( Çereku i elektoratit shqiptar voton partitë jo shqiptare !)
Shkruan Xheladin Zeneli
Në zgjedhjet lokale për Kuvendin komunal të Ulqinit që u mbajtën me 4 Shkurt 2018 garuan 10 subjekte politike , 3 prej të cilave u prezentuan me programe nacionale shqiptare kurse 7 të tjera me programe qytetare . Partitë shqiptare fituan së bashku 19 këshilltarë: 9 FRD, 7 Kualicioni “Zgjohu” dhe 3 UDSH, çka do të thotë shumicën e duhur parlamentare për formimin e pushtetit.
Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014 ( ku garuan 9 subjekte politike, pra një më pak se në zgjedhjet e këtij viti),partitë shqiptare patën një rritje tepër të vogël apo simbolike prej 0.57% ,pasi që në zgjedhjet e viti 2014 ata morën 5,797 vota( apo 51.53%) , kurse në vitin 2018, 6,401 vota( apo 52.10%) dhe një mandat më shumë se sa kishin në vitin 2014 kur së bashku fituan 18 këshilltarë. Forca e Re Demokratike, si partia më e madhe shqiptare në këtë komunë,edhe përkundër faktit se në zgjedhjet e fundit fitoi një mandat më shumë, në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014 pati një rënie shumë të vogël prej 69 votave apo 0.63% ,pra nga 2,928 vota( apo 23.33%) në vitin 2014 në 2,859 (apo 23.20% ) në vitin 2018. Kurse Kualicioni “ Zgjohu Ulqin” dhe UDSH kanë pësuar një rritje simbolike në numrin e votave të cilat nuk kanë pasur ndonjë efekt në numrin e mandateve i cili ka mbetur i njëjtë nga zgjedhjet e kaluara. UDSH nga 1,058 (apo 8.61% )të votave sa ka pasur në vitin 2014, tani ka fituar 1,159 (apo 9.60%) ,pra 0.99% më tepër. Gjithashtu edhe Kualicioni “Zgjohu”,i cili në zgjedhjet e vitit 2014 garoi me emrin “ Bashkë për të ardhmen e Ulqinit”, ka marrë atëherë 2,345 vota (apo 19.09% ),kurse në zgjedhjet e këtij viti muar 2,383 (apo 19.30% ), pra 38 vota më shumë apo 0.21 %.
Pra shifrat tregojnë se numri absulut i votave ndaj partive shqiptare nuk pësoi ndonjë rritje të dukshme dhe si të tilla ishin të mospërfillshme në krahasim me katër vitet e mëparshme
,megjithëse Forca Demokratike fitoi një mandat më shumë në zgjedhjet e fundit.
Ajo çfarë duhet t’i shqetësojë partitë shqiptare është fakti se partia më e votuar në Komunën e Ulqinit,gjithënjë mbetet Partia Demokratike Socialiste (DPS), e cila në vitin 2014 fitoi 3,174 vota apo 25.84%, kurse në zgjedhjet e fundit fitoi 2,918 vota (apo 23.60%) edhe përkundër asaj se kjo parti pati një rënie nga zgjedhjet e kaluara prej 246 votave apo 2.24% .
Njëkohësisht, duhet të jetë tepër alarmuese e dhëna se si në një komunë ku shqiptarët përbëjnë 78.17% të popullsisë (sipas regjistrimeve shtetërore), 26.07% e elektoratit shqiptar voton partitë sllavo-malazeze apo të ashtuquajtura parti qytetare !?. Për këtë, përgjegjësi mbajnë kryesisht vetë partitë shqiptare dhe liderët e tyre ,të cilët vite me radhë udhëheqin politikë konfliktuale, përçarëse,inatçore çka ndikon në tjetërsimin e votuesëve shqiptarë dhe zhgënjimin e radhës kur ata bëjnë devijimin dhe keqpërdorimin e votës së zgjedhësve të tyre duke bërë kualicione pas zgjedhore me PDS-në, partinë që udhëheq me pushtetin qendror.
Fitorja relative e partive shqiptare në zgjedhjet e 4 Shkurtit, nuk ka asnjë kuptim dhe e humb atributin “fitore”, nëse ata, pra partitë shqiptare, nuk formojnë kualicionin e përbashkët paszgjedhor për qeverisjen e komunës së Ulqinit. Pra, fitore mund të konsiderohet vetëm nëse FRD, Kualicioni “Zgjohu Ulqin” dhe UDSH arrijnë marrëveshjen për formimin e pushtetit lokal.
Në zgjedhjet e Shkurtit votuesit shqiptarë iu dhanë edhe një mundësi partive shqiptare për të udhëhequr me pushtetin komunal dhe nëse edhe kësaj radhe lidërët e tyre e keqpërdorin apo e shfrytëzojnë votën e tyre për qëllime dhe interesat e tyre personale apo për interesat e tyre të ngushta partiake,kjo do të reflektohet tepër negativisht në të ardhmen me pasoja të paparashikueshme për faktorin politik shqiptar dhe do të kërkojë shumë kohë si dhe angazhim maksimal të gjeneratave të reja që të rikthejnë besimin e humbur të popullit,respektivisht të elektoratit shqiptar të Komunës së Ulqinit.
7 Shkurt 2018