Zjarret në territoret e Podgoricës janë nën kontroll, por jo edhe disa tjerë në bregdet

Në pjesën jugore dhe qendrore të Malit të Zi, zjarrfikësit po luftojnë me flakët e zjarrit, të cilat, për shkak edhe të erërave të forta po rrezikojnë shtëpitë dhe banorët. Për shkak të situatës së krijuar nga stuhia e zjarrit në Llushtica janë evakuuar qindra banorë, madje disa shtëpi edhe janë shkrumbuar plotësisht. Evakuimi i banorëve është bërë me ndihmën e Ushtrisë, Marinës dhe të Njësisë së lundrimit të Budvës. Vatra e zjarrit ka përfshirë edhe lokacionin Bigovo dhe Ponte. Edhe në komunën e Cetinës, Nikshiqit dhe Danillovgradit disa lokacioni janë përfshirë nga vatrat e zjarrit ku njësitet e zjarrfikësve të mbështetur edhe nga banorët po luftojnë me flakët. Kurse zjarret në territorin e kryeqytetit momentalisht janë nën kontroll, ka deklaruar komandanti i shërbimit të mbrojtjes Andrija Çagjenoviq, duke shtuar se të gjitha ekipet në gatishmëri, për shkak të erës së fortë, transmeton lajmet në gjuhën shqipe të RTMZ.
Çagjenoviq për agjencinë Mina ka theksuar se prej dje në mëngjes kanë pasur 70 intervenime, kurse prej fillimit të muajit korrik në territorin e kryeqytetit janë regjistruar 745 zjarre. Sipas fjalëve të tij, situata momentale është relativisht e qetë. Çagjenoviq ka theksuar se sot në Podgoricë frynë erë e fortë dhe është paralajmëruar përforcimi i tij. Kështu edhe sot zjarrfikësit janë në gjendje të gatishmërisë. Gjatë natës së brendshme ekipet e zjarrfikëseve kanë vepruar se në disa lokalitete me zjarr në rajonin bregdetar dhe qendror të Malit të Zi, ka kumtuar drejtoria për situatat e jashtëzakonshme. Theksohet se aktiv janë disa zjarre në pjesët jugore dhe qendrore të vendit. Përfaqësuesit e komunës së Herceg Novi u kanë bërë ftesë qytetarëve që të marrin pjesë në shuarjen e zjarrit në Llushticë. Të theksojmë se rreth 100 kampues dhe turistë janë evakuuar nga kepi Veslo afër Llushticës, kurse zjarre aktive akoma ka edhe në pjesët tjera të Malit të Zi me përjashtim të viseve veriore, është kumtuar nga drejtoria për situatat jashtëzakonshme të ministrisë për punë të brendshme.

Kërkohet angazhimi i kanaderëve

Kryetaret e komunave Herceg Novit, Kotorit dhe Tivatit kanë kërkuar nga kryeministri Dushko Markoviq dhe ministria për punë të brendshme e Malit të Zi për angazhimin urgjent të aviacionit në shuarjen e zjarrit në Llushticë. “Duke pasur parasysh situatën alarmuese, konsiderojmë se është e domosdoshme angazhimi urgjent i aviacionit në shuarjen e zjarrit dhe ju lusim që urgjentisht të ndërmerrni masa plotësuese dhe të kërkoni ndihmë nga shërbimet gjegjëse të vendeve për rreth”, thuhet në kërkesë. Në shuarjen e zjarrit, siç shkruan në portalin Vijesti, së bashku marrin pjesë forcat e shërbimeve nga Herceg Novit, Kotorrit, Tivatit dhe Budvës, banorë të shumtë dhe ndërmarrës të cilët me këtë stuhi po luftojnë pa ndërprerë. Shumica e banorëve dhe e turistëve nga rajoni i përfshirë me zjarr janë evakuuar.

Zjarre të shumta në zona të ndryshme të vendit

Këtë periudhë të vitit, në këto hapësira, rëndom e karakterizojnë temperatura të larta të cilat mjaft shpesh arrijnë deri në 40 gradë celsius. Moti i tillë shkakton telashe të shumta për banorët, në rrjedhën normale të jetës së përditshme sidomos në kryerjen e obligimeve të rregullta të domosdoshme edhe krahas kushteve të motit. Mirëpo ajo që duhet veçuar si dukuri mjaft të shpeshtë në këtë periudhë janë zjarret e shumta pothuajse në çdo pjesë të vendit. Kjo dukuri përveç dëmeve materiale, paraqet rrezik potencial edhe për jetën e banorëve pasi është e vështirë që njeriu të përballet me këtë dukuri respektivisht me shuarjen e zjarreve të cilët më së shpeshti janë të përmasave mjaft të mëdha. Në dhjetë ditët e fundit janë shkaktuar qindra zjarre në zona të ndryshme; në afërsi të lagjeve të banuara, përgjatë rrugëve dhe madje edhe në afërsi të zonave urbane. Shërbimet për mbrojtje dhe shpëtim janë treguar mjaft efikase në lokalizimin e zjarreve të tilla dhe për fat, deri më tani nuk kanë shkaktuar pasojat më të rënda. Prej dje ka shpërthyer një zjarr mjaft i madh edhe në malin Deçiq, në territorin e KU të Tuzit, i cili, sidomos gjatë natës, dukej mjaft i frikshëm pasi përfshinte sipërfaqe bukur të madhe të këtij mali, i cili pothuajse çdo vit përfshihet nga zjarri në gjithë sipërfaqen e tij. Edhe pse në këtë pjesë është i pabanueshëm, prapëseprapë, zjarri gjithherë shkakton dëme dhe është rrezik potencial për banorët përreth. Pasi këtyre ditëve është duke fryrë erë e fortë pothuajse në gjithë vendin, edhe shuarja e zjarreve është shumë më e vështirë pasi era e fortë e shpejton hapjen e tyre. Ajo që mund të pritet nga vet qytetarët është të jemi të vëmendshëm dhe që, së paku, me asnjë veprim të mos jemi shkaktar të zjarreve sepse pasojat gjithherë janë të përbashkëta.

Ministria e Punëve të Brendshme të Malit të Zi permes mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian ka paraqitur një kërkesë për ndihmë ndërkombëtare.

 

By admini