‘’Sot, në vazhdimin e mbledhjes së dhjetë të Këshillit për turizëm, bujqësi, ekologji dhe planifikim hapësinor u diskutua rreth Propozim-ligjit aktual mbi planifikimin e hapësirës dhe ndërtimit të objekteve, që vërtetë është propozim pozitiv, me të cilin do të tentohej të parandalohej ndërtimi i mëtutjeshëm jolegal dhe i pa plan. Është paraparë edhe përgjegjësia individuale, me të cilën do të identifikoheshin ata që keqpërdorin pozitën zyrtare dhe e shkelin ligjin’’, kështu shkruan në faqen e vet rrjetin social nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi Genci Nimanbegu nga radhët e Forcës së Re Demokratike.
‘’Mirëpo, centralizimi i plotë i vendimmarrjes është, gjithsesi, gjëja që bie ndesh me decentralizimin e pushtetit dhe forcimin e vetëqeverisjes lokale dhe institucioneve të saj. Andaj, në Këshill u deklarova KUNDËR këtij ligji, derisa vetëqeverisja lokale të mos i fitojë kompetencat e veta në vendimmarrje në këtë propozim-ligj, dhe në këtë mënyrë të përforcojnë autonominë e saj në vendimmarrjen mbi zhvillimin e hapësirës së vet’’, përfundon Nimanbegu.
Edhe përkundër votes kundër të Nimanbegut, Këshilli për turizëm, bujqësi, ekologji dhe planifikim hapësinor votoi sot pro këtij propozim ligji i cili pritet të jetë nesër, e marte me 26.09.2014, para deputeteve. Sipas të gjitha gjasave vota kundër e Nimanbegut edhe nesër në Kuvend nuk do të ndikojë në miratimin e këtij ligji.
Kohë më parë kryetaret e komunave të Kotorrit, Budvas dhe Herceg Novit Vlladimir Jokiq, Dragan Krapoviq dhe Stevan Katiq i’u kanë bë thirrje deputeteve të Partisë bosnjake, Iniciativës qytetare kroate dhe partive shqiptare që të mos marrin pjesë në mbledhjen e të martes të Kuvendit të Malit të Zi ku para deputeteve do të jetë propozim ligji për planifikim dhe ndërtim.