Shkruan: Granit Hoxha

Në çfarëdo fushëveprimi dhe në cilindo fazë zhvillimi qoftë, nuk mund të ketë politikë të qëndrueshme nëse nuk përkrahet dhe legjitimohet nga qytetarët.

Mënyra më optimale e përkrahjes së një politike dhe legjimitetit të saj nga qytetarët, është përgjegjësia ndaj qytetarëve, e cila arrihet përmes informimit të paanshëm/të saktë dhe të planifikuar mirë/korrektë. Ndërkaq, besueshmëria arrihet duke u bazuar në transparencë të plotë dhe në marrëdhënie korrekte me qytetarët.

Ndërlidhja në mes mesazhit politik dhe shpërndarjes së tij nga mediat mund të jetë produktive vetëm atëherë, kur informacioni është i drejtë, i paanshëm dhe i saktë. Përceptimi i realitetit nga ana e qytetarëve është rezultat i bindjeve të tyre, ndërsa në kohën e sotme, shumica e bindjeve të qytetarëve në një mënyrë apo tjetër formohen nga mediat. Andaj është shumë e rëndësishme të dallohet dhe të kuptohet se, çfarë realiteti prezantojnë mediat, si e prezantojnë realitetin dhe cilët faktorë ndikojnë në mënyrën e prezantimit të realitetit nga mediat.

Bindja që përdorët për të ndikuar tek qytetarët, mund të jetë bindje racionale dhe bindje manipuluese. Në rastin e parë, bindja racionale paraqet përpjekjet e suksesshme të A-së për të aftësuar B-në për një kuptim të gjëndjes/situatës së vërtetë përmes informacionit të saktë dhe kjo realizohet me anë të komunikimit racional. Në rastin e dytë, bindja manipuluese paraqet përpjekjet e A-së (medias dhe politikës) për t’i krijuar B-së (qytetarëve) një kuptim gjëndje/situate të alternativave të veprimit, e cila me qëllim dhe për interesa falsifikon, përgënjeshtron dhe shtrembëron të vërtetën e njohur nga B-ja (qytetarët).

Në një sistem demokratik dhe në një shoqëri të hapur, komunikimi me qytetarët dhe pasqyrimi i mediave duhet të përmbushë funksionin themelor, funksionin e transparencës. Secili qytetar duhet të ketë mundësinë të kuptojë drejtë dhe të përceptojë qartë se çfarë ndodh në politikë dhe në proceset thelbësore të shoqërisë. Fatkeqësisht, në vendet me demokraci të pjesshme të Ballkanit, media selekton vetëm informacionin e përshtashëm për politikën dhe pushtetmbajtësit, me qëllim të arritjes dhe ruajtjes së interesave të tyre.

Në këtë kontekst, informacioni i përshtatshëm rritet çdo ditë, kurse qytetarët bien viktimë e manipulimit të programuar, që kjo tregon dhe reflektohet me vlerat demokratike të shoqërisë.

By admini