Ilustrim, Lumi i Cemit

Unioni Demokratik i Shqiptarëve-Dega e Malësisë nëpërmes Kryetarit të Klubit të Këshilltarëve të Unionit Demokratik të Shqiptarëve-Dega e Malësisë ka dalur me një kumtesë për opinion ë lidhje me shembjen e shkëmbinjve gjatë punimeve përgjatë kanionit të lumit Cem në rrugën Dinoshë – Cem i Trieshit.

Më poshtë mund të lexoni të plotë këtë kumtesë.

Unioni Demokratik i Shqiptarëve-Dega e Malësisë kërkon nga të gjitha institucionet relevante të shpëtojnë atë që mund të shpëtohet dhe të reagojnë urgjentisht në lidhje me shembjen e shkëmbinjve gjatë punimeve përgjatë kanionit të lumit Cem në rrugën Dinoshë – Cem i Trieshit. Të gjitha nivelet kanë dështuar. Është pritur që pothuajse punimet ti afrohen fundit e pastaj dikush të reagojë në vend që të vëzhgohen punët në kontinuitet dhe të reagojnë në mënyrë që të ruhet kjo perlë jona.

Me iniciativën e Komunës urbane të Tuzit në vitin 2015, Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit bëri një studim të mbrojtjes për “Kanioni i Cemit – monument natyror” me qëllimin e përgjithshëm themelor të ruajtjes sa më shumë të elementeve të peizazhit autokton, apo diversitetit autokton biologjik, gjeografik dhe rajonal të zonës, për të cilën duhet përkushtim për të arritur një hapësirë ​​biologjike dhe vizualisht më të vlefshme, si dhe një zonë më të valorizuar. Objektivat specifikë të Studimit kanë përfshirë mbrojtjen dhe përmirësimin e të gjitha potencialeve të identifikuara natyrore dhe kulturore të zonës; uljen e efekteve negative të presioneve të zhvillimit në rajon përmes ruajtjes dhe zhvillimit sa më të gjerë të strukturës ekzistuese; ruajtja dhe përmirësimi i ekosistemeve ekzistuese në përputhje me parimet e planifikimit ekologjik të peizazheve; dhe marrjen e masave të nevojshme për të eleminuar dëmtimet e mundshme dhe ndikimet negative në peizazh (vizualisht, biologjikisht e të ngjajshme).
Gjithashtu, me iniciativën e Komunës urbane të Tuzit, në nëntor 2017, kryeqyteti Podgorica shpalli kanionin e lumit Cem Monument të Natyrës i cili është qendra e florës dhe faunës endemike në Mal të Zi.

Dua të përmend që në kanionin e lumit Cem janë regjistruar 813 lloje bimësh (një e treta e florës totale të Malit të Zi). Nga ai numër, rreth 300 bimë janë mjaltëdhënëse, dhe më shumë se 60 janë endemike për Dinaridet Juglindore dhe Gadishullin Ballkanik, si dhe 50 lloje reliktesh. Përfaqësohen gjithashtu 24 specie të mbrojtura dhe 50 specie të mundshme për mbrojtje. Kanioni i lumit Cem është gjithashtu me një rëndësi të madhe ornitologjike, dhe në vetë kanionin ka një numër të madh peshqish, zvarranikësh dhe amfibësh, gjitarë dhe jovertebrorë. Lumi Cem me peizazhin përreth kanionit është një zonë me një bukuri të jashtëzakonshme. Përgjatë rrjedhës së lumit ka disa plazhe që janë vënde të preferuara sidomos gjatë stinës së verës për vendasit dhe banorët e Podgoricës.

Fatkeqësisht, duke marrë parasysh faktet e lartëpërmëndura, ekziston edhe shfrytëzimi i pakontrolluar i zhavorrit dhe rërës, i cili ndikon drejtpërdrejt në habitatet e peshkut, cilësinë e ujit, zonat e rrezikuara të plazheve, si dhe degradimin e substrateve natyrore.

Si anëtar i Asamblesë Komunale të Tuzit, paralajmërova disa herë dhe kërkova publikisht një reagim në lidhje me lumin Cem. Potencova që komuna duhej dhe duhet të bëjë më shumë për të shpëtuar perlën e komunës së Tuzit.

Ne ju bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të reagojnë urgjentisht dhe të marrin masat e nevojshme që të mbrojnë këtë zonë me vlera të jashtëzakonshme natyrore.

Z. Enis Gjokaj
Kryetar i Klubit të Këshilltarëve të Unionit Demokratik të Shqiptarëve-Dega e Malësisë

By admini