Atyre, dhe vetëm atyre, që po mbajnë lartë etikën dhe emrin e mësuesit !        

Shkruan Qani  Osmani

Për ne shqiptarët, një ndër datat me rëndësi kombëtare është 7 Marsi-Dita e Mësuesit, e cila shënohet si një ngjarje me shumë rendësi kulturore dhe kombëtare në të gjitha trojet e banuara me shqiptarë. Kjo datë ka zanafillën e hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqipe, në fakt ka filluar të kujtohet, që nga viti 1960-të, ku shteti Shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjëtore shqipe të Korçës e cila u themelua me 7 mars të vitit 1887. Festa e mësuesit në rrafshin kombëtar shërben për t’i vlerësuar traditat më të mira të shkollës shqipe, pa dyshim edhe figurën e nderuar të mësuesit, por edhe gjithë punonjëseve të arsimit si edukator të brezit të ri dhe si kontribues aktiv të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare.

Për të arritur deri tek ditët e sotme, pra që 7 marsi, apo ndonjë ditë tjetër, që kujton shkollën tonë shqipe, zanafillën dhe lindjen e saj, është dashur shumë kohë, kohë lufte e përpjekje të pa ndërprerë nëpër shekuj, për të mbijetuar gjuha jonë, kultura, historia të zënit e shkrimit dhe këndimit shqip, mbijetesën tonë kombëtare etj. Jo pak herë gjatë historisë armiqët e ndryshëm kundërshtuan dhe luftuan për vdekje me qëllim që ta zhduknin ardhmërinë tonë. Armiqët tanë gjat historisë na e mohuan gjuhën, shkrimin, kulturën, historin, etnogjenezën, folklorin, toponimet, pagëzimet…duke na i zhdukur e duke i përvetësuar ato për vetën e tyre! Shumë nga manastiret dhe objekte tjera të kultit shqiptar, sot janë të zhdukura, ose të përvetësuara nga pushtuesit tanë turq, sërb, malazias, grek, bullgar etj.

Gëzon, fakti që populli shqiptar gjat historisë ka qenë i lidhur për gjuhën, historisë dhe tokave të veta me rrënjë, po sikur lisi shekullor, kështu që rrugën e zhvillimit, përparimit dhe shkollimit, së bashku me ndjenjën e atdhedashurisë në gji e ka ruajtur e kultivuar me ngulm e fanatizëm për të arritur deri te ditët e sotme.

Ata që sot janë më të moshuar i mbajnë mendë ato kohëra kur mësuesit gëzonin “autoritet”. ishin njerëz që kishin respekt në shoqërinë shqiptare. Ishin kohëra kur populli ia hiqte kapelën mësuesit. Nga do që të sillej mësuesi kishte vendin e nderit, kishte status. Ishte zotëri mësuesi dhe zonja mësuesja ato që qëndronin në ballë të betejës për mbrojtjen e identitetit kombëtar. Tash është ndryshe, krejtësisht ndryshe. Respekti u takon, jo mësuesve, por politikanëve të cilët kanë arritur te kolltuku, e si kanë arritur e dimë të gjithë, por se themi dot nga kjo ose ajo arsye.

Atëherë populli shqiptarë nuk kishte kalkulime sepse Poreznikun, Çinovnikun, Udbashin, s’e donte kush. Për çdo hall i drejtoheshin mësuesit, kurse mësuesi gjithmonë e shfrytëzonte çdo rast ta madhërojë të vërtetën, arsimin dhe dashurinë për popullin. Me mësuesin populli e ndante të mirën e të keqen.

Edhe sot i kujtojmë me respektin më të thellë të gjithë ata që u dogjën për t’i shndritur rrugët e gjuhës sonë të ëmbël, rrugët e shkronjave tona të bukura, rrugët e përparimit dhe edukimit të popullit tonë, ato figura-ikona të gjuhës shqipe. Kush nga më të moshuarit mund t’i harrojë mësuesit e ardhur në këto troje nga normalet e shqiperisë? Të gjithë ato zonja e ato zotërinj, që përveç shkronjave shqipe e sillnin edhe frymën e lirisë dhe të krenarisë të cilat pushteti i Kraljevinës srbo-kroate-sllovene i kishte shkelur me çizme dhe pa mëshirë.

Këto heronj e iluministë shkuan duke i lënë gjurmët e tyre të cilat kërkojnë nga ne të jemi bashkë rreth gjuhës shqipe dhe indit kombëtar, si garanci për të ardhmen e gjeneratave te reja, për të ardhmen e fëmijëve tonë. Të gjithë këta emra-përmendore i kemi, kurse ne u gëzohemi si fëmijë ndërimit të emrave të disa rrugëve. Ku janë emrat e vetëranëve të tjerë? Çdo shkollë ku shumicën e bëjnë nxënësit shqiptar, çdo rrugë ku jetojnë shqiptarët duhet të ketë emra të figurave të mëdha të së kaluarës sonë.

Emrin e shkollës mund t’ia vësh shqip kudo-në Amerikë, në Zvicër, në Norvegji, në Kanada, në Australi nëse nxënësit i ke shqiptarë. Prandaj është koha e fundit që prindërit e nxënësve shqiptar të marrin guximin dhe iniciativën me kërkesa për ndrimin e emrave të shkollave që nuk kanë të bëjnë me historin dhe indin ton kombëtar,në kuadër të instuticioneve shkollore dhe Ministrisë së Arsimit. Por edhe me kërkesë që Këshilli Kombëtar Shqiptar në Mal të Zi, që ti shfrytëzojë të gjitha mekanizmat demokratike dhe ligjore për realizimin e këtyre kërkesave.

Mësuesi i sotëm ? 

Mësuesi i ditëve të sotme është i thyer,nëpërkëmbur, i nënshtruar, i harruar nga politika, nga pushteti. Ai ditën e kalon duke u djerësitur në mesin e nxënësve të cilët nuk mësojnë sepse e dinë se në fund të vitit do të shpërblehen me sukses të shkëlqyeshëm nga dora e padukshme. Aty, te notat e te suksesi, mësuesi i ditëve tona nuk ka pushtet. Mësuesit të sotëm i mbetet vetëm mundi i derdhur.

Mësuesi i sotëm, i gjori pasdite është i detyruar të shkoj në shkollë pasi që është anëtarë i ndonjë nëndege për ndonjë çështje që lidhet me nevojat e shkollës, dhe që është kërkesë e vasalëve të tijë, kurse natën e kalon para kompjuterit duke i drejtuar brirët e dashit në programet absurde të ditarëve elektronikë dhe të të shkruarit e të ashtuquajtuarave Konspekte. Po leximi?….Leximi për mësuesin e sotëm është luks, sepse nuk ka kohë. Në pastë pak kohë, ai duhet të gjejë një punë plotësuese. I duhet kjo punë të fitojë diçka për t’i mbuluar shpenzimet elementare që i duhen një familjeje të mbijetojë.

E gjithë kjo nëpërkëmbje dhe hallakamë e ka rrënuar mësuesin e sotëm. Ai ësht vazhdimishtë në zgrip të depresionit, me maninë e ndjekjes nga fantazmat që s’e lënë të qetë. Mësuesin e sotëm shpesh herë e sheh në ambulancë për shkak të nervave të shkatërruara, ndonjëher duke i shkuar rreth e përqark tregut për të gjetur perime më të lira për dy pare.

Mësuesi i sotëm e pret stinën e verës të pushojë pak nga kontrollorët e ndryshëm të arsimit, ta heqë barrën e rrëndë të burokracisë nga shpina, të pushojë nga nxënësit e painteresuar për mësim, nga indifirenca e tyre e patolerueshme, mirpo shumë herë ndodhë që urdhëri nga Ministria e arsimit është që mësuesi të shkojë në shkollë, edhe pse janë pushimet verore.

Mësuesi i sotëm në mos pastë punë, pushtetarëve dhe burokracisë i mjafton t’i dëgjojë zërat e hapave të mësuesit në korridor ose ta shohë nënshkrimin e tij.I duhen burokracisë hapat e mësuesit të munduar për shkaqe mazohiste, i duhet ky nënshkrim që të ketë mbulesë kur ta dënojnë mësuesin pse është vonuar në zbrazëtinë shurdhuese të shkollës që ka rënë në thellësinë e heshtjes verore.

Tregimi për veprimtarët shqiptarë të dikurshëm në këto troje është i dhembshëm. Arsyeja qëndron në faktin se vetë i kemi hedhur në greminat e harresës. Më i dhembshëm është tregimi për mësuesin e sotëm. Ata pushteti i ka lënë të luftojnë për kafshatën e bukës dhe të sillen vërdallë në labirintin e eksperimenteve absurde që bëhen me arsimin. Dhe ua ka marrë statusin që e meritojnë.

Shikuar historikisht mësuesit shqiptarë, janë ata që në kohërat më të vështira për kombin tonë, na mësuan ndër shekuj qëllimin e rrugëve tona të ndritura, ata janë faqja më e ndritur e historisë...Atyre, dhe vetëm atyre, që po mbajnë lartë dhe të pacenuar etikën dhe emrin e mësuesit!….. GËZUAR  7 MARSIN.

 

 

By admini