Aty ku flet shqip toka dhe qielli, guri dhe druri.
Nga AZGAN HAKLAJ
Refleksion në 30- vjetorin e SHKA Maja e Karafilit Plavë-Guci.
Plava dhe Gucia, 2 hirushet e trojeve tona etnike përkunden prej mijra
vjeçarësh në djepin e legjendave.
Aty Lahuta e lashtë iliriane me tingujt
kumbues dhe vajtimtar përjetëson simbolet e pavdekshme të historisë shqiptare,
Teutën dhe Gentin, Gjergj Kastriotin e Oso Kukën, Ali Pashë Gucinë e Jakup
Ferrin.
Në këto troje kreshnikësh me dragoj e zana, me mite e legjenda që
vijnë nga kohët e vjetra pellazgo-iliro- arbërore ora e shqiptarisë rrin zgjuar
e shqipet krenare patrullojnë qiejt e maleve që ngrihen përmbi re.
Plava e
Gucia nuk janë vetëm kryevepra të qendresës kombëtare për liri.
Ato janë dy
perla të bukurive shqiptare e treva ku është kultivuar në shekuj një pasuri
mahnitëse etnokulturore.
Folklori, kënga e vallja shqipe, koloriti i veshjeve
popullore janë ruajtur si askund tjetër duke i rezistuar rrebeshit të shekujve
dhe hordhive barbare të cilat erdhën në këtë tokë të bekuar si
pushtues.
Eshtë kjo arsyeja, ky detyrim sublim ndaj të parëve tanë, ndaj
Atdheut, historisë e kulturës së tij, që i ka frymëzuar djemt e vajzat, burrat
dhe gratë e Plavë- Gucisë të ruajnë, kultivojnë e promovojnë këtë thesar të
çmuar të kulturës shqiptare, të cilën e trashëguan nga të parët e tyre si një
Testament të Shenjtë.
Artistët virtuozë të Plavë-Gucisë ka tre dekada që kanë
themeluar Shoqërinë Kulturore Maja e Karafilit, duke e kthyer në traditë të
përvitshme shpalosjen e folkut të rrallë të këngës dhe valles shqipe përmes dy
aktiviteteve në të cilat marrin pjesë qindra artistë nga trojet tona etnike me
emrat kuptimplotë;
“Mirë se vini në Alpe” për më shumë se dy dekada dhe
Festivalin “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon” tre edicione.
Në ditët e
këtyre aktiviteteve Plava e Gucia shnderrohen natyrshëm e me plot meritë në
kryeqytet të kulturës tonë kombëtare.
SHKA Maja e Karafilit ka marrë pjesë në
të gjitha festivalet kombëtare, koncertet, tematiko- patriotike të organizuara
në të gjitha trojet arbërore nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i
Urdhrit të Skenderbeut” si dhe në shumë evenimente kombëtare në mbarë hapsirën
etnike, ku është vlerësuar me çmime të ndryshme.
Në Plavë- Guci flet shqip
toka dhe qielli, guri dhe druri.
Në këtë Eden të Parajses shqiptare,
jeton
në shekuj legjenda e Gjon Bales, djaloshit me bukuri qiellore të dashuruar me
zanat, të cilat i dhanë forcë për të ngritur një gur 1000 okësh në majë të
shkëmbit dhe trimëritë e Jakup Ferrit dhe Ali Pashë Gucisë në gurrat e të cilit
rrjedh uji i ftohtë e i pastër si kristali.
Në betejat e epike të Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit burrat dragoj të Plavë- Gucisë zbritën ashtu si Gjergj
Kastrioti duke e shnderruar mejdanin në log zanash e varr për armikun siç
shprehet aq bukur kënga popullore për kryetrimin Jakup Ferri:
“Me të kallzue
ty nanë të vjen seri (çudi)
30 krena i ka pre një njeri
N’ja lypsh emnin
Jakup Ferri”.
3000 vjet më parë Akili para se të nisej për në Luftën e Trojës
u këshillua me nënën e tij.
Ajo zbuloi profecinë se po të shkonte në betejë
do të vritej por do të mbulohej me lavdi të përjetshme.
Ashtu si stergjyshi i
tyre legjendar djemt trima të kësaj treve kreshnikësh nuk u menduan dy herë e
fluturuan si dragoj në zjarrin e betejave për liri ku i thirri zëri i
Atdheut.
Në kullat epike të Plavë- Gucisë rrinë krahas jatagani, lahuta,
çiftelia dhe grykëholla (pushka).
Sot jetojmë në një kohë paqje e kjo falë
NATOS, aleancës e njëherësh gardianes së lirisë dhe BE, Shtepisë sonë të
përbashkët.
Eshtë koha të demonstrojmë përpara botës vlerat tona të vjetra e
të shquara kulturore e qytetare e SHKA Maja e Karafilit ka treguar prej dekadash
se e kryen më se miri këtë mision nën moton:
“Një Komb- një kulturë, një
gjuhë një flamur, një Atdhe”.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i
Urdhrit të Skenderbeut” në logon e të cilit është flamuri i Gjergj Kastriotit e
konsideron Shoqërinë Kulturore Maja e Karafilit sëbashku me Treven e
Plavë-Gucisë si një krah të Shqipes Arbërore.
Papa Françesku me gjak
shqiptari tha në vizitën e tij në Tiranë :
“Shqiponja, simbol i Flamurit të
Atdheut tuaj është shpend i lartësive por nuk e harron folenë.
Fluturoni
lart”.
Sëbashku do të fluturojmë lart për të veshtruar nga qielli madhështinë
e Tokës Arbnore.