Nga Qani Osmani
Partitë politike në SHBA qysh në fillim duhet të theksohet se dallojnë në shumëçka nga partitë politike të kontinentit të vjetër. Në SHBA mbi 100 vjet pushtetin shtetëror me ndërrime e ushtrojnë vetëm dy parti politike: Partia Demokratike dhe Partia Republikane. Kjo nuk do të thotë se kohë pas kohe nuk është paraqitur edhe ndonjë parti tjetër, por së paku deri më sot asnjë parti e tretë nuk ia ka arritur qëllimit që t’ua rrezikojë pozitën monopoliste dy partive të lartpërmendura. Partitë politike në SHBA kanë shumë ngjashmëri, saqë disa analistë thonë se këto i ngjasojnë njëra-tjetrës si “veza-vezës” ose janë si motra bineqe.
Të dy partitë politike në SHBA mburren me traditën shumëvjeçare dhe historikun e tyre, edhe pse nuk janë të përfshira në të vetmen kushtetutë të SHBA-ve, të sjellur në vitin 1787. Partitë politike në këtë vend u paraqitën më vonë, pas sjelljes së aktit më të lartë juridik. Ndërsa siç është e njohur, kushtetuta e SHBA-ve prej sjelljes së saj ka pësuar ndryshime shumë të vogla, sepse amerikanët këtë aktë juridik e llogarisin si gjithëpërfshirës. Ç’është e vërteta, përpiluesit e kushtetutës së SHBA-ve kanë qenë në njëfar mënyre të bindur se sistemi politik mund të funksionojë aq gjatë derisa nuk paraqiten fraksione, respektivisht, grupacione politike me interesa të veçanta.
Partia Demokratike e SHBA-ve konsiderohet si paraardhëse e ideve të Medisonit, Xhefersonit dhe Xheksonit, ndërsa Partia Republikane si paraardhëse e ideve të Hamiltonit dhe Linkolnit, i cili konsiderohet edhe si themelues i saj.
Në SHBA në shekullin XVIII, ekzistonin dy grupacione politike, Federalistët të udhëhequr nga Hamiltoni dhe Kundërfederalistët të udhëhequr nga Medisoni dhe xhefersoni. Federalistët paraqisnin grupacion politik që i mbronte interesat e industrialistëve, kapitalin tregtar dhe financiar, ndërsa Kundërfederalistët i mbronin interesat e pronarëve të vegjël dhe të mesëm të tokave dhe shtresave tjera të mesme.
Domethënë pas kushtetutës së vitit 1787 në SHBA lindën Partia Federaliste dhe Republikane. Republikanët të udhëhequr nga Xhefersoni ishin në pushtet në periudhën ndërmjet viteve 1800-1824. Në katër vitet e ardhshme për kryetar shteti u zgjodh Quiney Adams i cili i përfaqsonte idetë e Hamiltonit për një pushtet federativ të fuqishëm. Në ate periudhë erdhi deri te shpërbërja e republikanëve, por, në të njejtën kohë u paraqit një figurë e re politike e cila në njëfarë mënyre mund të konsiderohet si themeluese e Partisë së sotme Demokratike. Është fjala për Andrew Jacksonin i cili e themeloi partinë “Neojefferson”, që e pagëzoi si Partia Republikane Demokratike. Ajo në të vërtet është Partia e sotme Demokratike.
Kjo parti e ushtroi pushtetin në SHBA prej vitit 1828 kur Jacksoni i fitoi zgjedhjet presidenciale e deri në fillimin e luftës qytetare. Përpjekjet e disa partive herë pas here në skenën politike të SHBA-ve vepronin si të bashkuara, nuk kishin mundësi që seriozisht t’i rrezikojnë pozicionet e Partisë Demokratike. Në vitin 1885 Linkoln e themeloi partinë e re, që e quajti Partia Republikane. Kjo parti në fushatën zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të vitit 1860 haptazi u deklarua kundër robërisë. Falë këtij qëndrimi dhe përçarjeve që u paraqitën në rradhët e Partisë Demikratike, Linkolni i fitoi zgjedhjet. Megjithatë, kjo fitore solli deri te lufta qytetare ndërmjet Veriut dhe Jugut, por edhe deri te sistemi dypartiak i cili me sukses funksionon edhe në ditët e sotme.
Pra, këto dy parti politike gjatë tërë kësaj periudhe kohore, herë njëra e herë tjetra qeverisin si me organet federative ashtu edhe me organet e veçanta. Në literaturën amerikane theksohet se prej viteve tridhjetë të shekullit XIX, do të thotë prej kohës së Xheksonit, seriozisht fillon të funksionojë sistemi partiak në SHBA.
Partia Republikane pothuajse pandërprerë qeverisi gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe në tre dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX. Periudha prej vitit 1932 e këndej mund të llogaritet si periudhë e qeverisjes së Partisë Demokratike, nënkuptohet me ndërprerje të caktuara.
Në funksionimin e jetës partiake në SHBA ndikim mjaft të madh pati zgjerimi i të drejtës së votës. Fillimisht numri i votuesve ishte mjaft i vogël. E drejta aktive dhe pasive e votës ishte e kufizuar në shtresat e qytetarëve të pasur. Më vonë zhvillimi i hovshëm ekonomik dhe rrethanat tjera, siç ishin bashkangjitja e territoreve të reja, ndryshimi i strukturës sociale të popullsisë, migrimit etj, ndikuan që jeta partiake në SHBA t’i marrë performansat e duhura.
20 prill, 2020