Nga Frank Shkreli

 

Më në fund, historia flet, njihet e vërteta.  Të pakën në një rast.  Deri tashti dikush tjetër dhe të gjithë të tjerët — emër e pa emër, të merituar e të pa merituar, — morën kredinë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët gjermanë, në Shqipërinë e okupuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, por asnjëherë, në këto 25 vitete fundit, nuk iu përmend emri protagonistit kryesor të shpëtimit të hebrenjve shqiptar, Kolë Bib Mirakajt, të cilin historiografia komuniste e karakterizon me epitete fyese të lloj-llojshme.

 

Shumë vite më parë, unë e kisha dëgjuar rolin që kishte luajtur Kol Bib Mirakaj në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga babai i bashkshortës time Vitores, (Pashk Ademi Markgjonaj), por edhe nga bashkohas të Kol Bibës, si Ernest Koliqi, e të tjerë.  Por në mungesë të ndonjë dokumentacioni si ky që ka zbuluar dhe botuar në librin e tij Faik Quku – i mbajta të dhënat e tyre, të qeta, në heshtje mbrenda vetes.  Ishte një heshtje, jo vetëm për mua por edhe për shumë të tjerë që kishin dëgjuar të njëjtën bisedë, por në mungesë të dokumentacionit sip është ky i paraqitur nga autori Faik Quku, duhej pranuar në heshtje ato që dëgjonim e lexonim për shpëtimin e hebrenjve shqiptare, megjithse jo të gjitha të dhënat e këtij rasti që kemi dëgjuar deri tani, i përgjigjeshin të vërtetës.  Mbarë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët kudo, me të drejtë duhet të jenë krenarë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët, por është një njollë e zezë mbi ata që kanë promovuar këtë akt me të vërtetë humanitar të shqiptarëve, por përmendur kurr rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka në këtë mes.   Por, ja tani, gazeta e Tiranës Telegraf sjellë një lajm për lexuesit e saj, në lidhje me librin e autorit Faik Quku me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ku dokumentohet roli i Kol Bib Mirakës në shpëtimin e hebrenjve, dokumenta të kohës këto, të nënshkruara nga dora vet e tij, si Ministër i Mbrëndshëm i Shqipërisë sëa saj kohe.  Tashti, kemi librin e Faik Qokut dhe dokumentacionin siç duket të padiskutueshëm që përbën mbrenda vepra e tij në lidhje me rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka gjatë luftës.

 

Sipas gazetës Telegraf, në librin e tij, autori Faik Quku, bazura në dokumentacion, ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kol Bib Mirakajt.  Siç mund të shihni në linkun e gazetës Telegraf http://telegraf.al/politike/kole-bibe-mirakaj-ministri-shqiptar-qe-shpetoi-2000-hebrenj, spikaten dy gjëra me rëndësi historike, sipas dokumentave të zbuluara nga autori.  Një nga këto të vërteta ka të bëj me vendimin e Kol Bibë Mirakës për të paisur me pasaporta shqiptare 2000 hebrenjtë që gjatë Luftës së Dytë Botërore ndodheshin në territorin shqiptar, një akt ky që mundësoi strehimin e tyre në Italinë jugore, të çliruar nga anglo-amerikanët, duke i shpëtuar ata nga forcat naziste.  E vërteta e dytë me rëndësi është fakti i zbuluar me këtë libër se Ministri “fashist” Kol Bib Mirakaj kishte refuzuar shumën e parave që hebrenjtë donin t’i jepnin atij si shpërblim për vendimin e tij humanitar, jo një herë, por refuzoi parat dhe napolona ari, dy herë: një herë Shqipëri dhe tjetrën herë në Romë, ku Kol Biba ishte i mërguar dhe ku jetonte në skamjen më të madhe, për të cilin kujdesej urdhëri françeskan, nga të cilët varej për bukën e gojës.

 

Ta merr mendja se vendimi i Kol Bib Mirakës, si ministër i Mbrendshëm i asaj kohe — duke paisur me pasaporta hebrenjtë shqiptarë për tu larguar shëndosh e mire nga vendi — mund të kishte pasur pasoja të rënda për ‘të, po të ishte zbuluar ky akt humanitar i tij nga nazistët.    Thonë se burri dhe miku i mirë njihet në ditë të vështirë!  S’ka dyshim se për hebrenjtë shqiptarë Kol Bib Mirakaj, jo vetëm që ishte burrë dhe mik i mirë në një ditë tejet të vështirë për ta, por autori Faik Quku provon se ai në të vërtetë ishte diçka më tepër, ai ishte shpëtimtari i tyre, i cili  madje edhe refuzoi çdo shpërblim nga hebrenjtë shiptarë për paisjen e tyre me pasaporta shqiptare, gjë që tani dihet se bëri të mundur largimin e tyre për në Itali.  Si do që ta merrësh, për atë kohë, por edhe për sot, ky ishte një akt heroik nga ana e Kol Bib Mirakës!

 

Tashti, kemi librin e Faik Qukut dhe dokumentacionin që përbën mbrenda vepra e tij, mbi rolin e Kol Bib Mirakës në shpëtimin e 2000 hebrenjve shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, që vet Pal Bib Mirakaj do të shprehej se nuk kemi më nevojë tani, “Me pranue më heshtjen tonë për një cilësim të tillë që nuk i përgjigjet së të vërtetës”, sepse ka shkruar ai në librin e tij “Vrasja e Nji Kombi” se me heshtje, “Mua më është dukë se bajmë krim kundër vetetes, kundër historisë e kundër fëmijve e njerzëve tanë, që do të mbeteshin me kryeultë për breza të tanë, para shoqënisë.”

 

Kol Biba do të falenderonte Faik Qukun, se me librin e tij mbi këto të vërteta të dokumentura nga jeta e Kol Bib Mirakës, ai i jep “histori-shkruesit të së nesërmes nji dokument që ta kenë të gjithë Shqiptarët për studim”, një dokument që ai do të pohonte se ia “nxjerrë kartat në shesh dhe ia parashtron haptas Gjyqit të Historisë”, ngjarjet e asja periudhe.  Ndonse nuk e kam lexuar librin, duke vlerësuar nga këto të dhëna të paraqitura në Gazetën Telegraf, me librin e tij, autori Faik Quku zhdukë  jo vetëm heshtjen por edhe shumë paragjykime dhe të pavërteta të promovuara nga disa pseudo historianë shqiptarë mbi rolin dhe veprimtarinë e shumë personaliteteve shqiptare, përfshirë Kol Bib Mirakën gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

 

http://telegraf.al/politike/kole-bibe-mirakaj-ministri-shqiptar-qe-shpetoi-2000-hebrenj

 

Frank Shkreli

By admini