Nga Qani Osmani
Karizma si art i magnetizmit personal është një term i rëndësishëm në sferën e sociologjisë, psikologjisë, dhe të shkencave konjitive, që ndërlidhet edhe me mbiemrin karizmatik, me shprehjet prijës karizmatik, lider karizmatik i biznesit, yll muzikor karizmatik në skenë, sportist karizmatik etj. Karizma i bën zotëruesit e saj të duhen nga të tjerët, të besohen dhe të kërkohen për të prirë. Njerëzit karizmatik ndikojnë botën, qoftë nëse nisin projekt të ri, kompani të re ose perandori të re.
Karizma, si tipar dallues në lidership, veçon aftësinë për të frymëzuar ndjekësit. Po t’i referohemi historisë do të vërejmë se falë karizmës personale shumë figura historik i përcillnin aq shumë emocion ndjekësve të tyre sa këta të fundit flijoheshin në emër të kauzës që gjithmon lideri karizmatik e ndërton dhe përcjell në formën më depërtuese dhe emotive.Është pranuar se karizma përmbledh një talent të veçantë ndër njerëz të caktuar, që dallojnë nga turma falë një autenticiteti spikatës që i bën tërheqës në maksimum dhe falë kësaj ata kanë aftësinë maksimale të përcjellin besim dhe frymëzom tek kushdo që e rrethon.
Për karizmën studimin e parë të mirëfilltë metodik e ka kryer sociologu gjerman Max Weber. Duke ju referuar konceptit grek “xarisma” , si një dhuratë apo favor që Zoti i fal disa njerëzve. Sipas Weberit karizma duhet kuptuar si një cilësi e veçantë, dhuratë nga Zoti për njerëz të veçantë. Ai më tutje argumentoi se karizma shoqërohet nga një cilësi mistike që në fakt i jep liderit fuqinë të mbledhë rreth vetes njerëzit. Sipas tij “Karizma është tipar personaliteti dhe gjendet ndër individë të caktuar. Është një vlerë në personalitet që i jep individit një fuqi frymëzuese, superhumane dhe supernatyrore”.
Karizma-shenjon aftësinë për t’i tërhequr, për t’i mahnitur dhe për të ndikuar te njerëzit përreth dhe më gjërë, përshkruan cilësi misterioze, veçori të jashtëzakonshme që besohet se janë të bashkëlindura dhe që një njeri e dallojnë nga të tjerët. Pra, karizma është forcë tërheqëse ose joshje speciale e një personi që ngjall besueshmëri të veçant popullore ose entuziazëm për një figurë publike. Karizmatikët kanë vetëbesim, optimizëm, gjuhë ekspresive, zë pasionant. Ata janë dëgjues të mirë dhe mbajnë kontaktin me sy në ndërveprimet ballë për ballë. Ata janë entuziastë dhe flasin bindshëm.
Përveç mendimit se është e bashkëlindur, se atë ose e ke ose s’e ke dhe s’mund të mësohet apo të fitohet, ekziston edhe mendimi tjetër, se karizma arrihet, zhvillohet, përmes praktikës së vetëdijshme. Madje ka të atillë që “ligjerojnë dhe ua mësojnë njerëzve karizmën”. Shumë figura karizmatike kanë punuar fortë për të ndërtuar karizmën e vet, duke e forcuar atë hap pas hapi. Për shembull Steve Jobs, CEO i Apple, në prezentimet e para ka qenë shumë i turpërueshëm, i ngathët dhe i mërzitshëm, por me kalimin e kohës prezantimet e tij publike ndryshuan tepër, u bë yll.
Sipas Robert House liderët karizmatik i bëjnë ndjekësit të jenë fort të përkushtuar ndaj misionit të liderit, të bëjnë sakrifica personale për të dhe të sillen përtej thirrjes së detyrës. Personat e kësaj kategorie janë më me ndikim, më bindës dhe më frymëzues. Në kontekstin fetar, besimtarët i cilësojnë figurat e tyre fetare si “njerëz me perfeksion të lartë, me karizmë speciale”, me dhunti hyjnore. Këtë kuptim ia ka dhënë edhe Max Weberi në veprën e tij Teoria e organizimit shoqëror dhe ekonomik: “Karizma është një cilësi e caktuar e një personaliteti në bazë të virtytit përmes të cilit ai dallohet nga njerëzit e rëndomtë dhe trajtohet si i pajisur me mbinatyroren, mbinjerëzoren ose së paku nga fuqi ose kualitete të jashtëzakonshme. Të njëjtat janë të paarritshme për personat ordinerë, shihen si me orrigjinë hyjnore ose si shembullore dhe në bazë të tyre individi konsiderohet si lider”.
Sipas disa autorëve liderët karizmatik më tepër lindin në shoqëri me demokraci të pazhvilluar sa duhet, në shoqëritë ku ka çrregullime e kaos. Historia shënon liderë karizmatikë konstruktiv, që kanë kontribuar në zhvillimin e institucioneve dhe të shoqërisë dhe destruktivë, që janë shënuar me të bëmat e tyre negative për vendin dhe njerëzimin, si Hitleri, Stalini etj. Dijetarët kanë shënuar edhe profilin e karizmës së bamirsisë. Është për tu theksuar se disa njerëz karizmën e fitojnë pasi të vdesin.
Për karizmën lirishtë mund të themi se ka impakt të rëndësishëm social. Në këtë drejtim tregtarët karizmatik shesin më shpejt dhe më tepër, artisti karizmatik fiton më shumë, profesori karizmatik ka më tepër simpati te nxënësit dhe studentët, sportisti karizmatik e bën botën për vete…Lista e karizmatikëve gjatë historisë është tepër e gjatë. Do t’i përmendim disa: Leka i Madh, Napoleoni, Churchill, Ajnshtajni, Martin Luther King, Ataturku, Elvis Presley, Kennedi, Muhammed Ali, Chegevara, Castro, Mandela, Arafat, Rugova, Zidane etj.
Si përfundim, mund të themi se karizmatikët janë vizionarët që shohin larg, që marrin rrezik, që përveshin mëngët për ndryshime rrënjësore, që bëjnë veprime të jashtëzakonshme, që iu japin një ngjyrë të veçantë rrjedhave shoqërore. Ata janë heronjtë e romanit të kohës dhe jetës. Gjithashtu ata kanë aftësinë t’i shfaqin idetë dhe bindjet e tyre me një lehtësi të konsiderueshme si dhe janë ndër të parët që marrin flamurin kur momenti kërkon një kundërshtim apo rebelim ndaj tradicionales apo autoritarizmit. Në përgjithësi të gjithë liderët karizmatikë kanë aftësi shumë të larta oratorike, dhe dinë shumë mirë të përcjellin mesazhe me gjuhën e trupit. Kanë bujari të dukshme si dhe një aftësi për të mos u shqetësuar aspak nga konfliktet e brendshme.