Nga Naser Ferri
Më 15. nëntor në Fakultetin Filozofik të Zagrebit u hap tubimi shkencor ndërkombëtar : IV International Conference on the Danubian Provinces “Traian and the Danubian Provinces-The political, economic and religious life in the Danubian Provinces”.
Në këtë tubim shkencor do të paraqiten mbi 60 arkeologë nga mbi 20 vende të Evropës dhe botës të përzgjedhur nga organizatorët të cilët do të trajtojnë çështje të ndryshme të bazuara mbi gjetje arkeologjike e dokumente relevante të kohës që kanë të bëjnë me provincat romake rreth Danubit dhe në rajon.
Në këtë tubim të rëndësishëm shkencor i vetmi përfaqësues nga trojet mbar shqiptare është arkeologu kosovar Prof.Dr. Naser Ferri, Këshilltar shkencor në Sektorin e Arkeologjisë të Degës së Historisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Ai prezanton, në bazë të gjetjeve arkeologjike, ngjarjet historike në Kosovën e sotme (territori i të cilës bënte pjesën qendrore apo bërthamën e Mbretërisë Dardane) pas pushtimit romak të saj, respektivisht gjatë shekullit II të erës sonë ne kohën e sundimit te perandorëve Trajan, Hadrijan, Antonin Piu e Mark Aureli kur Dardania e përjetonte periudhën e artë të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Asokohe ishin ngritur ne nivelin e municipiumit romak Ulpiana Municipiumi Dardanorum, ai ne Pejë, në Dresnik e tj.
Konferenca në fjalë është rezultat i bashkëpunimit të Universitetit të Ferraras (Universitá di Ferrara) të Italisë dhe të Universitetit të Zagrebit (Sveučilište u Zagrebu).
Më 15. nëntor më fillim në ora 9,30 sipas programit, këtë eveniment të rëndësishëm kulturor e hapen Doc. Dr. sc. Domagoj Tončinić, nga Departamenti i Arkeologjisë i Fakultetit Filozofik të Zagrebit, Prof. Livio Zerbini, nga Università degli Studi di Ferrara, Laboratorio di studi e ricerche sulle Antiche province Danubiane, Prof. Ettore Janulardo, zyrtar për arkeologji në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, ndërsa me një fjalë rasti pjesëmarrësit i përshëndeti edhe drejtoresha e Qendres Kulturore në Zagreb në emër të shkëlqesisë së tij Adriano Chiodi Cianfarani, Ambasador i Italisë në Zagreb dhe Prof. dr. sc. Vesna Vlahović-Štetić, Dekane e Fakultetit Filozofik të Zagrebit.
Pos promovimit të arkeologjisë së vendeve të ndryshme, e në këtë kontekst edhe për promovimin e arkeologjisë kosovare, ky tubim do të jetë rast për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit mes arkeologëve dhe institucioneve përkatëse të vendeve të ndryshme.
Zagreb, Kroaci 15 Nëntor 2017