Në konferencën e sotme për shtyp, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se, në qoftë se nuk shfrytëzohet rasti për të bërë marrëveshje me Serbinë, Kosova mund të mbetet si Palestina.
Pas 11 vjetësh, në majë të pushtetit, Thaçi “zbuloi” se ku është degëdisur Kosova e pavarur, nën drejtimin e tij. Ai nuk gjen vend tjetër për ta krahasuar Kosovën, veç Palestinës. Ku mbetën deklaratat e ish-Kryeministrit, tani President, për njohje të gjerë ndërkombëtare, brenda 3 muajve nga shpallja e pavarësisë? Po ato për liberalizimin e vizave, për integrimin në Europë, për ulëse në OKB, për krijimin e ushtrisë së Kosovës, për…?
Megjithatë, pavarësisht “mëkateve” të tij, krahasimi i Kosovës me Palestinën është krejtësisht i palogjikshëm. Si koncept, është i paqëndrueshëm, ndërsa politikisht, është shumë i rrezikshëm. Loja me analogjitë ka qenë dhe mbetet lojë e Beogradit dhe Moskës, me synim bllokimin e pavarësisë së Kosovës dhe kthimin e saj në Serbi. Koncepti perëndimor ka qenë dhe mbetet i pandryshuar sot e kësaj dite – Kosova është rast i veçantë dhe si i tillë ka gjetur edhe zgjidhjen e vet të veçantë, nëpërmjet shpalljes së saj si shtet i pavarur dhe sovran, zgjidhje kjo plotësisht legjitime, përfundimtare dhe e panegociueshme.