Ditën e Dielë, datë 12.05.2019, në hotelin Mediteran në Ulqin,
Instituti IDEA në bashkëpunim me komunën e Ulqinit realizoi konferencën me titull:
“Ta ruajmë harmoninë ndërfetare”, ku mblodhi figura të ndryshme të jetës
politike, deputetë, përfaqësues të pushtetit lokal dhe të institutcioneve tjera
në vend, prijësa fetarë, si dhe të shoqërisë civile.
Të ftuarit në panel ishin prijësat e tri komuniteteve
fetare të Shkodrës. Kisha Ortodokse, me në krye Atë Nikolla Petani, famullitar
i Kishës Ortodokse Shkodër; Kisha Katolike – Imzot Angelo Massafra, arqipeshkv
Shkodër i shoqëruar me Fr. Landi Jaku ofm përgjegjës i zyrës së Ekumenizmit dhe
Marrëdhënieve Ndërfetare për dioqezën Shkodër -Pult; si dhe Myftinia Shkodër,
ku i ftuar në këtë panel do të ishte Imam Muhamed Sytari, por në pamundësi që
të marr pjesë personalisht, dërgoi përfaqësuesin e Myftinisë Shkodër, H. Fejzi
Zoganjorin si dhe sekretarin e myftinisë teologon Lavdrim Hamja i cili lexoi
kumtesën e Myftiut të Zonës Shkodër.
Tubimi kishte për qëllim temën e ruajtjës së harmonisë
fetare si vlerë e cila duhet kultivuar me kujdes sidomos në këto kohë të
trazirave globale. Herën e kaluar të konferencës sonë ishin të ftuar prijësat e
bashkësive fetare të komunës së Ulqinit, ndërsa kësaj radhë bordi drejtues i
Institutit IDEA, përzgjodhi që të ftuarit të ishin prijësat e tri bashkësive
fetare të Shkodrës, duke na ofruar mesazhet e tyre të bashkëjetesës dhe
harmonisë fetare të Shkodrës, si djepi i kësaj harmonie.
Në emër të Komunës së Ulqinit, fjalën përshëndetëse e
mbajti nënkryetarja e komunës së Ulqinit, Hadixha Gjoni. Gjithashtu organizimin
e tubimit e përshëndetën edhe pjesmarrësit tjerë.
Pas konferencës u shtrua Sofra e Iftarit, “Sofra e
Harmonisë Ndërfetare” në restorantin IDEA në Ulqin. Sofra e iftarit u përcoll
me mesazhe pozitive nga tre komunitetet e lartpërmendura.
Këtë aktivitet e percollën mediat loKale si dhe ato
nga rajoni, si, RTK e Kosovës si dhe Zëri i Amerikës.