Nga Frank Shkreli
Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara votoi këtë javë me 128 vota pro, 9 kundër dhe 35 abstenime për një rezolutë që kundërshton njohjen e Shteteve të Bashkuara, të Jeruzalemit, si kryeqytet të Izraelit. 21-vende nuk ishin të pranishme në votim. Dihet se megjith se çështja e Jeruzalemit është një çështje delikate midis palestinezëve dhe izraelitëve, Kongresi i Shteteve të Bashkuara kishte miratuar një rezolutë në vitin 1975 me të cilën bëhet thrirje për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, por që administrata të ndryshme amerikane nuk kanë vepruar deri tani. Presidenti Trump kishte premtuar gjatë fushatës se do të bënte një gjë të tillë dhe ashtu, në përputhje me premtimin e tij, njoftoi vendimin për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.
Shqipëria votoi pro-rezolutës duke u bërë një prej 128-votave në favor dhe kundër qëndrimit amerikan. Shqipëria, nepërmjet një deklarate të Ministrisë së Jashtëme, a po të “Ministrisë për Evropën” siç e quajnë tani, përball kritikave të shumta se vota e Tiranës ishte një votë kundër SHBA-ve, e arsyeton votën e saj në favor të rezolutës kështu:
“Në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve”.
Unë mendoj se ky ishte një vendim i nxituar dhe i pamenduar mire, për të mos thënë i gabuar. Hajde se nuk donte qeveria e Kryeministrit Rama të votonte kundër kësaj rezolute, ndoshta mund të kuptohet, por kush e ndalonte Shqipërinë që të abstenonte në këtë rast, ashtu siç abstenuan 35 vende anëtare të OKB-së, të cilat Ambasadorja amerikane Nikki Haley i falënderoi për abstenimin e tyre, ose të mos merrte pjesë fare në votim. Në minimum, abstenimi do të ishte vendimi më i përshtatshëm që duhej dhe mund ta bënte Shqipëria. Në deklaratën arsyetuese të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë thuhet se, “në politikën e jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet”. Plot e drejtë! Prandaj, si rrjedhim duhej abstenuar, në minimum, duke marrë parasyshë, pikërisht, faktet e marrëdhënieve dy-palëshe, midis Uashingtonit dhe Tiranës.
E vërteta është se vota në OKB ishte simbolike dhe si e tillë as vota e Shqipërisë dhe as e 138 vendeve të tjera nuk do të ndryshojë asgjë në marrëdhëniet midis Izraelit dhe Palestinezëve dhe as nuk do të sjellë paqë në Lindjen e Mesme. Por simbolizmat janë të rëndësishëm në zhvillimet ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet midis shteteve dhe kombeve. Shtetet e Bashkuara, edhe në periudhën më të errët të regjimit komunist, kur radio Tirana në shqip dhe në gjuhët kryesore të botës por edhe nepërmjet përfaqsuesve të saj po në këtë Organizatë të Kombeve të Bashkuara, i kishte hapur luftë të hapët “imperializmit amerikan” – Washingtoni zyrtar dhe populli amerikan ishin konsekuent dhe mbështetës të Shqipërisë dhe të të drejtave të kombit shqiptar, madje edhe gjatë asaj periudhe të zezë të marrëdhënieve midis dy vendeve. Më kujtohet, gjatë viteve të luftës së ftohtë, megjith sharjet dhe helmin që përhapte regjimi komunist i Enver Hoxhës kundër Shteteve të Bashkuara dhe demokracisë amerikane, Stejt Departmenti çdo vit na sillte në Zërin e Amerikës një deklaratë ose ofronte një zyrtar të lartë për ta intervistuar me rastin e 28-Nëntorit Ditës së Pavarësisë, me qëllim për të thekësuar miqësinë historike midis dy kombeve, ndërkohë që gjithmonë shpreheshin për marrëdhënie më të mira midis dy vendeve, në të ardhmen. Edhe gjatë asaj periudhe të errët të një politike armiqësore anti-amerikane gjysëm shekullore në marrëdhëniet midis dy popujve, Shtetet e Bashkuara i qëndruan besnike miqësisë me kombin shqiptar
Kjo besnikëri dhe miqësi e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, me Kosovën dhe me shqiptarët në përgjithsi, u shfaq shprehimisht dhe në person, jo më larg se një ditë para votimit në OKB – nga vet Përfaqsuesja e Presidentit Trump në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork, Ambasadorja Nikki Haley. Në vazhdimësi të kësaj besnikërie dhe mbështetjeje ndaj shqiptarëve, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, mori pjesë në një aktivitet në Nju Jork, me përfaquses të komunitetit shqiptaro-ameirkanë dhe me biznesmenë nga Shqipëria dhe Kosova. “Arsyeja qe e bëjmë këtë është se ne kemi disa lidhje të përbashkëta”, u tha ajo të pranishëmve.
“Ne deshëm të merrnim pjesë në këtë aktivitet për disa arsye. Jam këtu me burrin tim, gjyshi i të cilit erdhi në Amerikë nga Shqipëria. Me komunitetin shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria ne kemi shumë gjëra dhe vlera të përbashkëta…. “Ne po përpiqemi që të gjitha vendet ta njohin Kosovën në OKB dhe këtë do ta vazhdojmë deri sa ajo ta fitojë njohjen”.
Ashtu siç kanë bërë edhe më parë dhe në çdo rast, zyrtarë të lartë amerikanë — republikanë dhe demokratë – pasi, siç e kam theksuar shpeshëherë, politika dhe mbështetja amerikane për shqiptarët, ç’prej fillim shekullit të kaluar, duke filluar nga Wilsoni – nuk ka qenë dhe nuk është e mbështetur në vija partiake, por është politikë amerikane! Anasjelltas, as politika shqiptare karshi Shteteve të Bashkuara nuk duhet dhe nuk guxon të jetë e bazuar në vija partiake, por duhet të jetë një politikë e bazuar në interesat kombtare të shqiptarëve. Tradhëtohen ata që mendojnë se në, këtë aspekt, do të përçajnë politikën amerikane ose komunitetin shqiptaro-amerikan. Në takimin e ambasadores Nikki Haley me shqiptarët, duke folur për marrëdhëniet midis Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve, ajo vazhdoi duke thënë:
“Ne respektojmë njëri tjetrin, besojmë te njëri tjetri. Kemi të njëjtat vlera demokratike. Janë këto gjëra që formojnë lidhje dhe marrëdhënie të forta e që nuk thyhen. Pra, ne deshëm të jemi këtu për të respektuar komunitetin e këtushëm dhe për t’ju thënë se do të vazhdojmë të përpiqemi që Kosova të njihet si vend anëtare e Kombeve të Bashkuara. Desha t’ju them edhe diçka tjetër nga përvoja personale. Çdo vend pëballet me vështirsitë e veta. Edhe Shtetet e Bashkuara patën sfida me uraganët këtë vit. Shqiptarët e Kosovës u treguan të gatëshëm të na ndihmonin kur uragani goditi Teksasin. Dhe kjo flet për lidhje që ne kemi dhe për vlerat që ne ndajmë. Kemi ardhur këtu si miq dhe për t’ju uruar dhe për t’ju dëshiruar bekimet dhe gjithë të mirat për stinën e festave dhe jemi këtu për tu thënë se do të punojmë për lidhje më të forta mes komuniteteve shqiptaro-amerikane dhe Shteteve të Bashkuara”, përfundoi ambasadorja Haley fjalën e saj në takimin me shqiptarët në Nju Jork, një ditë para se Shqipëria të hedhte votën e saj kundër Shteteve të Bashkua, në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara.
Një ndër çështjet madhore të kombit shqiptar në këtë moment historik, për të cilën do të kemi nevojë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të zyrtarëve të administratës së presidentit Trump, siç është ambasdaorja Nikki Haley — është edhe edhe njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga sa më shumë vende si dhe antarësimi i Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në frymën e “dallimit të fakteve nga trillimet”, siç na sugjeron Ministria e Jashtme e Shqipërisë në lidhje me votën e saj kundër Shteteve të Bashkuara, në fushatën e nesërme për këto përpjekje, kujt t’i trokasim në derë: Washingtonit, Moskës, Pekinit apo Ankarasë, të nderuar diplomatë shqiptarë. A po do të bazoheni “në konsensusin ndërkombëtar” në lidhje me këtë çështje të rëndësishme të objektivave kombëtare? Bazuar në fakte dhe jo trillime, a mund t’i përgjigjeni shumicës pro-amerikane të shqiptarëve kudo? Nëqoftse deri tani nuk i dini ende faktet se në anën e kujt duhet ti rendisim interesat afat-gjata të kombit shqiptar, atëherë është tepër vonë dhe mund të konsiderohet si një pabesi ndaj një miku të madh e historik të kombit shqiptar dhe një tradhëti ndaj interesave aftagjata të kombit.
Ja dhe lajmi i fundit. Një numër medias amerikane njoftojnë sot se Ambasadorja Nikki Haley u ka dërguar ftesë të gjitha vendeve që votuan me Shtetet e Bashkuara dhe atyre që abstenuan si dhe atyre që nuk morën pjesë në votim, për të marrë pjesë në një pritje të organizuar prej saj, me 3 janar, sipas njoftimit, “Për t’i falënderuar për miqësinë e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Natyrisht se Shqipëria nuk është e ftuar nga Nikki Haley. Vota e Shqipërisë nuk meriton koment tjetër!
Haley’s email invitation (pictured) asks the nations who voted with the U.S. or abstained from the vote “to a reception to thank you for your friendship to the United States.”
Frank Shkreli