OJQ “HORIZONTI i RI” organizoi sot një konferencë për media ku u prezantua rezultatet e hulumtimit të punës së organeve të Komunës së Ulqinit, të realizuar gjatë periudhës korrik-shtator të këtij viti.
Ky hulumtim fokusohet në parimin e përgjegjshmërisë, i cili është një nga shtyllat e Reformës së Administratës Publike në Mal të Zi. Zbatimi i këtij parimi më së shumti pasqyrohet në të drejtën për qasje të lirë në informata me rëndësi publike, si dhe në praktikën e publikimit proaktiv të informatave nga organet e administratës. Përmes këtij procesi kemi monitoruar se si organet e Komunës së Ulqinit, zbatojnë Ligjin për Qasje të Lirë në Informata, veçanërisht, sa e respektojnë rregullin e publikimit proaktiv të informatave për punën e tyre, thuhet nga OJQ “HORIZONTI i RI”.
Synim i veçantë i këtij hulumtimi ka qenë monitorimi i zbatimit të parimit të përgjegjshmërisë në Kuvendin e Komunës e pastaj edhe në organet tjera Administratës Vendore.
Gjatë këtij procesi, njëkohësisht kemi monitoruar dhe evidentuar se cilat informacione organet e Komunës së Ulqinit nuk i publikojnë edhe në gjuhën shqipe.
Më poshtë keni të plotë prezantimin.
Prezantimi i hulumtimit “VETËQEVERISJA LOKALE PROAKTIVE: KOMUNA E ULQINIT”
Qeveria e Malit të Zi në korrik të vitit të kaluar miratoi Strategjinë e Reformës në Administratën Publike deri në vitin 2020. Ky dokument i referohet administratës publike si në nivelin shtetëror ashtu edhe në atë lokal. Strategjia synon avancimin e Administratës Publike në Malin e Zi, e cila duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të gëzojë besimin e tyre. Kjo strategji është ndërtuar në përputhje me parimet e administratës publike që ka hartuar Bashkimi Evropian përmes programit SIGMA.
Përgjegjshmëria, si një nga parimet kryesore të kësaj strategjie, reflektohet përmes shkallës së transparencës të organeve të administratës publike.
Vetëqeverisjet vendore në Mal të Zi kanë shkallë brengosëse të transparencës, e bashkë me të edhe të përgjegjshmërisë. Qasja në informacionet që posedojnë organet e komunës, është një mekanizëm i rëndësishëm i përgjegjshmërisë në raportin e qeverisjes vendore ndaj qytetarëve. Një komunë e hapur dhe e përgjegjshme kushtëzohet nga e drejta e qytetarëve për qasje në informatat të cilat ajo posedon.
Megjithatë, situata reale në Komunën e Ulqinit nuk i përgjigjet këtij konstatimi. Në Administratën e Komunës nuk merret në konsiderim fakti që publikimi i rregullt i informacioneve lehtëson dukshëm punën e saj dhe njëkohësisht zvogëlon numrin e kërkesave për qasje të lirë në informata.
Në këtë kontekst, OJQ “Horizonti i Ri” ka realizuar një hulumtim të detajuar, i cili fokusohet në parimin e përgjegjshmërisë, si një nga shtyllat e Strategjisë të Reformës së Administratës Publike. Zbatimi i këtij parimi më së shumti pasqyrohet në të drejtën për qasje të lirë në informata me rëndësi publike, si dhe në praktikën e publikimit proaktiv të informatave nga organet e administratës.
Përmes këtij procesi kemi monitoruar se si organet e Komunës së Ulqinit, zbatojnë Ligjin për Qasje të Lirë në Informata, i cili parasheh qartë detyrimin e organeve të administratës publike që informatat t’i bëjnë të qasshme për qytetarët. Synim i veçantë i hulumtimit ka qenë monitorimi i zbatimit të parimit të përgjegjshmërisë në Kuvendin e Komunës e pastaj edhe në organet tjera të Administratës Vendore.
Gjithashtu, gjatë këtij procesi kemi monitoruar dhe evidentuar se cilat informacione organet e Komunës së Ulqinit nuk i publikojnë edhe në gjuhën shqipe.
Hulumtimi në mënyrë të qartë tregon se Komuna e Ulqinit pjesërisht publikon informatat me rëndësi publike, në faqen e vet të internetit. Edhe pse publikimi i tyre proaktiv është i detyrueshëm me ligj, Komuna e Ulqinit në mënyrë të pamjaftueshme zbaton parimin e përgjegjshmërisë së administratës publike.
Kuvendi i Komunës së Ulqinit, duke mos publikuar listën e saktë të këshilltarëve të Kuvendit, procesverbalet nga mbledhjet e këtij organi të pushtetit, raportet nga mbledhjet e trupave punues të Kuvendit, informatat për amendamentet që dorëzohen si dhe rezultatet e votimit, vështirëson dukshëm informimin e qytetarëve për rezultatet e punës së përfaqësuesve të tyre legjitim, por njëkohësisht edhe kontrollin e punës së tyre.
Vlen të veçohet e dhëna se: Kryetari i Komunës së Ulqinit, dy nënkryetarë, Ministri për Të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave si dhe Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, sipas faqes zyrtare në internet të Komunës së Ulqinit, vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e këshilltarit në Parlamentin Lokal.
Po ashtu, mospublikimi i drafteve dhe propozimeve për shqyrtime publike, pastaj edhe i të gjithë vendimeve që miratohen në Kuvend, e bën pothuajse të pamundur pjesëmarrjen e palëve të interesuara në vendimmarrje si dhe përfshirjen e tyre në krijimin e politikave publike me rëndësi për komunitetin lokal. Por ajo që është më e rëndësishme në këtë kontekst, është fakti që as Rregullorja e Punës së Kuvendit, si dokumenti më i rëndësishëm i këtij organi, nuk është publikuar në faqen e internetit të Komunës së Ulqinit.
Komuna e Ulqinit respekton pjesërisht dispozitat ligjore për shqyrtimin publik. Mirëpo, duke mos publikuar raportet nga shqyrtimet publike, qytetarët të cilët nuk janë pjesë aktive e këtyre aktiviteteve të Komunës, nuk mund të informohen për rezultatet e tyre.
Komuna e Ulqinit nuk publikon listën e funksionarëve publik, të zyrtarëve dhe punonjësve të Administratës Vendore si dhe detyrat që ata kryejnë. Me këtë, jo vetëm që shkelen normat ligjore dhe parimi i përgjegjshmërisë, por dërgohet edhe një mesazh për publikun e gjerë, që për Komunën nuk është shumë i rëndësishëm komunikimi dhe kontakti i drejtpërdrejtë në mes të zyrtarëve dhe qytetarëve.
Një ndër rezultatet më befasues të këtij hulumtimi, padyshim që është mospublikimi i informacioneve në gjuhën shqipe. Në faqen zyrtare në internet të Komunës së Ulqinit publikohet një numër shumë i vogël i dokumenteve në gjuhën shqipe. Statutit i Komunës është dokumenti i vetëm në gjuhën shqipe i publikuar në faqen e internetit të Komunës së Ulqinit.
Në kategorinë „Vendimet e miratuara“ të faqes së internetit të Komunës, nuk është publikuar asnjë vendim në gjuhën shqipe.
Nga 22 formularë të publikuar në gjuhën malazeze në kategorinë „Kërkesat dhe formularët“, vetëm Fletëparaqitja Tatimore është publikuar në gjuhën shqipe.
Mungesa e përgjegjshmërisë ndaj publikut vërehet edhe në faktin se asnjë organ i Vetëqeverisjes Vendore nuk ka publikuar në gjuhën shqipe Udhëzuesin për Qasje të Lirë në Informata.
Komuna e Ulqinit në këtë mënyrë vështirëson direkt të drejtën e qytetarëve për qasje të lirë në informata. Qytetarët të cilët dëshirojnë t’i qasen informatave në gjuhën shqipe në faqen e internetit të Komunës së Ulqinit, ballafaqohen me mungesën e dokumenteve dhe formularëve në gjuhën e vet amtare.
Rezultatet e plote të hulumtimit mund t’i gjeni këtu.
Ky hulumtim u realizua në kuadër të projektit WeBER – Programi i shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor për monitorimin e reformës së administratës publike në nivelin lokal, të cilin e financon Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Mbretërisë së Holandës.