Çdo qytetar i Ulqinit, njëlloj si çdo qytetar i botës, dëshiron të ketë një mjedis të pastër. Hapësira të gjelbëruara. Të planifikuara. Parqe të bukura. Infrastrukutrë adekuate.Të nevojshme. Funksionale. Plane të aprovuara urbane. Lagje më urbane. Ndërtime me infrastrukutrë përkatëse. Thënë shkurt një mjedis të mbrojtur dhe të menaxhuar me më shumë kujdes. E me përgjegjësi më të lartë qytetare. Praktika e deritashme e zhvillimit stihik të qytetit të Ulqinit, në mungesë të Planit Hapësinor Urbanistik, ka krijuar një kaos urbanistik. Një situatë krejtësisht konfuze ose e parregullt, urbane. Për pasojë të kësaj mungese totale e organizimit urban në Ulqin kemi telashe e halle të mëdha të zhvillimit urban dhe ndërtimit.
Në çdo bisedë apo diskutim për zhvillimin e këtij qyteti, pothuaj është e pashmangshme shprehja “ kaos urban” dhe përpjekja për të gjetur fajtorët. Në një situatë të këtillë nuk mendoj se është e rëndësishme të merremi vetëm me definimin e shkaktarëve dhe fajtorëve, pasi të gjithë e kemi hisen e përgjegjësisë. Kush më pak e kush më shumë. Më të rëndësishme e vlerësoj vullnetin dhe përjekjet e fundit të pushtetarëve vendorë dhe qëndrorë për të ndryshuar sjelljen ndaj këtij problemi ( lexo ndërtimi pa leje) , me ndikim të madh në jetën dhe cilësinë e jetës së qytetarëve të këtushëm në përgjithësi. Në këtë kontekst e lexoj vizitën e fundit që i bënë Ulqinit delegacioni qeveritar prej katër ministraash, ministri i Drejtësisë dhe nënkryetari i Qeverisë Zoran Pazhin, ministri i Turizmit dhe Zhvillimit të Qënndrueshëm Pavle Radulloviq, ministri i Punëve të Brendshme Mevludin Nuhoxhiq, minsitri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Mehmet Zenka. Bashkë me ta edhe sekretarja e Ministrisë së Drejtësisë Nada Stanishiq, drejtoresha e Drejtorisë për Planifikim të Hapësirës Dragana Çeniq, drejtori i Drejtorisë për Ndërtimtari Danilo Gvozdenoviq dhe shefi i Kabinetit të ministrit për të turizmit Mileva Lukiq. Kjo, nëse nuk jam gabuar, është hera e parë në periudhën e pluralizmit politik që brenda një dite të kenë vizituar Ulqinin kaq funksionarë të lartë të shtetit. Dhe është mirë që kanë ardhur. Le të vijnë përsëri, në të mirën e qytetarëve të këtij qyteti. Pa një partneritet, bashkëpunim dhe korodinim të pergjegjshëm, serioz të veprimeve të përbashkëta të zyrtarëve komunalë dhe atyre qendrorë nuk mund të ndalohet me sukses kjo dalldi e ndërtimeve pa leje në këtë qytet. Pa këtë bashkëpunim të fortë të vetëqeverisjes vendore me atë qendrore nuk është i mundur as zhvillim ekonomik as valorizimi i potencialeve të Ulqinit.
Ministri i Drejtësisë dhe nënkryetari i Qeverisë Pazhin theskoi vendosmërinë e qeverisë se do të ndërmarrë të gjitha masat e duhura për ndalimin e ndërtimeve pa leje sepse kjo dukuri, siç tha, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërcënon interesin publik dhe sfidon rendin juridik të shtetit.
Edhe kryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu paralajmëroi procesin e legalizimit të ndërtimeve informale. “Qytetarët të cilët kanë ndërtuar për nevoja ekzistenciale dhe ata të cilët në mënyrë brutale kanë shkelur ligjin duke ndërtuar objekte për përfitime materiale nuk do të kenë të njëjtin trajtim gjatë procesit të legalizimit”, është shprehur Cungu.
Tani qytetarët e Ulqinit presin rezultate konkrete, të menjëhershme, efikase nga institucionet lokale, qendrore dhe nga gjykatat. Mosveprimi i tyre i shpejt dhe i duhur në pajtim me ligjin dhe anashkalimi i rregullave në rrethanat tona do të kenë ndikim serioz në vazhdimin e një kasoi të krijuar të situatave urbane, me pasoja shumë më të mëdha.