Pjesë nga shkrimi ”Shqiptarët e Malit të Zi, apelojnë mbi detin e trazuar të Evropës”, të botuar në bulevardnews
Nga Zyhni Beqiraj
Emigrimi shqiptarëve
Në kushtet e pushtimit malazez dhe reprezaljeve të ushtruara nga ana e tij, jo vetëm ulqinakët, por edhe banorë nga vise të tjera shqiptare në Malin e Zi, filluan të largohen e emigrojnë jo vetëm nga toka, por edhe nga deti e lumi Buna, me anijet pronë e tryre. Kryesisht, stacioni apo porti i parë dhe ma i afërt i tyre ishte qyteti Shkodrës dhe më pas Durrësi, për shkak të ushtrimit të profesionit të detarisë. Gjithashtu, fise të tëra ikën edhe drejt Turqisë dhe sot jetojnë atje në lagje të veçanta të populluara nga shqiptarët. Nga fundi shek XIX dhe fillimi i shekullit XX e ne vazhdim, në Durrës u strehuan rreth afro 90 fise apo trungje ulqinake, ku në shumicë prej sejcilit prej tyre kishte edhe 2 apo 3 familje, pra mbi 200 familje ulqinake. Tani sejcila prej këtyre familjeve është afro 10 fishuar dhe, kuptohet se sa i madh është numri i ulqinakëve që jetojnë në Durrës. Ndërsa në Shkodër, përveç ulqinakëve emigruan shqiptarë edhe nga viset e tjera shqiptare në Malin e Zi. Ulqinakët kur erdhën në Durrës apo në Shkodër, sollën jo vetëm kapitalet, por dhe traditat e tyre, sidomos atë më të vyeren, atë të detarisë. Ata sollën mbi 34 anije me një tonazh total 3000 ton dhe vlerë 2, 5 miljon Franga Ari. Ata sollën edhe kapitale të tjera, si ato financiare, me të cilat ndërtuan bizneset e tyre. Ulqinakët janë themeluesit e Flotës Detare Shqiptare si dhe të Kantjerit Detar të ndërtimit e riparimit të anijeve, pse jo edhe kontribues në konsolidimin e gjuetisë së peshkut, duke dhanë kontribute të pashoqe edhe në këtë sektor jetik. Nga mbi 70 trungje ulqinake kanë punuar në det rreth dhe mbi 170 detarë. Në krye të tyre Ahmet Kapidani që është dhe Komandanti i Parë i Flotës Ushtarake të Marinës Detare Shqiptare, në kohën e Mbretit Zog, Kap. Amet Luli etj, etj. Ata ndërtuan biznese nga më të ndyshmet, themeluan Shoqëri Aksionere në tregti, në spedicion, me kapitale të përbashkëta me firma të tjera jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Mbas luftës dhe me çlirimin e vendit, ata dhanë kontribute jo vetëm në detari dhe ndërtim anijesh, por dhe në ekonomi, transport hekurudhor, arsim, shëndetësi, industri kimike kryesisht, art, sport, në shërbime ndaj qytetarëve, pra në çdo fushë të jetës. Si një komunitet kompakt vlerash dhe virtytesh edhe pse të pa organizuar në shoqata, ata dhanë contribute të çmuara. Prej tyre ka patur përsonalitete me të cilat Durrësi është nderuar si: Heroi Popullit Mujo Ulqinaku, Aishe Stari Mj. Madhe, Kap. Ahmet Luli, Hysen Fani, Xhevdet Laze, Prof.As. Dr. Fuat Bilali, Hasan Ulqini, Ing Gani Gorana, Ing Hysni Peku, Mustafa Beqiraj, Burhan Truma, Ali Çinari, dr. Enver Kotorri, Sadete Mojushi-Çuçi etj. Janë disa ulqinakë që mbajnë titullin e lartë “Nderi i Qytetit” si Prof. As. Dr. Fuat Bilali, Heroi Punës Xhevdet Laze, Ing Gani Gorana, studiusi dhe shkrimtari Hasan Ulqini, ashtu si dy ulqinakë të nderuar Fuad Nimani dhe Gëzim Hajdinaga, mbajnë titullin “Qytetar Nderi” i Qytetit të Durrësit. Shumë të tjerë individualisht apo dhe si familje, mbajnë titullin “Mirënjohja e qytetit”. Në Durrës nuk ka një ulqinak që të jetë dënuar nga organet e diktaturës për kundravajtje administrative, dëmtim apo shpërdorim të pronës. Madje në Durrës, nuk ka asnjë ulqinak që të ketë punuar a shërbyer në organet e diktaturës. Prandaj dhe Bashkia e Durrësit, nëpërmjet Shoqatës Kulturore “ULQINI”-Durrës ka nderuar me titullin “MIRËNJOHJA E QYTETIT”, punën dhe kontributin e tyre në dekada me motivacionin: “ Për të gjithë kontributin e dhënë në dekada nga brezat e ulqinakëve, për zhvillimin dhe përparimin e qytetit të Durrësit në: detari, transport, ekonomi, arsim, kulturë e shëndetësi, për qendrimet e sjelljen e spikatur qytetare, harmoninë, tolerancën e bashkëjetesën me komunitetet e tjera, si dhe për vlerat dhe virtytet morale induviduale dhe ato të përfaqësuara nëpërmjet familjeve të tyre”. Kjo Çertifikatë si relike, ruhet edhe në zyrën e Kr/Komunës Ulqin. Dashuria dhe malli për Ulqinin, qytetin e tyre të origjinës, mbeti si një nga vlerat më të spikatura, të cilën e shprehnin me konfirmimin duke thënë “unë jam ulqinak”, “unë jam ulqinake”. Sot të organizuar në Shoqatën Kulturore “ULQINI”-Durrës, me mbështetetjen e plotë të Bashkisë, Kryetarit të saj z. Vangjush Dako, zhvillojnë traditat si dhe mbajnë lidhje të ngushta me Ulqinin, familjet dhe fiset e tyre atje, me miq të shumtë tashmë që nga viti 1990, si dhe ndjekin në rrugë e forma të ndryshme jo vetëm zhvillimet në Ulqin, por dhe problemet që shqetësojnë bashkëvendasit e tyre atje, krahas të tjerave edhe lidhur me të drejtat dhe liritë themelore, aq shumë të dëshiruara.