Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, pati deklaruar publikisht se Demarkacioni me Malin e Zi nuk ishte kusht i vënë nga Bashkimi Europian për liberalizimin e vizave, por i propozuar dhe i marrë përsipër nga Hashim Thaçi, në mënyrë që, nëpërmjet servilizmit sade, të fitojë kapital politik në Bruksel, në funksion të axhendave të tij personale, për të mbijetuar në pushtet. Opozita e djeshme, e cila erdhi në pushtet me kauzën e kundërshtimit të Demarkacionit, e shiti këtë kauzë, për hir të kolltukut.
Sot, Çakorri, Belluha dhe Kulla e Zhlepit janë pjesë përbërëse e Malit të Zi.
Këto ditë, po flitet shumë për një marrëveshje të fshehtë, lidhur me ndërtimin në Shqipëri të një kampi për të pritur, rreth 600 mijë vetë, të ikur nga luftërat në Lindje të Afërt, apo për shkaqe të tjera ekonomiko-shoqërore. Ekziston mundësia që ndërtimi i këtij kampi të jetë propozim i vetë kryeministrit, Edi Rama, me qëllim që, nëpërmjet servilizmit sade, të fitojë kapital politik në Bruksel, në funksion të axhendave të tij pushtetore.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, por edhe opozitarë të tjerë, po bëjnë heroin për shpëtimin e Shqipërisë nga “terroristët dhe ISIS”-i.
Në pozitë, a opozitë, përfaqësuesit e një populli, rreth 1/3 e të cilit e ka njohur fatin e rëndë të “refugjatit”, duke kërkuar strehë tek të tjerët, (strehë që, përgjithësisht, sidomos, në vitet ’90, na është ofruar), nuk mund të jenë aq cinikë, sa, për llogari të luftës së tyre për pushtet, t’i quajnë “terroristë”, burra e gra, pleq e fëmijë, të gjithë ata, që janë të detyruar të largohen nga atdheu i vet dhe të marrin rrugët e botës, për një mijë e një arsye.
Çështja migratore është një çështje e ndjeshme dhe shumë serioze globale, e cila mund të zgjidhet vetëm me përpjekje të përbashkëta, të vendosura dhe të sinqerta, duke dhënë kontributin e tij çdo shtet, i madh apo i vogël, qoftë.