Në Plavë dhe Guci janë përafërsisht rreth 1000 votues shqiptarë. Ky është një elektorat i ndjeshëm jo vetëm në atë zonë, që në vazhdimësi po manipulohet. Ky manipulim bëhet duke shfrytëzuar lidhjet personale e familjare si dhe populizmin të shprehur me terma dhe retorika te mirënjohura “A doni qe kështu te dukej mirëqenia e juaj….!!!???” Dhe këtu një rol te madh po luan edhe diaspora.
Në fakt, ne Plave-Guci unë nuk shoh elektorat të mirëfilltë dhe të organizuar ideologjikisht. Ajo që shoh janë vetëm “simpatizantë” të personaliteteve të caktuara. E them këtë sepse nga asnjë subjekt politik nuk kam parë asnjë platformë apo një vizion te qartë. Nuk kam parë asgjë të shkruar qe do të mund ta cilësoja si kontratë me votuesin. Ajo që kam parë janë vetëm fjalë të “THATA”. Dëgjoj fjalime të mbushura me terminologji kinse patriotike, dhe të mbushura me një terminologji që përdoret që njëzet e ma shume vite nga figura të shpenzuara kombëtarisht dhe moralisht.
E çka është ma e keqja, bëhuni gati të dëgjoni edhe për blerje te votave te pleqve dhe te plakave shqiptare në Plavë e Guci me parat e misionarëve të kafeneve të diasporës. Sepse ai është niveli i atdhedashurisë dhe kombëtarizimit te e te ashtuquajturave subjekte të veshura me emrin parti politike që duan thjesht të rrinë në pushtet pa bërë atë që duhet e pa sjellë ndryshimin që duhet.
Mungesa e perspektivës ekonomike dhe e punësimit e rinisë tonë në Plavë e Guci i shtyn ata qe te rreshtohen ne këtë formë organizmi. Kjo ndodh sepse rina e jone për një vend pune fatkeqësisht rreshtohen dhe kinse bahet militant te partive te hallave, të dajave dhe të tezeve. Kështu partitë bëhen klane familjare e nuk punojnë për interesin kombëtar. Dhe, natyrisht, koha kalon dhe armiku ia arrin qëllimit të vet. E ndërkohë, ne merremi me vetveten, mbesim të përçarë dhe mbeturinat hidhen sërish në fushën e shqiptarëve.
Një rol të madh po luan diaspora që po ndikon në vazhdimin e këtyre strukturave familjare.
Vlerësoj se Diaspora nuk duhet te jete dekor i subjekteve politike apo i grupeve te interesit, jo pse me këtë tentoj t’ja mohoj ndokujt te drejtën bazë të shprehjes së vullnetit të lirë. Këmbëngul në këtë pikë sepse vlerësoj që specifikat e Plavë-Gucisë nuk mund te na dhurojnë një luks të tillë për t’u bërë edhe ne në mërgim pjesë e ndarjeve apo e dobësimit të faktorit shqiptar në vendlindje e në atë trevë. Plaga e rëndë e mërgimit e ka sjellë qënien dhe ekzistencën e qënies shqiptare në rrezik në ato treva. Andaj diaspora që vjen nga Plavë Guci duhet të ndihmojë vendlindjen me projekte dhe me investime e jo me rreshtime klanore dhe partiake që vetëm ndikojnë në vazhdimin e gjendjes. Nuk është e shëndetshme kjo situatë sepse kjo qasje e futjes së Diasporës në rreshta partiakë e ka efektin e kundërt e negativ edhe këtu në SHBA. Sepse ndasitë që lindin në Plavë e Guci reflektohen mbrapsht dhe kjo dobëson dhe përçan edhe vetë diasporën tonë shumë të fuqishme numerikisht e materialisht.
Financimi i subjekteve të ashtuquajtura politike nga diaspora pa marrë parasysh shumën e dhuruar për blerjen e votave nuk behet për çështjen kombëtarë. Kjo bëhet për t’ua zgjatur jetën klaneve dhe grupeve lokale të interesit dhe njëkohësisht është edhe përulje e subjektit ne fjalë para interesit te individit të caktuar.
Prandaj duhet që edhe në këto zgjedhje të shkojmë të bashkuar, me mendësi tjetër, me program te qarte, dhe duke mbajtur parasysh interesat kombëtare në këtë trevë të rëndësishme dhe jetike për kombin.