Shkruan Dr Argëzon Sulejmani

MMR paraqet inicialet për morbill(fruth), mumps(parotidis-shyta) dhe rubeollë. Në fakt, bëhet fjalë për vaksinën e kombinuar, e cila në shumicën e kalendareve kombëtare të vaksinimit, që përpilohet nga Instututi i Shëndetit Publik, parashihet të jepet në fillim të vitit të dytë të jetës tek secili fëmijë.
Qëllimi i çdo vaksine është i thjeshtë: të krijohet imunitet për sëmundjet infektive, të cilat nëpër kohëra kanë shkaktuar epidemi e katastrofa humane. Përmes modaliteteve prej të cilave përbëhet vaksina organizmi ynë krijon kontaktin e parë me agjentin e huaj infektiv. Në këtë mënyrë krijon sistem mbrojtës ndaj të njëjtit dhe në rast kontakti të dytë me virusin real reagon me imunitet të sofistikuar, i cili i pamundëson virusit në fjalë zhvillimin e shtrirjen. Në këtë formë është arritur që shumë sëmundje infektive fatale të kohëve të mëhershme të mbeten thjeshtë një histori e tejkaluar e hidhur: difteria, poliomieliti, etj.

MMR është vaksina e paraparë t’u jepet fëmijëve me të mbushur një vit. Si dhuratë për datëlindjen e parë!? Është modalitet i tre viruseve, emërtimet e të cilëve së bashku me sëmundjet që shkaktojnë janë cekur që në krye të temës. Por, asnjëra nga këto nuk është arsyeja përse sot flitet aq shumë, aq hutueshëm për vaksinën në fjalë. MMR vaksina është bërë kryetemë në dekadat e fundit, me arsyetimin se e njëjta ose pjesë përbërëse të saj kanë ndikim në shfaqjen e çrregullimeve të spektrit autik, më konkretisht autizmit.

Historia e hutisë në lidhje me vaksinimin në përgjithësi, kurse me vaksinën MMR në veçanti i ka fillet pas viteve ’90. Vite, nëpër të cilat mjekësia po përballej me një fenomen të ri që numerikisht dhe substancialisht po rritej përditë: çrregullimet e spektrit autik, njohur për publikun si autizëm. Në fakt, autizmi përbën vetëm njërin nga 5 çrregullimet që më pas do të grupoheshin nën termin çrregullime të spektrit autik.
Gazeta britanike për studime mjekësore ‘The Lancet’ e para hodhi hipotezën e ndërlidhjes në mes përmbajtjes së vaksinës MMR dhe autizmit. Gastroenterologu Wakefield, në vitin 1998 hamendësoi të ketë gjetur një ndërlidhje të tillë, duke u thirur në proceset që kishte studiuar në traktin tretës. Kjo shërbej si çelës që do të hapte kutinë e Pandorës, e cila mbase nuk do të arrijë asnjëherë më të bëjë rikthesën ideale. Dr Wakefield u akuzua, me pas u dënua e në fund u përjashtua nga regjistri britanik i mjekëve me faktimin se kishte dhënë rezultate të falsifikuara e të rrejshme. I dënuari i pranoi atëbotë të gjitha akuzat.

Megjithatë, falë këso storjesh, rezultatet e para janë të prekshme. Morbilli(fruthi) është rizgjuar e  zgjeruar në zona epidemike në mbarë botën. Së fundmi, me këtë problem janë përballur edhe vendet e rajonit: Serbia në vitet 2014/15 dhe këtyre muajve Rumania, e cila ka shënuar mbi 2000 të sëmurë dhe 13 viktima, kryesisht fëmijë, pas rënjes së vaksinimit me MMR në masën nën 70%. Viktimat na e bëjnë të ditur se sa seriozisht duhet kuptuar këtë problematikë. Institucionet e Shëndetësisë Publike duhet të ndezin alarmin në mënyrë që të nisë një fazë e re e vetëdijësimit dhe sqarimit të të gjitha pikëpyetjeve eventuale. Prindërit e rinj nuk do duhej të liheshin në mes dy zjarreve. Është përqindja mbi 95% të vaksinuar ajo që siguron mbrojtjen nga epidemitë eventuale. Këto të dhëna duhet t’i kemi  parasyshë sa here u lëshohemi debateve ‘pro et contra MMR’.

Organizata Botërore e Shëndetësisë(OBSH) ka sqaruar se spektri i çrregullimeve autike numerikisht po fiton terren, çka paraqet mundësi të shumta keqinterpretimi. Deri në vitet e ’80 risku ndaj diagnostikimit me çrregullime të spektrit autik ishte 1:10.000 fëmijë, në vitin 1992 1:150 fëmijë, në vitin 2004 1:68 fëmijë, kurse në dy vitet e fundit shifrat varjojnë, por që janë dramatike.
OBSH(WHO), bazuar në raportin e Komitetit Mbikqyrës Global për Sigurinë e Vakcinave (GACVS) ka ardhur në përfundimin se nuk ekziston asnjë mundësi ndërlidhjeje në mes përmbajtjes së vaksinës MMR dhe autizmit apo çrregullimeve të spektrit autik. Gjithashtu, bazuar në të njëjtin raport, thuhet të jetë arritur në konkluzën që nuk është e nevojshme të ndahet kompleksi MMR në M+M+R me arsyetimin se kjo do ta zvogëlonte shkallën e vaksinimit.

By admini