Më poshtë mund të lexoni të plotë kumtesen e Forcës për politikat e saja rreth rinisë, grave dhe të moshuarve.
Në drejtim të Komunës së Ulqinit forca do të kushtojë vëmendje të veçantë për mbrojtjen e rinisë, grave dhe të moshuarve si kategori sociale të margjinalizuara. Motoja e FORCËS është Ta mbrojmë të ardhmen e prandaj një ndër synimet kryesore është mbrojtja e rinisë, të ardhmes sonë nga droga, dhuna, alkoolizmi dhe bixhozi. Ky pikësynim do të arrihet me formimin e infrastrukturës për rekreacion e sport, me nxitjen e hapjes së qendrave rinore dhe mbështetjen e iniciativave rinore.
FORCA do angazhohet në promovimin e aktiviteteve si ditët e hapura të institucioneve për të rinjtë, apo takime periodike të drejtuesve të institucioneve lokalë me të rinjtë për të ndihmuar në angazhimin dhe njohjen e të rinjve me qeverisjen dhe vendimmarrjen lokale në Komunën e Ulqinit. Po ashtu FORCA do ta përfshijë rininë në të gjitha bordet vendimmarrëse në nivel qendror e lokal, rritja e përgjegjësisë dhe llogaridhënies ndaj të rinjve, ndërgjegjësimi dhe edukimi i të rinjve mbi përfaqësimin dhe participimin politik .Biznesi rinor dhe vetëpunësimi nëpërmjet hapjes së njësive të informacionit që informojnë të rinjtë mbi taksat, legjislacionin për të bërë biznes dhe mundësitë e investimit në ekonomi; duke i njoftuar ata edhe për kreditë e buta.
Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë ne Komunën e Ulqinit, trajtimi i problemeve qe mbart kjo kategori sociale, merr një rëndësi të madhe. Prioritet i FORCËS për vitet ne vazhdim do te jete nxitja e programeve te kualifikimit profesional, ne ato profesione qe i përshtaten profilit të një komune turistike dhe që iu jep mundësi grave të përfshihen në tregun e punës. Për këtë gjë do të bashkëpunojmë me shoqërinë civile dhe komunitetin e biznesit. Vëmendje e veçantë për FORCËN do të marrë projekti i çerdheve për fëmijët, në mënyrë që gratë të kenë mundësi të bëjnë një jetë aktive shoqërore, ekonomike apo politike pa u shqetësuar për kujdesin për fëmijët. Në këtë mënyrë duke pasur çerdhet që përkujdesen për fëmijët, gratë në Ulqin do të jenë më të lira për të pasur një karrierë personale , për të vijuar studimet, për t’u punësuar apo për të hapur një biznes.
Të moshuarit janë një tjetër kategori sociale që do të gëzojë një përkujdesje të veçantë nga FORCA duke përdorur moton “Pleqëri Pa Vetmi. Të moshuarit në Ulqin shpesh e margjinalizuar për shkak të kushteve ekonomike dhe problemeve të tjera sociale prandaj FORCA ka për qëllim që të kujdeset në mënyrë të posaçme për ta. Në kuadër të investimeve do të synohet krijimi i ambienteve të gjelbëruara me stola e tavolina për lojëra të ndryshme që do të shërbejnë si mjedise shlodhëse për të moshuarit. Do të ndjekim politika fiskale të diferencuara për ato biznese që ofrojnë shërbime të veçanta për të moshuarit si për shembull ata që ofrojnë kafe falas për të moshuarit.
Brenda mandati të ardhshëm, FORCA në krye të komunës së Ulqinit do të ndërtojë një qendër ditore për të moshuarit ku të gjejnë një ambient të rehatshëm e zbavitës e të mund të marrin shërbime shëndetësore e sociale. Në bashkëpunim me drejtorit e shkollave, shoqatave joqeveritare dhe grupe të të rinjve do të organizojmë grupet e vullnetarëve që do të ofrojnë shërbime utilitare për pleqtë e braktisur apo të sëmurë.