Nga Keze Kozeta Zylo

Manhattanin kryqendrën e botes duket sikur po e pushtojnë shqiptarët në muajin e pranverës ashtu sic kanë shpërthyer gjethet e pemëve dhe lulet aromëndjellëse, po aq po duket dhe me skenat sikur po flasin dhe këndojnë shqip. Pas aktivitetit madhështor të 10 Vjetorit të TV dhe të shkollës Shqipe “Alba Life”, në të gjithë Nju Jorkun dhe më gjerë u shpërnda gazeta mjaft e njohur “Nju Jork Post” që fillonte me titullin mjat domethënës: Ç’kemi Albanian, çka tregonte për futjen e gjuhës shqipe, që do të fillojë me shkollën publike në Bronx në shtator dhe kjo fal politikanit të lartë shqiptar, Këshilltarit në Bashkinë e Nju Jorkut Mark Gjonaj, dhe ja e diela përsëri me dramën shqipe “Nana” dhe koncert klasik.
Symphony Space një nga skenat prestigjioze gjëmoi Shqip! Dashamiresit e artit dhe të muzikës vinin grupe–grupe për të mbështetur artistët e ardhur nga vendi i bukur, qyteti me një kulturë të lashtë, Ulqini. Mbrëmjen artistike e moderoi zonjusha simpatike Etrita Ibroci një aktiviste e mirënjohur e Diasporës. Zonjusha Ibroci iu uroi gjithë aktorëve, muzikantëve dhe këngëtarëve mirëseardhjen dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për mbështetjen e tyre. Ajo ftoi në skenë z.Cafo Boga presidenti i Fondacionit kulturor shqiptaro amerikan, organizatori kryesor i sjelljes së aktorëve të Ulqinit për të shfaqur: Claissical Muzic Concert “Belcanto Dalcinio” dhe dramën “Nana” në Symphony Space. Z.Boga tha midis të tjerash se këto organizime gjithmonë promovojnë kulturën, traditën dhe integrohemi së bashku për në botë më të paqshme, më të bukur. Ne së bashku ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe i forcojmë më shumë lidhjet me Atdheun tonë të shtrenjtë, me rrënjët tona me Ulqinin e më gjerë vazhdoi z.Boga…
Me duartrokitje u mirëprit Biri i Kombit Mark Gjonaj, si dhe z.Ismet Karamanaga, udhëheqës i programit, z.Munib Abazoviq regjisor. Në këtë program kishte sjellë përshëndetjen dhe Ambasadorja e Shqipërisë ne Washington znj.Floreta Faber. Zonjusha Ibroci ftoi Ambassadorin e Malit të Zi, z. Željko Stamatović i cili tha se ne jemi me shekuj së bashku dhe duhet të jetojmë në harmoni, kultura dhe arti gjithmonë sjellin paqe.

Programi i koncertit të muzikës klasike “Belcanto Dolcino”

Belcanto Dolcino merr pjesë në festivalet vjetore të muzikës klasike organizuar nga Fondacioni kulturor shqiptaro amerikan në bashkëpunim me Bashkinë e Ulqinit, ku promovohen talentet e qytetit dhe njëkohësisht krijon lidhje ndërkombëtare me artistët dhe muzikën botërore.
Koncerti i muzikës klasike “Belcanto Dolcino” ishte një koncert i pasur që u realizua nga artistë plot kulturë dhe profesionalizëm. Mezzosoprano si Sanije Matoshi, nën shoqërimin e pianistes Natasa Mitrovic këndoi plot ëmbëlsi si “Lule Bore”, “Dashnor t’u bana”, “Unë ty moj të kam dasht”, “Margjello”.
Eleanor Valkenburg, soprano nën shoqërimin e pianistes Natasa Mitrovic interpretoi si “Long time ago”, “Little Horses”, “I bought me a cat”.
Iliriana Gjoni një pianiste e talentuar interpretoi “Folk songs” bazuar në motive shqiptare.
Baritoni i mirënjohur Ergin Oda me një zë të mëndafshtë nën shoqërimin e pianistit të talentuar Leke Salihu interpretoi “Por Una Cabeza” dhe “Muzik of the Night”.
Natasa Mitrovic luajti në piano “Gavotte et six doubles” dhe “Preludi Giocosi”.
Gjylie Pelingu, soprano këndoi “Vajta kalova”, “Dicitencello vuie” dhe “Agimet Shqiptare” nën shoqërimin e pianistes Fatime Buzuku.

Teatri “Teuta” Ulqini shfaqi Dramën “Nana”

Vetë titulli i dramës të tërheq si me magji, ashtu sic është emri më i shenjtë në botë “Nëna”, “Nana”, “Nona”…
Si nënë, si shkrimtare, shumë personazhe me nënën më erdhën në mendje, libra, poema, këngë, por së pari më erdhi dhe m’u fut në gji nëna ime, ajo erdhi si ëngëll nga qielli me Hëne i Nju Jorkut, që shndriste si flokëargjenda ime…
Në një skene me mjedise të thjeshta të shtëpisë u shfaq nëna që tundte djepin e djalit, duke i kënduar ninulla që kanë qenë aq të njohura për brezat e kaluar, por që mjerisht po zhduken ndër nëna të reja…Rolin e nënës e luante aktorja simpatike, studente e ekonomisë Blerta Kurtovic, ndërsa të djalit të vogël nxënësi me sy si drita Anes Kurti. Rolin e djalit që solli realisht dhimbjen në familjen shqiptare e luajti aktori Muho Uruci. Mimika e fytyrës së djalit, dialogjet midis tij dhe nënës, birit dhe nuses që e luante Albana Kurti Zecevic ishin mjaft mbresëlënëse dhe e lanë publikun të fokusuar pranë skenës.
Është një dramë që ndihet në plazmë të gjakut, sidomos ndër emigrantë ngase janë të ikur nga tokat e tyre, toka që po lihen shkretë dhe djerr, toka që shumë prej tyre janë zënë nga të huajtë dhe do te jetë e dhimbshme kur të mos quhen më toka shqiptare…
Cili është ai shqiptar që nuk po e përjeton këtë dramë?!
Drama “Nana” u realizua bukur, duke sjellë temën familjare, vëmendjen e lexuesit dhe të publikut për sakrificat e nënës, mundin dhe pagjumësinë e saj, peripecitë që krijohen shpesh midis birit dhe familjes, sidomos ikja e bijëve duke i lënë prindërit të jetojnë shpesh në vetmi…
Aktoret si Bashkim Alaj në rolin e plakut të qytetit, Aurora Kurti ne rolin e gruas së moshuar, Jetlira Hodzic në rolin e moshës së re, Benjamin Abazoviq në rolin e shokut të djalit, Mahmudije Nimanbegu në rolin e moshës së mesme bënë një lojë aktoreske të arritur dhe premtojnë shumë në të ardhmen.
Fundi i dramës solli shumë lot ndër spektatorë, vdekja e birit nga stërmundimet, dhimbjet dhe ardhja e tij në fund të jetës në krahët e nënës ishte tragjedia që e shohim dhe e ndjejmë me sytë tanë. Ai u shtri në krahët e saj që të kujtonte shkrimtarin e famshëm botëror Victor Hygon i cili thotë: “A mother’s arms are made of tenderness and children sleep soundly in them” që përkthehet:
“Krahët e nënës janë bërë me butësi dhe fëmijët flenë ëmbelsisht në to”…
Në këtë rast ai tragjikisht u shtri në krahët e saj dhe dha shpirt po aty, ku kuja e nënës çau qiell e tokë dhe s’kishte hapësirë ta nxinte…
Drama është realizuar mjeshtërisht nga regjisori Munib Abazoviq, ndërsa udhëheqës i programit ishte z.Ismet Karamanaga të cilët dhanë intervistë plot kulturë pranë kamerave të TV “Alba Life”, New York dhe do të transmetohen së shpejti në kanalin televiziv.

Manhattan, New York
6 Maj, 2018

By admini