Nga Frank Shkreli
Media të ndryshme njoftuan të mërkurën se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka shprehur gatishmërinë e saj për të ndërmjetësuar në dialogun politik me qëllim për të tejkaluar krizën që prej disa muajsh tani ka paralizuar Shqipërinë. Nuk është e qartë nëse palët shqiptare do të pranojnë një gjë të tillë, por cilado që do të jetë përgjigja e tyre ndaj kësaj oferte nga OSBE-ja, mbetet për tu parë se cili do të jetë përfundimi. Por ajo që mbetet e paqartë është fakti se cili do të jetë efekti i mos zgjidhjes së konflikteve të mbrendshme të klasës politike shqiptare me marrjen se Kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria, ashtu siç pritet, vitin që vjen.
Do të jetë shumë e vështirë dhe do të kërkojë aftësi të jashtëzakonshe diplomatike për Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë që të mbrojë dhe të arsyetojë, jo vetëm gjëndjen konfliktuale politike që ka pllakosur vendin por edhe situatën dhe problemet e përgjithshme në Shqipëri, përfshirë ndër të tjera korrupsionin, lirinë e fjalës dhe të medias– me objektivat të cilat Shqipëria ka ofruar–dhe për realizimin e të cilave është zotuar të punojë si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020. Se si do të pajtojë Shqipëria gjëndjen e krijuar në vend me standardet e OSBE-s dhe me prioritet që ka paraqitur Tirana për Kryesinë e saj në OSBE vitin që vjen, është e vështirë të parashikohet, me përjashtim të ndonjë mundësie ose më mirë të themi mrekullie, që në Shqipëri të tejkalohet ngërçi politik aktual.
Shqipëria merr
Kryesinë e OSBE-së nga Sllovakia më 1 Janar, 2020. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj
ka premtuar
se Shqipëria do të ofrojë një, “Kryesi aktive, efektive dhe të fuqishme” në
OSBE, në vitin 2020! Në fillim të korrikut, Ministri shqiptar
paraqiti para Këshillit të Përherëshëm të OSBE-së në Vjenë disa prej prioriteve
më të rëndësishme të vendit të tij, në kapacititetin e Kryetarit të OSBE-së për
vitin 2020. Sipas portalit të Ministrisë së Jashtme
shqiptare, Gent Cakaj është angazhuar se, thënë në mënyrë të përgjithshme,
Kryesia Shqiptare për vitin 2020 do të përqëndrohet në këto përparësi:
“a) dimensionin politiko-ushtarak:
Parandalimi dhe zgjidhja e konflikteve në përgjithësi; vëmendje e veçantë do
t’i kushtohet krizës në dhe përreth Ukrainës, trajtimi i mëtejmë i konfliktit
në Nagorno-Karabakh, adresimit të pasojave të konfliktit në Gjeorgji dhe
vazhdimit të Procesit të Negociimit për Transdniestrian;
Fuqizimi i rolit të gruas në proceset e paqes, në kuadër të Rezolutës 1325 të
Këshillit të Sigurimit të OKB-së; adresimi i rreziqeve transnacionale, nga
lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm deri tek siguria kibernetike; lufta
kundër të gjitha formave të trafikimit, veçanërisht trafikimit të qenieve
njerëzore;
b) dimensionin ekonomiko-mjedisor:
Lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i mirëqeverisjes në shërbim të
zhvillimit të përgjithshëm; ruajtja e mjedisit prej krimeve transnacionale;
stimulimi i balancës midis pastërtisë mjedisore dhe politikave zhvillimore;
c) dimensionin njerëzor dhe të lirive themelore:
Promovimi i tolerancës dhe mosdiskriminimit në të gjithë hapësirën e OSBE-së;
afirmimi i universalitetit të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Në fund, vlen të theksohet se rinia do të
jetë prioriteti ndër-dimensional i Kryesisë Shqiptare dhe do të ketë rol
qëndror në angazhimet e saj”, është zotuar në emër të qeverisë së tij, Ministri
Genc Cakaj.
Janë objektiva me vend këto dhe në përputhje me objektivat dhe standardet ndërkombëtare, por jo gjithmonë në përputhje me zbatimin e këtyre të drejtave mbrenda Shqipërisë.
(USOSCE/Gower)
Jo më larg se dje ditën e mërkurë, në një kronikë të veçantë, Zëri i Amerikës njoftoi se në Shqipëri komuniteti i gazetarëve, shoqatat që mbrojnë të drejtat e tyre dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) po kundërshtojnë me forcë projektin e qeverisë Rama për shpifjen, një projekt plan që dhunon lirinë e fjalës, sipas ekspertëve vendorë dhe të huaj. Sipas Zërit të Amerikës, kritikat kryesore lidhen me atributet e reja të Autoritetit të mediave audiovizive, që merr rolin e gjykatës. Siç dihet një ndër shtyllat kryesore të lirive bazë të njeriut që mbron dhe promovon OSBE-ja, është pikërisht liria e shtypit.
Mbetet për tu pa si do të mbrojë dhe të promovojë lirinë e shtypit Shqipëria, në kapacitetin e saj si kryetare e OSBE-së, ndërkohë që vet OSBE-ja dhe gazetarët shqiptarë shprehën shqetësimiet e tyre serioze me planet aktuale të qeverisë Rama – jo për të promovuar dhe për të mbrojtur lirinë e medias, që është një ndër misionet prioritare të këtij enti ndërkombëtar –por për të forcuar edhe më shumë kontrollin e saj mbi të drejtën e ushtrimit të fjalës së lirë.
Kjo është një sfidë e madhe për diplomatët shqiptarë, por jo e vetmja. Ministri Cakaj u zotua, në Vjenë në fillim të Korrikut se ndër të tjera, Shqipëria si kryetare OSBE-s, do të angazhohet edhe për “parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve”. Mori përsipër se do të “luftojë korrupsionin”, se do të angazhohet për “dimensionin njerëzor dhe të lirive themelore”, për “promovimin e tolerancës dhe mosdiskriminimit në të gjithë hapësirën e OSBE-së” dhe “për afirmimin e universalitetit të drejtave të njeriut dhe lirive themelore”dhe se “Rinia do të jetë prioriteti ndër-dimensional i Kryesisë Shqiptare”, ka thekësuar kryediplomati shqiptar në Vjenë. Vlera dhe objektiva fisnike këto kur merren seriozisht!
Pasi Shqipëria përballet me shumicën e këtyre sfidave në vendin e vet, ndërkohë që, fatkeqsisht, nuk ka treguar asnjë mundësi as vullnet për tu marrë me këto probleme në nivel kombëtar, do të jetë e vështirë që Tirana zyrtare të bind vendet anëtare se Shqipëria do të ketë besueshmërinë e nevojshme për tu marrë me zgjidhjen e këtyre sfidave në nivel ndërkombëtar të zonës së OSBE-së, për të ofruar zgjidhje të tyre, ndërkohë që nuk është e aftë të merret me to në shtëpi të vet. Për më tepër, sidomos kur nuk tregon asnjë vullnet të mirë e serioz për tu marrë me këto çështje, në rend të parë. Zgjidhja e konflikteve do të jetë gjoja në krye të prioriteteve të Shqipërisë si kryetar e OSBE-së. Është konflikti i mbrendshëm dhe mungesa e tolerancës në Shqipëri që po pengon gjithçka, e dikush mund të pyes kur s’je për vedin si mund të jesh për të tjerët!
Unë dëshiroj ta shoh Shqipërinë të parën kudo dhe kurdoherë, sidomos në fushën ndërkombëtare. Si rrejdhim, është kënaqësi për ta parë Shqipërinë si kryetare të OSBE-së. Shpresojmë që për arsye të konflikteve të mbrendshme dhe të problemeve të tjera me të cilat përballet sot Shqipëria, përfshirë lirinë e medias, korrupsionin dhe keq qeverisjen –Shqipërisë të mos i mohohet Kryesia e OSBE-së. Por, jam i sigurt se asaj do ti nevojiten aftësi të mëdha diplomatike të llojit të Kissingerit, për të bindë OSBE-në për seriozitetin dhe vullnetin e saj për tu marrë me këto çështje, pikëspari në vendin e vet e pastaj edhe në vendet e OSBE-së. Ministri Cakaj ka siguruar Këshillin e Përherëshëm të OSBE-s në Vjenë se, “Demokracia e Shqipërisë është e aftë për t’u përballur me sfida të tilla”.
Diplomacisë Shqiptare i uroj sukses drejtë këtij qëllimi, por mbetet për tu parë në të ardhmen nëse Shqipëria do t’i ketë aftësitë diplomatike dhe besueshmërinë e nevoejshme të vendeve anëtare që të dalë me sukses për herë të parë, në krye të një detyre të lartë në nivel ndërkombëtar, siç është Kryesia e OSBE-së.
Frank Shkreli