Lidhja Demokratike në Mal të Zi ka dalur me një kumtesë për opinion rreth organizimit që do të bëjë për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.

Kumtesën në fjalë mund ta lexoni të plotë më poshtë.

 

K u m t e s ë    p ë r   o p i n i o n

 

JU FTOJMË  TË MERRNI PJESË

NË  FESTIMIN E 28 NËNTORIT – DITËS SË FLAMURIT

NË OSTROS NË KRAJË, të hënën, më 27 NËNTOR 2017, në orën 18:00

 

 

Në këtë 28 Nëntor 2017 po mbushën plot 27 vjet që Lidhja Demokratike në Mal të Zi, simotra e Lidhjes Demokratike  të Kosovës, e kryetarit historik, dr. Ibrahim Rugova, përfaqësuesja e parë dhe e devotshmja  politike e kombëtare në trojet e veta stërgjyshore, sot në Malin e Zi, filloi që në mënyrë publike të organizuar të shënojë e festojë 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, këtë datë e ditë të veçantë e të madhe të mbarë kombit shqiptar, kudo që jetojnë në trojet e veta etnike, në shtetin amë Shqipëri e Kosovë e në diasporë.

 

LD në MZ, ishte e para që ngriti zërin, u angazhua në mënyrë legjitime, legale e publike, me vendosmëri e dinjitet për të realizua të drejtat kombëtare, në mesin e të cilave ishin  shënimi dhe festimi i festave tona kombëtare: 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, për   heroin tonë kombëtar Gj.K. – Skënderbeut etj.etj. dhe me shembullin e saj konkret organizoi e po vazhdon të organizojë shënimin e festimin e këtyre datave të rëndësishme kombëtare shqiptare.

 

Të freskëta, kumbuese e kuptimplote, ende edhe sot aktuale jehojnë fjalët e kryetarit të LD në MZ atëherë edhe kryetar i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Mehmet Bardhit: “… Motra e vllazën, zonja e zotërinj, të nderuar të pranishëm, sonte jemi mbledhë këtu në sallën e madhe të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, që për herë të parë në mënyrë të organizuar e publike të shënojmë e festojmë ditën e datën më të dashtun e historike 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, ditën kur Ismajl Qemali ngriti flamurin me shqiponjën e zezë dykrenore në fushën e kuqe si gjaku, si gjaku i mijëra e mijëra dëshmorëve e atdhetarëve, në Vlorën historike dhe shpalli mvetësinë e Shipërisë…Sonte këtë flamur e kemi këtu para nesh përsëri…Jo, nuk pyetëm kërkend për ta ngritur e festuar! Këtë e kemi obligim. Kjo është kënaqësi…Rrnoftë flamuri kombëtar me shqiponjën dykrenore e të lirë…Festofshim gjithmonë më gëzime…Urime!”

 

Të nderuar qytetarë (anëtarë të LD në MZ dhe të partive të tjera politike e organizatave joqeveritare), tubimi në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Ostros, që e organizojmë me rastin e festave të 28 Nëntorit,  të hënën, më 27 NËNTOR 2017, në orën 18:00, ka karakter kombëtar, shoqëror, kulturor e arsimor. Prandaj ftohën të gjithë pa dallim partie e jopartie që të merrni pjesë. Në këtë manifestim, për 28 Nëntorin, këtë datë të një rëndësie e krenarie të veçantë,  do të flasë profesori, doktori i shkencave, punëtori shumëvjeçar i arsimit shqiptar, atdhetari, punëtori shkencor e mbledhës i folklorit, nj;ri nga 87 delegatët e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, mbajtur në Tiranë nga 20 deri më 25 nëntor 1972, kryetar i Degës dhe  këshilltari i LD në MZ në Kuvendin e Komunës së Tivarit, zotni dr. Ismail Doda.

Në fund të manifestimit për pjesëmarrësit do të ketë, si përherë në kësi rastesh sa solemne e kombëtare, një koktej modest.

 

Bajmë me dije se me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, në orët e mbasditës së 28 Nëntorit 2017, në zyret e Lidhjes Demokratike, si zakonisht, për anëtarë e qytetarë do të ketë pritje nga funkcionarë të LD në MZ, me nga një kafe.

Urime! Gëzuar përherë e suksese!

Mirë se vini!

KËSHILLI  PËR INFORMIM

 

By admini