë eshalone të tëra qytetarësh kosovarë të përcjellur nga ushtarakët serbo-malazez gjoja për të marrë pjesë ne ndjekjen përfundimtare të armikut në Istër e Slloveni, kur Lufta e Dytë Botërore kishte marrë fund në këtë regjion nga nëntori i vitit 1944!.

Në lidhje me ketë ngjarje tragjike Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, në vitin 2013, ka organizuar një sesion shkencor dhe është vizituar vendi i krimit ku jemi edhe ne sot. Por, duhet bërë çmos që në ketë vend të ngrihet një memorial i shkruar ne tre gjuhë kushtuar kësaj ngjarje tragjike.  Një memorial  i tillë duhet të jetë monument i kujtesës, për të kaluarën, tashmën dhe të ardhmën për të njohtuar opinionin e gjërë mbi ketë masakër që ka ndodhur në qytetin e Tivarit. Në rrethana të reja kur tash Kosova është shtet i pavarur i takon qeverisë së saj të inicojë një çështje të tillë  me pushtetin  në Malin e Zi.

Nuk ka dilemë se masakra  e vitit 1945 nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi pushtetin aktual në Mal të Zi, por angazhimi ne drejtim të ndriçimit të saj  do të ishte ne favor te rrethanave të reja shoqërore e politike, duke dënuar krimet e komunizmit  të asaj kohe në ketë mjedis.
Nderim dhe kujtim i përjetshëm për viktimat e kësaj masakre!
Ju faleminderit
(Fjala e mbajtur më rastin e 70-vjetorit të Masakrës së Tivarit në Tivar më 1 prill 2015)

By admini

One thought on “U shënua 70-vjetori i Masakres se Tivarit nga KKSH”

Comments are closed.