Nga Enver Robelli

Në opinionet publike të Zagrebit, Sarajevës, Beogradit dhe Podgoricës ka shpërthyer një debat i ashpër mbi gjuhën «serbokroate» dhe «kroatoserbe», pasi dhjetëra intelektualë nënshkruan një deklaratë, në të cilën kërkojnë një vetëdije më të lartë për gjuhën e përbashkët.

228 «tradhtarë» nga Kroacia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi deri të dielën kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, në të cilën bëjnë thirrje për rritjen e vetëdijes për gjuhën e përbashkët, të cilën e flasin popujt e ish-Jugosllavisë, sllavët e jugut. Dikur ajo gjuhë quhej «serbokroate» ose «kroatoserbe». Kur të botohet ky tekst në gazetë numri i «tradhtarëve» mund të jetë edhe më i madh, sepse nënshkrimi i deklaratës në internet vazhdon të jetë i hapur. «Tradhtarët» që thonë se serbët, kroatët, boshnjakët dhe malazeztë flasin variante të një gjuhe janë filozofë, shkrimtarë, aktorë, gazetarë, politologë, sociologë, regjisorë, linguistë, dramaturgë, shumica të njohur përtej kufijve të vendeve të tyre.

Në fakt, ata quhen «tradhtarë» nga qarqet politike dhe nacionaliste, sepse bëjnë thirrje që gjuha të mos instrumentalizohet për interesa të politikës ditore dhe të garave nacionaliste rajonale. Emrat e nënshkruesve shpjegojnë përse janë nervozuar sidomos politikanët në Zagreb, të cilët gjuhën kroate duan ta shohin si tërësisht të veçantë nga serbishtja apo gjuha boshnjake. Nënshkrues të deklaratës për gjuhën e përbashkët janë intelektualë me renome si profesori i letërsisë nga Sarajeva, Enver Kazaz, autorja Ivana Bodrozhiq, pastaj Vladimir Arsenijeviq, Balsha Bërkoviq, Borka Paviçeviq, Rade Sherbexhija, Igor Shtiks, Mirjana Karanoviq, Boris Dezhuloviq, Nenad Veliçkoviq, Marko Tomash, Rajko Gërliq, Filip David, Teofil Pançiq, Jasmila Zhbaniq, Viktor Ivançiq, Dragan Markovina, Boris Buden, Bilana Sërblanoviq, Ranko Bugarski, Snjezhana Kordiq etj.

Me shpërbërjen e Jugosllavisë ka filluar edhe procesi i shpërbërjes së gjuhës së përbashkët. Veçimi gjuhësor përherë ka qenë edhe përpjekje për të treguar e demonstruar ndarjen dhe dallimin nga tjetri. Në këtë sport janë shquar sidomos linguistët kroatë, duke shpikur fjalë nga më aventurieret për të hequr kështu «ndikimin e serbishtes». Dalldia nacionaliste shkon deri aty, saqë në Vukovar nacionalistët kroatë duan të zhdukin edhe alfabetin cirilik. Po ashtu, ka një përpjekje për ringjallje të sa më shumë gjermanizmave në gjuhën kroate. Kështu synohet të tregohet se në krahasim me «Ballkanin e prapambetur» kroatët përherë kanë qenë pjesë e civilizimit të madh austrohungarez.

Shkrimtari i madh kroat Miroslav Kërlezha në veprën e tij, ndërkaq, kritikon jo vetëm arrogancën feudale dhe aristokrate të sundimtarëve austrohungarezë, por edhe mendësinë e robit të bashkëkombësve të tij. Për këtë arsye Kërlezha ishte një mbështetës kritik i shtetit të përbashkët të sllavëve të jugut, kuptohet për aq kohë sa nuk ka përpjekje për dominim nga nacionalistët serbë. Kërlezha kishte atakuar me fjalë të ashpra Mbretërinë e korruptuar Serbo-Kroato-Sllovene dhe dhunën e Beogradit në Kosovë mes dy luftërave botërore. Simpatia e tij për Jugosllavinë ishte e bazuar kryesisht në luftën antifashiste të personifikuar nga Josip Broz Tito.

Shpërbërjen e gjuhës nacionalistët serbë e kanë shfrytëzuar për të bërë zhurmë dhe për t’u tallur me kroatët dhe boshnjakët, të cilët gjoja flasin serbisht. Por mjafton të shikohet pak tradita letrare e sllavëve të jugut. A gjendet ndonjë emër serb në periudhën e renesancës? Të barokut? Klasikës? Romantizmit? Gati të gjithë shkrimtarët janë kroatë. Në anën tjetër, ashtu siç ka lënë gjermanishtja gjurmë në gjuhën kroate, edhe turqishtja ka lënë gjurmë në serbisht: linguistët serbë thonë se në fjalorin serb gjenden rreth 3000 turqizma, diplomatët turq flasin për 7000 fjalë turke që pasurojnë vokabularin serb. Pak a shumë kjo vlen edhe për boshnjakët dhe malazeztë, që kanë jetuar gjatë nën sundimin osman.

Tani të gjithë flasin gjuhën e vet. Edhe Mali i Zi ka gjuhën e vet. Malazezçe? Malazezisht? Gjuha malazeze. Boshnjakët që në Jugosllavi kanë folur serbokroatisht tani flasin gjuhën e tyre boshnjake. Serbët vazhdojnë të flasin serbisht, por që nga fillimi i viteve ‘90 vërehet një përpjekje e qarqeve politike dhe intelektuale për të favorizuar dominimin e alfabetit cirilik në jetën publike. Por nga gazetat kryesore vetëm «Politika» botohet në alfabetin cirilik, ndërsa gazetat më proruse si «Informer» e «Kurir» vazhdojnë ta rrejnë popullin me shkronja latine.

Nënshkruesit e deklaratës për gjuhën e përbashkët nuk mohojnë asnjë gjuhë, asnjë variant, asnjë dialekt. Ata vetëm kërkojnë që të hiqet dorë nga shpikja e ndarjeve gjuhësore. Sepse fakt është se një kroat dhe një serb kur flasin nuk kanë nevojë për përkthyes. Kjo është dëshmuar edhe gjatë luftës kur Franjo Tuxhmani dhe Slobodan Milosheviqi flisnin në telefon në linjën Zagreb-Beograd dhe takoheshin në rezidencën e Titos në Karagjorgjevë për të bërë plane për ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës. Sot jo pak gazetarë kroatë shkruajnë për mediat serbe apo boshnjake dhe tekstet e tyre nuk përkthehen.

Nisma gjuhësore e intelektualëve të pangarkuar me helmin nacionalist ka zemëruar, për shembull, presidenten kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq, e cila tha se gjuha e përbashkët ka vdekur me vdekjen e Jugosllavisë. Kështu presidenten kroate e tradhtoi gjuha, sepse me deklaratën e saj, ajo, në fakt, e pranoi se ka ekzistuar një gjuhë e përbashkët. Tërë këtë debat më së miri e përmblodhi shkrimtari nga Beogradi, Vladimir Arsenijeviq: «Nëse kuptohemi, atëherë flasim gjuhën e njëjtë».

/Koha Net/

By admini