Nga Qani Osmani
Përvoja e deritanishme dëshmon se në shoqëritë pa traditë demokratike dhe ku është e pranishme struktura e pavolitshme sociale, jo rrallë herë vota bëhet mjet i manipulimit nga subjekte të ndryshme politike të cilat nuk zgjedhin mjete për t’i arritur qëllimet e tyre. Siç po duket njerëzit janë të përqendruar në kënaqësinë e çastit dhe dëshirën për të jetuar të sotmen, pa kuptuar rëndësinë dhe vlerën e të ardhmes.
Në demokraci e drejta e votes, si e drejtë e garantuar kushtetuese e qytetarëve, është arma më e fortë dhe bazë e përcaktimit të fatit dhe të ardhmes së qytetarëve. Vota është një e drejtë dhe si e tillë e shenjtë e ardhmërisë individuale, shoqërore dhe kombëtare. Mosnjohja e kësaj vlere që ka në dorë votuesi shqiptar, për përcaktimin e fatit dhe ardhmërisë së tijë, mund të vërtetohet nga ajo që, sot votohet për një opsion sepse “ashtu votojnë të gjithë apo komshinjët” të tjerët “votojnë sepse janë porositur apo lutur nga ndokush”, “votojnë sepse partia apo kandidati i ka premtuar diçka”, “votojnë sepse u ambush xhepin ndokush”, e kështu me rallë.
S’ka dyshim se këto mënyra apo forma të të menduarit dhe vendosjes së dhënies së votes, është treguesi më i mirë, se çfar pjekurie politike kemi arritur dhe çfarë struktura përfaqësimi kemi zgjedhur, për të na prijë drejtë një të ardhme. Nëse do të bënim ndonjë sondazh rreth asaj se çfar programesh kanë partite politike, mesiguri se do të zhgënjeheshim nga përfundimi i rezultateve. Sepse për votuesin shqiptarë, më pak ka rëndësi programi dhe realizimi i programeve, se sa elementet e lartëpërmendura në bazë të të cilave japin votën. E gjithë kjo ndodh si rezultat i mosnjohjes së vlerës së votës apo ndoshta edhe interesave minore të individëve të caktuar.
Për tri dekada votuesi shqiptar gënjehet dhe detyrohet të votoj ata të cilat kanë fuqinë dhe pushtetin të vendosin për jetën, për bukën apo për s’kamjen e tyre. Vota nuk është mall këmbimi, as monedhë kusuritje. Ajo është përgjegjësi dhe çelës i dyerve për ndryshime. Fakti që partia politike që ushtroi pushtetin qëndrorë për tri dekada në këtë shtet ndërtoi metropole në shumë vende të Malit të Zi, dhe anashkaloi vendbanimet shqiptare, duke i lënë të shkretuara, duke shkatërruar gjithçka me vlerë, duke detyruar rininë shqiptare të braktisë vendlindjen e tyre nuk meriton mbështetje, nuk ka të drejtë politike e aq më pak morale të kërkoj votën shqiptare.
Të nderuar qytetar shqiptar, është faktë i pamohueshëm se partitë politike shqiptare në Mal të Zi në të kaluarën kanë pasur shumë mëkate dhe defekte të manifestuara. Dobësit e tyre nuk mund të shihen të shkëputura nga dobësitë e elektoratit shqiptar, që i ka zgjedhur ata, as nga dobësitë e klasës intelektuale dhe e qytetarëve shqiptar dhe kjo ka ndikuar në masë të madhe në mosrealizimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve, por nuk mund të zgjidhet kurrsesi nga (DPS) që për tri dekada ushtroi pushtetin shtetëror duke i konsideruar shqiptarët etnik-autokton si qytetarë të rendit të dytë.
Votuesit shqiptar duhet ta kenë të qartë se duke votuar DPS-in dhe disa parti të tjera të ashtuquajtura qytetare që janë në pushtet, heqin dorë vullnetarisht, nga të drejtat kombëtare dhe nga identiteti i tyre kombëtar. Ata vetë humbasin të drejtën morale të kërkojnë trajtim të barabartë dhe zhvillim të trevave shqiptare. Andaj edhe kërkesat e udhëheqësve të DPS-it për mbështetje nuk është asgjë tjetër përpos një thirje dhe mbështetje që ta “plaçkisin dhe ta përçajnë” popullatën shqiptare në Mal të Zi.
Fenomeni i deritanishëm negativ i derdhjes së votave shqiptare në partite malazeze qytetare është një fenomen, i cili po të tolerohet e të neglizhohet do të ketë pasoja të rënda për të drejtat kombëtare dhe për statusin e popullit shqiptar në Mal të Zi. Vota shqiptare duhet “inponuar” nëpërmjet faktorit politik shqiptar, qeverisë dhe partive në pushtet se vetëm kështu do të ketë peshë në realizimin e kërkesave dhe aspiratave të popullit shqiptar. Avancimi i statusit kombëtar të popullit shqiptar në Mal të Zi do të sjellë përmisimin e statusit të tyre qytetar dhe jo e kundërta. Vota është e shqiptarëve dhe duhet të mbetet te partitë politike shqiptare.
Sidoqoft, me 30 gusht gjithçka do të varet nga votuesit shqiptar. Dhe më shkurt, ata do duhet në këto zgjedhje parlamentare të përgjigjen, se a janë pro vetëvetes apo pro atyre që duan ta “asgjesojnë dhe t’i kolonizojnë vendbanimet shqiptare”. Andaj edhe duhet thënë shkurt e shqip: të votosh për partitë politike shqiptare nuk është vetëm përcaktim partiak, politik e kombëtar, por edhe legjitimim qytetar e civilizues. Pra, ky është përcaktim që të rreshton mes kundërshtarëve të mendësisë vasale të disa shqipfolësve si dhe kundër bindjes së drejtuesve të pushtetit se kultura politike e shqiptarëve autokton nuk dallon shumë nga ajo e popujve endacak që do të thotë: “Gjithmonë t’i nënshtrohesh më të fortit, e të pushtetshmit”, që kurë gjatë histories nuk ka qenë veti e këtij populli trim, fisnik e bujar.
Qytetar të respektuar shqiptar, para se hidhni ngjyrë në letër e të rrethoni opcionin tuaj të preferuar kthehuni në histori dhe kujtoni të kaluarën, kujtoni dhe mendoni për të ardhmen, sepse vota është e shenjtë, nga ajo mvaret një ardhmëri, një ditë e re që ju do të vendosni a do të jetë me diell e ditë e frytshme apo ditë e kthyer në natë e mbuluar nga errësira e terri. Një votë do të caktoj mbi jetën e fëmijve tuaj, mbi jetën tuaj. Andaj mendoni dhe veproni! Para se të votoni mendoni për gjaqet e derdhura, për të kaluarën që ka lënë gjurmë të cilat do të mbesin deri në pafundësi, gjurmë të cilat kur kujtohen të bëjnë të derdhish lot. Vota nuk është një vend pune, nuk është një shumë e vogël parash e as “Hajtë se nuk prish punë vota ime, do t’ia jap kujt të jetë”, por është një grusht gjaku i derdhur me shekuj për të lindur dielli që deri sot rri i fshehur në këto treva për shqiptarët.