Nga Frank Shkreli
Viti 2018 është shpallur zyrtarisht, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, si “Viti i Gjergj Kastriotit-Skendërbeu”, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes. Por ky vit shënon gjithashtu edhe 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Po kalon pothuaj gjysma e vitit dedikuar Heroit Kombëtar dhe vihet re se shumë pak ose pothuaj aspak aktivitete të jenë shënuar deri tani për këtë përvjetor, në trojet shqiptare. Mund të jem gabim, por më duket se për 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, hiç e hiç, të pakën deri tani as nuk është përmendur fare.
Në vend të kujtimit të këtyre dy përvjetorëve, me shumë rëndësi për historinë, për identitetin, për bashkimin dhe terësinë gjeografike të Kombit Shqiptar – diskursin në politikë dhe në median shqiptare, në të dy anët e kufirit, pikërisht këtë vit — po e dominon sot debati mbi influencën ruse dhe turke dhe mbi ndarjen e influencave të tyre në trojet shqiptare kryesisht, ashtu siç kishte ndodhur pas marrveshjes së Shen Stefanit midis Rusisë dhe Turqisë së atëhershme, për ndarjen e trojeve shqiptare midis tyre dhe fqinjëve të shqiptarëve. Si nuk mësojmë kurrë nga historia. Historia po përsëritet dhe autoritetet shqiptare, ndryshe nga koha e Lidhjes së Prizrenit, po rrinë indifirent, duarkryq, ose më keq, siç thonë disa, po bëhen pjesëmarrrës të kësaj loje të flliqtë të këtyre fuqive të huaja. O tempora o mores, do të thonte Ciceroni.
Por, duan e nuk duan sllavët e turqit, na ishte dikurë (140-vjetë më parë) Lidhja historike Shqiptare e Prizrenit e cila meriton të kujtohet, sidomos në këtë kohë të turbulltë nepër të cilën po kalojnë shqiptarët. Ngjashëm deri diku me situatën e sotëme ndërkohë që jemi dëshmitarë të lojrave të të huajve me fatin e shqiptarëve, autoritetet shqiptare të Lidhjes së Prizrenit 140-vjet më parë, pas vendimeve të padrejta në kurriz të shqiptarëve të Kongresit të Berlinit, u mblodhën të vendosur dhe të bashkuar, për të luftuar në mbrojtje të interesave tokësore dhe të interesave të kombit në përgjithësi. Për tu përballur me sfidat e asaj periudhe, aty morën pjesë përfaqsues nga të gjitha trojet shqiptare pa dallim — për herë të parë ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe — për të biseduar mbi fatet e Kombit. Po e kujtojmë këtë ngjarje të madhe historike për Kombin Shqiptar – me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit — me ndihmën e Poetit të Kombit, At Gjergj Fishtës, i cili i ka dedikuar Lidhjes së Prizrenit, “Kangën e Nandët” të veprës së tij madhështore, Lahuta e Malcisë.
Në këtë poemë, Fishta fton Zanën që së bashku me ‘të, të këndojë në “Lahutë” ngjarjen historike të shqiptarëve, që është Lidhja e Prizrenit. Ai e fillon vjershën me thirrjen e Ali Pashë Gucisë. Mbas vendimeve të Kongresit të Berlinit, Ali Pashë Gucia qet kushtrimin anë e mbanë trojeve shqiptare për të mbledhur në Prizren, burrat më në shenjë, “Krenët e Shqyptarisë”, të Gegërisë dhe Toskërisë. Duke iu përgjigjur kushtrimit të Ali Pashë Gucisë, turren kreshnikët e Kombit në qytetin zëmadh.
M’ato maje të Prizrenit
Ku kanë ndejun rend pas rendit
Me Ali Pashën në krye të vendit…
…Ai nuk asht, more lum vasha
Tjetërkush veç se Ali Pasha
Që për të drejta të Shqyptarisë
Vet ia jep zjarmin shtëpisë,
E s’i dhimben nanë as djal:
Për to jetën vet e falë.
Nëqoftse më lejohet të jem pak krahinor e të përmend që Fishta, ndër të tjerë pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit, në poemën kushtuar Lidhjes së Prizrenit, i dedikon disa rreshta Vat Marashit, Bajraktarit të fisit të Shkrelit:
E njaj tjetri ma përtej
Me ata dy mustakë të mëdhej
Me i prekë m’shoq që ka për bri vedi,
Ai nuk ashtë jo Diomedi
Por ashtë Bajraktari i Shkrelit,
Si njaj pyrgu m’ball të kështjellit,
Që s’ tremb as topi as shpata,
E i thonë emnit Marash Vata…
Natyrisht, se në poemën e tij Fishta përmend disa ndër pjesmarrësit dhe u këndon atyre si grup i dalluar dhe i zgjedhur ndër shqiptarët e asaj kohe e hapësire:
Jo që ka aty burra të tjerë,
Bajraktarë, Krenë e Beglerë
Që për fjalë e për urti
Për trimni, për bujari
Nuk ia lëshojnë vendin kurrkuej
As në Shqipni as ndër të huej…
Në Epopenë Kombëtare të Fishtës, “Ora e bardhë e Shqipënisë”, i shef krerët e Shqiptarisë, “Trima në za, burra me nderë”, të mbledhur aty në Prizren — nga mrizet e lartësive të malit më të lartë, Lubotenit, ku e Mira ka ndejën e vet dhe gëzohet, thërret Zanën e Sharit –“Në gjuhë të ambël të Shqyptarit, “Thirrë i paska Zanës së Sharit” — dhe e pyet nëse i njihte ata burra të rreshtuar në Kuvendin e Prizrenit. Zana, disi e habitur para asaj pamjeje madhështore të homeridave të rinjë, kujton se Shqiptarët e mbledhur aty, mund të jenë Akejt e vjetër që dikur kishin “kallur” Trojën e vjetër, ose ndoshta mund të ishin Dardanët. Ban buzën në gazë Ora e maleve dhe i shpjegon Zanës motër se ata nuk ishin, “As Akejë, as s’janë dardanë, as vigaj as katallaj”, por ishin pjesëmarrësit heronjë shqiptarë: Ali Pasha, Marash Vata, Abdyl Frashëri, Prenk Bib Doda, Toptani, Zogolli, Gjetë Gegë Shllaku, Çun Mula, Mar’ Lula, Dod Preçi, Vrioni, Deralla, Shan Deda, Abdullah Dreni…
Ndërsa Abdyl Frashërin, At Gjergj Fishta e portretizon kështu në poemën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit:
A e she” ‘i herë njat burrë zeshkan,
Me kollçikë e me fistan,
Që m’ a ka sýnin si zhgjeta,
Që m’ i bâjn t’ gjith t’u ngjatjeta,
E që folka ashtû pa u zé,
Herë tue mâtë, mandej tue pré:
Që prandej njat fjalë që e flet,
Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
Pse edhè e tij bujare
Larg permendë âsht n’ tokë Shqyptare
Për kah pupla e për kah dija,
Pá të cilat s’ rron Shqypnija?
Ai âsht trimi Frashër Begu,
Që gjithkund, ku e qiti shtegu,
I la naâm aj Toskënís,
Faqe t’ bardhë i la Shqypnís.
Fishta përcjellë në poemën e tij mbi Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit se ndërsa Ora dhe Zana bisedojnë me njëra tjetrën, Abdyl Frashëri hap Kuvendin dhe flet me një gojtari të shquar, si i përket derës së tij letrare, mbi vjetërsinë e fisit Shqiptar, kulturën e lashtë të tij, trimërinë e qëndresën gjatë shekujve, dashurinë për Atdhe dhe për luftërat e racës shqiptare për të ruajtur pavarësinë. Abdyl Frashëri vazhdon fjalën e tij duke bërë thirrje për daljen zot trojeve shqiptare të sakatuara, për shpëtimin e tokave shqiptare, Hotit, Grudës e Plavë e Gucisë nga Mali i Zi. Ndërsa Bajraktari i Shalës Mar’ Lula i thotë Kuvendit se për ‘të dhe për Shqiptarët mbarë, si Shkjau, si Turku janë armiqë të njëjtë. Në fund, sipas vjershës kushtuar Lidhjes së Prizrenit në Lahutën e Malcis, Ali Pashë Gucia propozon që nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit t’i dërgohej një letër fuqive të mëdha të asaj kohe dhe mbretit – “Të shtatë krajlave dhe Mbretit të Stambollës”, duke venë qartë në dukje se trojet shqiptare nuk janë as të italianëve, as të hinglizvet, as e franzezëvet, as të gjermanëvet e as e sllavëve dhe as otomanëve, këndon Fishta. Ai ka përfunduar vjershën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit, se Mbretit të Stambollit — i cili “do t’i falë Shkodër e Malci”, Knjazit të Malit të Zi — t’i thuhet se Shqipëria nuk “ashtë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh.
“Por ashtë toka e t’Parvet tonë,
Asht Atdheu, po, i Skanderbegut…
Prandej s’ka as Krajl as Mbret
Që ket tokë e falë a e shet…
A ka sot burra Shqiptaria, porsi dikur motit, që të mbrojnë interesat kombëtare dhe të mos shesin, as mos të falin tokën dhe interesat kombëtare të shqiptarëve, përfshirë edhe ato ekonomike për interesa afat shkurtëra personale e partiake. Në këtë udhëkryq të historisë së Shqiptarëve dhe në këta dy përvjetorë të mëdhej për Kombin Shqiptar – 550-Vjetori i Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe 140-Vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit — kah do t’ia mbajnë udhëheqsit e sotëm shqiptarë, kah do e drejtojnë timonin? Këndej, a po andej? Drejtë një rruge pa krye që çon në greminë, a po drejtë horizonteve të reja, duke ndjekur, sidomos në këto dy përvjetore kombëtare, shembullin e heroizmave dhe të bashkimit kombëtar të Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe të burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit?
Frank Shkreli