Nga Frank Shkreli
“Kjo është koha për të realizuar premtimin e demokracisë”.
Ky vit shënon 50-vjetorin e vdekjes së Martin Luther Kingut, i vrarë në një hotel në qytetin Memfis të shtetit Tenesi në vitin 1968. Martin Luther King-u ishte një prift protestan i sektit Baptist dhe njëkohësisht edhe aktivist i të drejtave civile, i njohur në Amerikë dhe në botë si zëdhënsi dhe udhëheqësi më i njohur i lëvizjes për promovimin e të drejtave bazë të njeriut, nepërmjet protestës paqësore dhe mosbindjes civile. Ai i bazonte taktikat e tija të rezistencës paqësore në besimin e tij të krishtër, ndërkohë që gjente frymëzim edhe nga aktivizmi paqësor i Mahatma Gandhi-t.
Ishte kjo një lëvizje — protestash paqësore, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara – e që kishin për qëllim zhdukjen e diskriminimeve ndaj afrikano-amerikanëve, në pothuaj të gjitha nivelet e qeverisjes federale dhe shtetërore dhe jo vetëm. Ishte një përpjekje e Martin Luther Kingut, si udhëheqsi kryesor i kësaj lëvizjeje, që nepërmjet protestave paqësore të lloj-llojshme, t’i jepte shpresë dhe më në fund të siguronte pasuesit dhe mbështetsit e Lëvizjes së tij – si të bardhë ashtu edhe afrikano-amerikanë — për mundësinë e një trajtimi të barabartë për të gjithë, me qëllim për të marrë pjesë në të ashtuquajturën, “ëndërrë amerikane”, pa dallime racore, fetare ose origjine etnike.
Ajo periudhë cilësohet si një periudhë shprese biblike e Martin Luter Kingut, shpresë që pothuaj askush nuk mund t’a parashikonte – ndoshta as vet Martin Luter King-u — se një ditë ajo do të bëhej realitet. I gjithë aktivizmi i Doktor Martin Luther King-ut në mbrojtje të drejtësisë, të lirisë dhe të drejtave të barabarta për të gjithë, vazhdon edhe sot të jetë një thirrje tepër aktuale këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës. Është kjo një kujtesë në këtë 50-vjetor të vdekjes së tij që mban të gjallë shpresën, se e mira do ta mundë të keqen – fjalë të shqiptuara këto nga goja e këtij predikatori baptist protestan, por edhe e një udhëheqsi moral kombëtar, i cili tani me të drejtë e ka monumentin e tij ball për ball me monumentet e themeluesve dhe baballarëve më të rëndësishëm të kombit amerikan, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington. Ky është një testament historik që kombi amerikan kujton Martin Luther Kingun, jo vetëm në këtë 50-vjetor të vdekjes së tij, por edhe çdo vit tjetër në ditën e festës federale kushtuar këtij udhëheqsi të madh amerikan të të drejtave civile.
Kujtimi i tij në këtë përvjetor, na sjell në mend gjithë neve që jetojmë në Shtetet e Bashkuara, se si shoqëri dhe si shtet, Amerika nuk ka qenë dhe nuk është një shoqëri e përsosur, pa probleme ekonomike, politike, etnike, raciale e tjera.
Përkundrazi, edhe këtu vazhdojmë të përballemi me probleme. Por jemi të vet-dijshëm se ajo që e dallon Amerikën nga shumica e vendeve të tjera, ashtu siç ka thënë në një fjalim edhe ish-Presidenti i parë afrikano-amerikan, Z. Barak Obama, “Është angazhimi dhe mbështeja e këtij vendi ndaj disa vlerave universale që na e bëjnë të mundur të korrektojmë të metat dhe mangësitë tona, duke u përmirësuar gjithnjë si shoqëri dhe si rrjedhim, duke u bërë më të fortë. Liria e fjalës dhe e drejta për të protestuar ka bërë të mundur që femërat dhe pakicat, të demonstrojnë në favor të të drejtave të plota dhe të barabarta për të gjithë, në një kohë kur atyre u janë mohohuar këto të drejta.” Presidenti Obama ka thekësuar me atë rast se protestat paqësore për, “Zbatimin e ligjit dhe administrimin e drejtësisë, kanë rrëzuar monopolet dhe forcat politike të korruptuara dhe i kanë dhënë fund abuzimit të pushtetit. Ndërkohë që media e lirë zbulon korrupsionin në të gjitha nivelet, përfshirë edhe entet qeveritare.”
Citimet dhe fjalimet e Martin Luther Kingu-t – si një trashëgimi e tij — megjithëse janë të një periudhe para më shumë se 50-vitesh, ato tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë biblike, jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese dhe shembull edhe për situata dhe protesta paqësore të popujve kudo në botë, pasi ai fliste për vlera dhe për të drejta universale të përbashkëta për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasyshë, racën, fenë ose origjinën etnike. Por koha, as demokracia nuk presin pafund për zgjidhjen e problemeve të cilës do shoqërie, është shprehur Dr. Martin Luther King-u në fjalimin e famëshëm që ka mbajtur në Katedralën Kombëtare të Uashingtonit, në mars të vitit 1968.
Ai ka folur për argumentat e disa personave të asaj kohe, të cilët ankoheshin se problemet nuk mund të zgjidheshin menjëherë, se duhej kohë, se koha në të vëtetë, do të shëronte të gjitha plagët, sipas tyre. “Koha”, ka thënë Martin Luther King, “Është një mit, e ky mit është se koha është neutrale, se ajo mund të përdoret për qëllime konstruktive, por edhe për qëllime shkatërruese.” Justifikimin, se koha do i sherojë të gjitha problemet, forcat e errëta, ka theksuar ai, e kanë përdorur më efektivisht, se forcat e vullnetit të mirë. Koha do ta tregojë, ka thënë ai se, “Do të duhet që ky brez, eventualisht, të pendohet për të bëmat e forcave të errëta — dhe jo vetëm për fjalët dhe veprat e dhunës së tyre — por edhe për heshtjen e tmershme dhe për qëndrimet indiferente të njerëzve vullnet mirë, të cilët rrijnë duarkryq”, përballë problemeve me të cilat ballafaqohet një shoqëri. “Pa një punë të rëndë dhe pa përpjekje të vazhdueshme nga njerzit e vullnetit të mirë, koha në vet-vete, bëhet aleate e ngushtë e forcave primitive të stagnimit shoqëror, politik dhe ekonomik, është shprehur King-uduke shtuar se koha për të vepruar është tani. “Kështuqë duhet të jemi bashkpuntorë të kohës duke qenë të vetdijshëm se koha është, gjithmonë, e përshtatëshme për të bërë mirë, për të bërë atë që duhet bërë”, për të mirën e përbashkët, është shprehur Martin Luther King.
“Nëqoftse njeriu nuk ka punë as të ardhura, ai nga ana tjetër nuk ka as jetë, as liri, as perspektivë dhe as mundësinë për të qenë i kënaqur”. Duke njoftuar protesta paqësore kundër diskriminimit në atë kohë në Amerikë, “Kemi ardhur në Uashington” — është shprehur Martin Luther King, në fjalimin e tij në Katedralën Kombëtare të kryeqytetit amerikan në vitin 1968 — “Për t’u angazhuar në një veprim dramatik paqësor, për t’u kujtuar të gjithëve hendekun e madh që ekziston midis premtimeve të bëra dhe mos-realizimit të premtimeve të dhëna. Për ta bërë të padukshmen, të dukshme”, ka theksuar ai, duke paralajmëruar se, “Asgjë nuk do të realizohet drejtë zgjidhjes së problemeve me të cilat përballet shoqëria, nëqoftse njerëzit vullnet mirë, rrijnë duarkryq, me shpresen se koha, eventualisht, do t’i zgjidhë problemet”.
Citimet dhe fjalimet e tija, megjithëse i përkasin një periudhe tjetër historike, tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë biblike, jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese edhe për situata protestuese të popujve kudo në botë. Martin Luther King-u fliste për vlera dhe të drejta universale të përbashkëta për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasysh racën, fenë ose origjinën etnike. E kujtojmë Doktor Martin Luther King-un në këtë 50-vjetor të vdekjes me disa nga thënjet e tija të famëshme – sidomos në lidhje me protestat paqësore kundër padrejtësive – e që janë aktuale edhe sot:
“Nëqoftse do të protestoni guximshëm, pa u trembur por me dinjitet, kur të shkruhet historia për brezat e ardhëshëm, historianët do të shënojnë në librat e historisë, se njëherë na jetonte një popull i madhërishëm, i cili futi një kuptim të ri të dinjitetit njërëzor, në rrjedhat e qytetërimit.”
“Ju lutem të jeni paqësorë. Ne besojmë në ligjshmëri. Ne nuk promovojmë as nuk mbështesim dhunën.”
“Është përgjegjësi morale që të mos përfillen ligjet e pa drejta”
“Në fund të fundit, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqëve tanë, por do mbajmë mend heshtjen e miqëve tanë.”
“Ne duhet të pranojmë një zhgënjim të kufizuar, por nuk guxojmë kurrë të humbasim shpresën për gjithmonë.”
“Terri nuk zhduk dot terrin; vetëm drita mund të bëjë një gjë të tillë. Urrejtja nuk zhduk dot urrejtjen; vetëm dashuria mund t’a bëjë këtë.”
“Jeta jonë fillon të marrë fund ditën që heshtim për gjërat e rëndësishme në jetë.”
“Padrejtësia kudo qoftë, është kërcënim për drejtësinë gjithkund tjetër.” Martin Luther King
Frank Shkreli