Shkruan Qani Osmani
Demokracia bashkëkohore sot as që mund të kuptohet e ndarë nga partitë politike. Veprimi dhe ndikimi i ndërsjellë i tyre është i pranishëm prej fazave më të hershme të paraqitjes së partive politike dhe zgjat deri në ditën e sotme, me tendencë që të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ç’ e vërteta, kjo lidhshmeri nuk ështe manifestuar në të gjitha fazat e zhvillimit të shoqërisë moderne në të njëjtën formë, në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtin intezitet. Partitë politike u vunë në shërbim të shoqërisë qysh në momentet kur masat e gjera popullore e fituan të drejtën e votës si një e arritur shumë e vlefshme e demokracisë moderne. Rritja e numrit të votuesve me siguri do të kishte provokuar çrregullime dhe kaos po të mos kishin ekzistuar partitë politike të cilat e morën si obligim ta luajnë rolin e ndërmjetësit midis qytetarëve që e gëzonin të drejtën e votës dhe shtetit, domethënë rolin e faktorit i cili do ta organizojë dhe mobilizojë trupin votues. Partitë politike prej atij momenti shndërohen dalëngadalë në mjet për realizimin dhe funksionimin e demokracisë. Ato së shpejti u shndërruan në pjesëmarrëse aktive në të gjitha proceset politike dhe demokratike në shtetet bashkëkohore. Domethënë, pjesmarrja e partive politike në proceset demokratike dhe politike bëhen një nga veprimet kryesore të tyre. Sikurse shihet, fizionominë dhe karakterin e sotëm partitë politike e marrin pas shumë lëvizjeve revolucionare dhe humane në shtetet e Evropës Perëndimore dhe SHBA, por vetëm atëherë kur e drejta e votës u normua si e drejtë elementare që u takon të gjithë qytetarëve që i plotësojnë disa kritere të parapara me ligj.
Partitë politike në shoqërinë bashkëkohore zënë vend shum të randësishëm. Ato janë faktorë pa të cilët s’mund të paramendohet zhvillimi shoqëror. Partitë politike janë mjaft aktive sidomos në krijimin dhe përparimin e demokracisë. Roli i tyre është i pakontestueshëm, kisha thënë dhe qendror, sidomos në shtetet që i kanë pranuar vlerat dhe kriteret e demokracisë moderne. Me vetë faktin se partitë politike paraqesin lidhjen ndërmjet njeriut të rëndomtë dhe shtetit, mund të konstatohet se jeta politike dhe demikracia janë të pamundshme ose tepër të cunguara pa partitë politike dhe garat që zhvillohen midis tyre në procesin e marrjes dhe të ushtruarit të pushtetit shtetëror. Duke mos e minimizuar rolin aq të rëndësishëm të partive politike në shoqëri, përsëri parashtrohet dilema: A thua vallë partitë politike çdoherë dhe në çdo rast janë në shërbim të shoqërisë dhe demokracisë si proces?! Për fat të keq, edhe pse pothuajse në parim të gjitha shtetet që synojnë demokracinë janë të prira të mendojnë se demokracia sot është e pamundshme pa partitë politike, praktika e veprimit të partive më ditë na bind se ato mund të ekzistojnë pa demokracinë.
Autorët e shumtë që merren me hulumtimin e partive politike, qartë vënë në dije se partitë politike vetvetiu nuk paraqesin kurrfarë garancie për zhvillimin demokratik të shoqërisë. Ashtu siç e ka vërtetua praktika e deritanishme. Partitë politike shpeshherë kultivojnë në vehte edhe ambicie të uzurpimit të vlerave demokratike. Ato në shumë raste i kufizojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, i ngulfasin dialogun dhe tolerancën, nxisin urrejtje ndërmjet etniteteve, racave dhe religjioneve të ndryshme. Historia e deritanishme e zhvillimit të shoqërisë njerëzore na ofron mjaft shembuj konkretë në këtë drejtim. Mjafton të përmendet veprimi i partive fashiste ndërmjet dy luftërave botërore dhe praktika e partive komuniste gjatë periudhës kur ato e ushtronin pushtetin shtetëror në shtetet socialiste të Evropës. Por, gjithashtu duhet të përmendet se dukuri të ngjashme, jo në formën e asaj që u përmend paraprakisht, hasim edhe te shtetet pa ndonjë traditë të madhe pluralo-partiake siç është rasti me vendet të cilat ne sot i njohim si “shtete në tranzicion”, së fundi, duhet cekur se partitë politike kanë kaluar nëpërmjet një rruge të gjatë evolutive, rrugë e cila ka lëvizë prej mohimit të partive politike drejt pranimit të tyre si “e keqe e domosdoshme e demokracisë”.
Veprimi i partive politike në shoqëritë bashkëkohore është shumëdimensional, pesha e tyre shoqërore vjenë në shprehje para së gjithash në ndikimin që ato e ushtrojnë ndaj politikës shtetërore. Në qoftë se partia e merr pushtetin shtetëror, atëherë shteti në një farë mënyre shndërrohet në instrument të realizimit të programit të partisë politike (ose programeve të partive politike kur është fjala për qeveri të koalicionit); por në shtetet me traditë demokratike shumëpartiake, strukturat shtetërore më pak ose më shumë mbajnë llogari edhe për kërkesat dhe nevojat e partive opozitare. Së fundi, niveli i demokratizimit të një shoqërie para se gjithash shihet nga hapësira manovruese që e kanë në disponim partitë e opozitës, me kusht që opozita të luaj rol konstruktiv në shoqëri.
Partitë politike sipas rregullave demokratike, brenda afateve të caktuara kohore (zakonisht katervjeçare), para qytetarëve “japin llogari” për atë se sa në të vërtetë kanë qenë në dimensionin e të përgjizhshmes që me aq elan e plasojnë në opinion. E gjith kjo para se gjithash bëhet gjatë fushatës zgjedhore, si formë më masive e debatit publik për çështjet kyç të zhvillimit të shoqërisë. Prandaj nuk është e rastit që zgjedhjet në vendet me traditë demokratike, llogariten si “mekanizëm për mbrojtjen e qytetarëve” nga keqpërdorimi i atyre që gjenden në pushtet.
Partitë politike paraqiten para se gjithash si promotorë kryesor në procesin e krijimit të vullnetit politik të popullit. Rezulltatet e këtij veprimi zakonisht vijnë në shprehje gjatë zgjedhjeve, qofshin ato presidenciale, parlamentare ose vendore. Atje ku respektohen rregullat demokratike, i mundësohet çdo qytetari të votojë sipas bindjes dhe vullnetit të tij politik. Megjithatë, rrespektimi i regullave demokratike nuk është parim i pranuar dhe i respektuar në të gjitha shtetet pluralo-partiake. Janë të shumta rastet kur vjen deri te “dhunimi” i votës së lirë dhe vullnetit të popullit gjatë procesit zgjedhor, por rdhe më vonë gjatë ushtrimit të pushtetit shtetëror nga partia ose partitë ngadhënjyese. Partitë në pushtet nuk guxojnë të mbajnë llogari vetëm për nevojat e zgjedhësve që u kanë dhënë përkrahje gjatë garave zgjedhore. Përkundrazi në shoqëritë demokratike gjatë qeverisjes së vet në përmasa të caktuara duhet të heqin dorë nga programet e tyre, duke e respektuar sadopak edhe vullnetin e qytetarëve të cilët gjatë zgjedhjeve kanë përkrahur obsione tjera; aq më shumë në qoftë se merret parasysh fakti se një përqindje e qytetarëve më të drejtë vote për shkaqe të ndryshme mbeten çdoher si të papërcaktuar.
Sido që të jetë, partitë politike “janë mekanizmat kryesor që i krijojnë mundësitë dhe lehtësimet e nevojshme që të ushtruarit e pushtetit shtetëror të kalojnë nëpërmjet popullit dhe të legjitimohen nga vota e popullit”. Aktiviteti i partive politike në rrumbullakimin e mendimit politik, është punë mjaftë e rëndësishme dhe e dobishme. Nëpërmjet të këtij aktiviteti partitë politike shndrohen në mekanizma të fuqishëm të funksionimit të demokracisë. Në demokracitë moderne, vullneti i popullit përfundimisht duhet të shprehet nëpërmjet partive politike.
Shikuar në përgjithësi nga ky aspekt, krijohet përshtypja se partitë politike dhe demokracia zhvillohen bashkërisht, se ato e plotësojnë dhe ndihmojnë njëra tjetrën, gjë që në parim është më se vërtetë. Megjithatë praktika e zhvillimit të shoqërive partiake jep argumente të shumta se partitë politike në raste të veçanta bëhen pengesë serioze për zhvillimin e demokracis dhe të shoqërisë përkatëse. Kjo dukuri është më shumë e pranishme te shtetet pa traditë demokratike pluralo-partiake. Se sa do të jenë partitë politike në shërbim të demokracisë varet nga më shumë faktorë, në radhë të parë nga niveli i zhvillimit ekonomik, funsionimi i shtetit juridik, natyra e sistemit politik, numri i partive politike, kultura politike, emancipimi i masave të gjera popullore etj.