Shkruan Agim Vinca
Kohë më parë, në një intervistë për shtyp, pata thënë se kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare- Lëvizjes për Reforma (PDSH-LR), Zijadin Sela, është i vetmi politikan shqiptar në Maqedoni që ka karizmën e një lideri.
Krejt mllefin dhe urrejtjen e tyre patologjike, huliganët e Gruevskit, që hynë dhunshëm në ndërtesën e Kuvendit të Maqedonisë, sikur e kishin me djaloshin flokëgjatë e trupgjatë nga Livadhia e Strugës, krenar e elokuent dhe të formuar politikisht, zotin Ziadin Sela.
Askush nga deputetët shqiptarë nuk pësoi si ai, sepse askush nuk ka qenë aq i qartë, aq i artikuluar dhe aq konsekuent në deklaratat dhe paraqitjet e tij për barazinë e shqiptarëve në shtetin që quhet Republika e Maqedonisë.
Dhe jo vetëm në kohë të fundit, në situatën e krijuar pas zgjedhjeve të 10 dhjetorit 2016, por edhe më parë, gjithnjë, prejse ka dalë në skenën politike.
Mbahet mend performanca e tij si deputet në Kuvendin e Maqedonisë, vite më parë: diskutimet dhe kërkesat e qarta, të guximshme e të argumentuara. Njerëzit, sidomos të rinjtë, në tërë Maqedoninë shqiptare, e ndalonin në rrugë që ta përshëndesnin dhe të fotografoheshin me të.
Edhe si kryetar komune, i komunës së Strugës, ku u zgjodh në një konkurrencë të fortë, por plotësisht luajale, me një djalosh tjetër atdhetar nga kjo trevë, Arben Labënishtin, u përpoq të punonte sa më shumë dhe sa më mirë që ishte e mundur. Por u ballafaqua vazhdimisht me obstruksionet e pushtetit qendror, që i bëheshin në çdo hap, sidomos në buxhet, si dhe me intriga dhe stërkamca të shumta në nivelin lokal të një komune, e cila, për shumë arsye, mund të quhet e vështirë për t’u qeverisur, siç është Struga.
Kam vërejtur se fjala më e shpeshtë në diskursin politik të Ziadin Selës, siç e shkruan emrin e vet ai, ngaqë ashtu e kanë regjistruar, është fjala: dinjitet.
Zijadin Sela është politikan që lufton pa kompromis për të drejtat, liritë dhe dinjitetin e popullit të vet, të popullit shqiptar në Maqedoni.
Zijadin Sela është politikan dhe veprimtar politik, që duke luftuar për të drejtat, liritë dhe dinjitetin e popullit të vet, nuk i cenon në asnjë rast të drejtat, liritë dhe dinjitetin e të tjerëve.
Në këtë aspekt ai është nxënës i poetit tonë të madh kombëtar, Naim Frashërit, i cili thoshte se ne shqiptarët duam të jetojmë në paqe me sllavët e të tjerët si fqinj të mirë ose edhe bashkë, por me një kusht: “që me një shikim të kuptohet se e drejtë e tjetrit duhet të respektohet”.
I qartë në qëndrime dhe i guximshëm në veprime, jo vetëm në planin politik, por edhe në atë kulturor e identitar, ai u bë halë në sy të shovenëve dhe obskurantistëve të të gjitha ngjyrave.
Deri dje ai ishte më i shari në portale e emisione; ishte cak i vazhdueshëm i dhunës verbale, kurse nga mbrëmë edhe viktimë e terrorit fizik të shovinistëve maqedonas, të cilët të dehur nga mllefi e urrejtja, e goditën rëndë atë.
Huliganët e ndërkryer, të ndërsyer nga politika e diktatorit të vogël ballkanas, Nikolla Gruesvki dhe vegla e tij qorre, Gjorgje Ivanov, i quajtur “President”, duan t’i frikësojnë njerëzit si Zijadin Sela që luftojnë për kauzën e tyre të drejtë.
Të dehur nga shovinizmi, por edhe nga etja për pushtet, ata nuk i zgjedhin mjetet as ndaj kundërshtarëve politikë nga radhët e etnisë së tyre, sepse mbrëmë, në “tempullin e demokracisë”, u përgjak edhe kryetari i LSDM-së dhe kandidat për kryeministër të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe disa deputetë të tjerë.
Ata që në mbrëmjen e 27 prillit hynë si egërsira në ndërtesën e Kuvendit të Maqedonisë, duhet të ndëshkohen në mënyrë shembullore: me burg për dhunë ndaj institucionit më të lartë legjislativ të vendit dhe ushtrim dhune ndaj përfaqësuesve të popullit, deputetëve të dalë nga zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Duhet të ndëshkohen huliganët dhe të demaskohen e ndëshkohen ata që i kanë frymëzuar dhe vazhdojnë t’i frymëzojnë të tillët për veprime të dhunshme, që po qe se nuk ndëshkohen mund të përsëriten në mënyrë edhe më brutale.
Në qoftë se ata që ushtruan dhunë ndaj deputetit Zijadin Sela, duke ia rrezikuar edhe jetën, por edhe ndaj të tjerëve, nuk dënohen, por lihen të lirë, në mos edhe shpërblehen, nuk përjashtohet mundësia që të veprojë ligji i lashtë i njohur në këto troje që nga tragjeditë antike: vetëgjyqësia.
Kryetari i PDSH-LR-së dhe deputeti i Kuvendit të Maqedonisë, Zijadin Sela, mjek me profesion, është në duart e mjekëve, në spital. I urojmë shërim të shpejtë dhe kthim sa më të shpejtë në punën dhe aktivitetin e tij politik, për të mirën e shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
/insajderi/