Kur është fjala te partitë politike shqiptare në Mal të Zi, është karakteristike dhe me rëndësi të veçantë të thuhet se edhe pas humbjes së zgjedhjeve, oligarkitë dhe liderët e këtyre partive politike asnjëherë përpara anëtarësisë së tyre, simpatizuesve dhe opinionit më të gjërë nuk dalin me qëndrime të definuara për atë që ka ndodhur dhe çdo herë për mosrealizimin e objektivave partiake dhe për humbjet nuk ndjejnë kurrfarë përgjegjësie.
Qani Osmani
Sa i përket demokracisë brendapartiake (interne) të partive politike shqiptare që veprojnë në skenën politike ekzistuese malazeze, siç duket ato garojnë në mes vete, se cila prej tyre do të avancojë në drejtim të shpërfilljes së gjithë asaj që i themi demokraci. Sot hulumtuesi e ka shumë më lehtë dhe më të mundshme ta hulumtoj arsenalin bërthamor të ndonjë superfuqie botërore sesa raportet e brendshme partiake ndonjërën nga partitë politike ekzistuese shqiptare në Mal të Zi.
Për atë që ndodh në parti, respektivisht për të drejtat dhe obligimet e anëtarësisë, raportet ndërmjet organeve më të ulta dhe më të larta partiake, kush është bartës i pushtetit real në parti studiuesi mund vetëm të supozojë dhe në istancë të fundit të nxjerr përfundime në baz të informatave mjaftë të cunguara dhe të kufizuara që i japin strukturat partiake në konferencat për shtyp ose ndërmjet formave tjera të dhënies së informatave.
Megjithatë, edhe pse udhëheqjet e partive politike shqiptare në Mal të Zi, tentojnë me mjeshtri të madhe t’i fshehin raportet brenda partiake, shumë parametra që shihen nga jashtë japin argumente të mjaftueshme të konstatojmë se demokracia “nuk është banore” e partive politike shqiptare. Tendencat autokratike lidereske dhe oligarkike janë dukuri normale për partitë politike shqiptare. Kjo më së miri shihet nga disa parametra që do ti prezentojmë në vijim.
Liderët partiak të partive politike shqiptare dhe grupi i ngushtë rreth tyre, me dekada të tëra tentojnë ta bindin me çdo kushtë anëtarësinë dhe simpatizuesit e tyre të gjërë se gjoja ata janë më të mirët dhe të “pazëvendësueshëm”, se pa pranin e tyre partia nuk ka kurrfarë perspektive. Tendendencat lidereske të partive politike shqiptare, i dëshmon edhe fakti që askush prej tyre nuk është i interesuar që nga radhët e partive të tyre të afirmojnë edhe persona të tjerë të cilët eventualisht mund të jenë konkurentë seriozë në zgjedhjet brendapartiake.
Moment i dytë shikohet në atë se liderëve të partive politike shqiptare në Mal të Zi, në të shumtën e rasteve as pas dështimit dhe as pas humbjes së zgjedhjeve nuk ju shkonë ndër mend që të ofrojnë dorëheqjen e tyre, që së paku do të kishte qenë një gjestë se ata ndjejnë përgjegjësi për përspektivën e partisë dhe anëtarësisë së gjërë të cilën e kan përfaqësuar.
Dhe momenti i tretë, pothuajse është bërë dukuri e zakonshme që liderët dhe bërthamat që formohen rreth tijë në partin ekzistuese dalëgadalë t’i “eliminojnë” nga skena politike të gjith ato anëtarë të partive të cilët për vetë partinë kanë patur peshë të veçant, duke i zëvendësuar në emër të demokracisë partiake me persona pa ndonjë kapital politik për partinë në fjalë, nga shkaku se me ata shumë lehtë mund të manipulojnë liderët dhe të afërmit e tyre etj
Tendencat oligarkike dhe lidereske të partive politike shqiptare edhe pas humbjes së zgjedhjeve punën më të madhe që kanë bërë në praktikën e deritanishme të veprimit të tyre është formimi i “komisioneve” që të “analizojnë” rezultatet e dobëta gjatë zgjedhjeve. Zakonishtë partitë politike shqiptare në krye të këtyre komisioneve i vendosin “mëkatarët” më të mëdhenj, dhe tërë ajo punë nuk është asgjë tjetër përveç krijim i një mjegullire, me ç’rast anëtarët e rëndomtë të partisë nuk e shohin dhe nuk e njohin njëri-tjetrin.
S’ka dyshim se këto komisione qëllim të parë dhe të fundit e kanë bindjen e anëtarësisë së gjërë partiake dhe votuesve se “humbja e betejës nuk do të thotë edhe humbje e luftës”. Pra, mund të themi lirisht se liderët dhe bërthamat partiake të partive politike shqiptare, me një mjeshtri të madhe, dhe në mënyrë perfide, anëtarësisë së gjërë dhe votuesve të tyre ia imponojnë kompleksin se gjoja ata janë të vetmit dhe të pazëvendësueshëm.
Për tendendencat autokratike lidereske dhe oligarkike të partive politike shqiptare në Mal të Zi, deklarativisht mund të themi edhe pse e kanë gojën përplot të mbushur me demokraci, megjithatë hulumtimet dëshmojnë diçka krejtësishtë të kundër. Partitë politike shqiptare pak a shumë nuk kultivojnë dhe respektojnë demokracinë interne, që do të thotë se tendencat autokratike lidereske dhe oligarkike nuk respektojnë vlerat dhe normat gjatë zgjedhjeve brendapartiake. Për partitë politike shqiptare dhe për rrethanat tona është shumë e dëmshme që me partitë politike të udhëheqin më gjatë se dy mandate nga katër vite po të njëjtit persona.
Është me rëndësi të theksohet se brenda këtyre viteve të pluralizmit partiak ende nuk ka ndodhur që ndonjë lider ose organ i lartë i partive politike shqiptare të jap dorëheqje për shkak të mosrealizimit të pikësynimeve dhe objektivave partiake. Çdoherë për mossuksesin tendencave oligarkike dhe lidereske të partive në fjalë është dikush tjetër jashtë “oborrit të tyre”.
Nga kjo që u tha më lartë lirishtë mund të përfundojmë se “tendencat autokratike lidereske dhe oligarkike” të partive politike shqiptare në Mal të Zi, me veprimet e tyre politik kanë lënë anash dhe të pasivizuar një pjesë bukur të madhe të opinionit kreativ dhe intelektual shqiptarë në Mal të Zi. Mirpo, kjo dukuri nuk mundet të bëhet e zakonshme dhe e përhershme.Tendencat lidereske dhe oligarkike të partive në fjalë duhet ta dinë se shumë shpejtë në skenën politike shqiptare do të dalin “brezat e demokracisë”, djem dhe vajza të emancipuara dhe të çliruara nga të gjitha komplekset që do ti eliminojnë nga skena politike garniturat e vjetra, që më punën e tyre shumëvjeçare nuk kanë treguar vullnet dhe energji të mjaftueshme që çështjen shqiptare ta çojnë përpara.
Është demagogji e skajshme mbetja në postet më të larta partiake në emër të “përvojës”. Përvoja në politikë nuk është diçka e rezervuar nga perëndija, atë e krijojnë praktika dhe e përditshmja politike. Nga cilado anë të analizohen gjendjet, shumë më të dobishëm për organizimin politik të ndonjë shoqërie janë personat pa ndonjë përvojë të veçantë politike se sa personat e “burokratizuar dhe të vetëdashuar”, të cilët mendojnë se me ta ka filluar dhe me ta duhet të marrë fund politika dhe bota. Brezat e sotëm lidereske dhe oligarkike të partive politike shqiptare në Mal të Zi, e kanë për obligim ndaj të parëve dhe kombit që sot e prezentojnë, që pa kurfar xhelozie, këtyre që do ta lëvizin ç’ështjen shqiptare, sa ma mirë t’ua pregadisin terrenin. Vetëm kështu do ta lajnë borxhin ndaj kombit dhe vetëm ashtu do ta arsyetojnë organizimin aktual politik të shqiptarëve në Mal të Zi.