Foto: Rexhep Rifati

Mbrëmë (të marten) në ambientet e muzeut dhe të galerisë së arteve në Kalanë e Ulqinit, filloi një nga manifestimet më të mëdha kulturore të kësaj perle të Adriatikut: “Skena verore 2017”.

Teksti: Rexhep Rifati, Ulqin

Në këtë vit jubilar të kësaj ngjarje të madhe kulturore ulqinake, kur mbahet edicioni i 30-të i këtij manifestimi, që do të zgjas plot 23 netë, përmes një programi të larmishëm( shfaqje, mbrëmje letrare , ekspozita, muzikë ose filma), turistët e shumtë do të kenë mundësinë të përjetojnë një ambient më se festiv, por edhe freskues për këto ditë të përcjella me një vapë përvëluese.

Në mbrëmjen e parë një numër i konsiderueshëm artdashësish pati rastin të përcjellë dy pika artistike në interpretim të aktorit të mirënjohur, Çun Lajçi si dhe të artistëve të ri ulqinak, siç janë këngëtarja Erjona Hoti dhe aktori Bashkim Alaj e tjerë, që krijuan një ambient më se mbresëlënës.

Në emër të nikoqirit manifestimin e shpalli të hapur drejtori i Qendrës së Kulturës së Ulqinit, Astrit Salaj i cili i shprehi mirënjohje Komunës së Ulqinit dhe Ministrisë së Kulturës së MZ për mbështetje materiale për këtë ngjarje kulturore që paraqet ndër më të mëdhatë në nivel komunal.

Përndryshe redaktoret e këtij programi janë Astrit Salaj, Jetmira Hoxha dhe Bashkim Alaj, skenografe Jetmira Hoxha dhe disajnere Alma Sulejmanoviq.
Në këtë ngjarje kulturore , pos disa figurave arti të këtij regjioni ishte edhe njëri nga poetët më të shquar në mërgatë, Mentor Thaqi (me banim në Gjermani ) i cili edhe u intervistua nga TV Teuta nga Ulqini, që po përcjell këtë ngjarje kulturore nga kultura.

By admini