”Radio Ulqini po lëngon !… Radio Ulqini ka vite që dergjet, vetëm e vetëm në mungesë të “ilaçeve” material dhe nëpërkëmbjës Tuaj zotërinj !!! ”, kështu iu drejtohet pushtetareve të Ulqinit gazetari i njohur i Radio Ulqinit Esat Mehmedi në një shkrim të tij.
Situata në këtë medium është mjaft e vështirë pasi vitin 2016 e mbyllen me -12 muaj të pa paguara, duke mos i llogaritur, këtu edhe kontributet e papaguara me vite të tëra. Si të mos mjaftonte kjo, ky medium po përballet edhe me kushte të vështira teknike, si dhe në mungesë të kuadrit profesional pasi që për më shumë se 15 vite ky Radio Ulqini nuk është përtërirë me kuadra të reja.
Por një fakt tjetër dëshpërues tregon geazetari Esad Mehmedi lidhur me mosdënjimin e pushtetarëve të marrin pjesë në emisionet e këtij mediumi.
”Përgjatë 12 muajve të shkuara, edhe përkundër ftesës për pjesëmarrje në emisione në Radio, pushtetarët tanë nuk gjetët asnjëherë kohën e duhur të jenë pjesë e programeve tona. Përjashtim bëjnë konferencat me gazetarë dhe kutesave për opinion”, tregon Mehmedi.
Situatë aspak e bukur, në vend që Radio Ulqinit ti shtohet edhe televizioni lokal, ky medium rrezikon të shuhet krejt dhe po mbijeton falë vullnetit të punonjësve të vet.