Naile-hoxhaShkruan Xheladin Zeneli

( Si e kujtoj unë këngëtaren e njohur nga ekrani televiziv i kohës?)

Shumë adhurues të këngës popullore, posaçërisht ata të këngës qytetare shkodrane, e pritën me pikëllim lajmin e ndarjes nga jeta, të këngëtarës së njohur Naile Hoxha (1934-1916).

Me këtë rast  e ndiej të nevojshme të shkruaj pak fjalë për nivelin e lartë të admirimit që ajo ka  përjetuar në vendlindjen time ,si  artiste , gjatë viteve “70-ta dhe “80-ta të shekullit të kaluar kur ishte edhe kulmi i karrierës së saj si këngëtare e këngëve popullore.

Së pari një sqarim i shkurtër lidhur  TVSH-në e atëhershëm.

Per ne që kemi jetuar jashtë kufijëve administrativ të Republikës së Shqipërisë, konkretisht në trevat shqiptare nën Mal të Zi, ndjekja e programeve kulturore dhe artistike, përmes radios dhe televizionit shqiptar ( TVSH) ishte  jo vetëm ushqim shpirtëror por njëkohësisht këte ne e konsideronim edhe si burim frymëzimi për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit tonë kulturo-artistik por edhe kombëtar, diçka që per ne shqiptarët, mungonte në sistemin e atëhershëm të Jugosllavisë. Gjithashtu, gjatë asaj kohe, praktikisht ndjekja e programit të TVSH-së ishte e ndaluar nga regjimi jugosllav i kohës, por jam i bindur se pothuajse çdo familje shqiptare,në një mënyrë apo tjetër, e ndjeknin programet  në gjuhën shqipe të TVSH-së.Edhe pse programi i atëhershëm i TVSH-së ishte i mveshur me petkun ideologjik monist, megjithate, për shqiptarët që ishin nën regjimin jugosllav, ishte e vetmja dritare në murin e hekurt i cili i ndante nga vëllezërit e tyre të një gjaku, gjuhe  e flamuri.

Tani ti kthehemi këngëtarës Naile Hoxha.

Unë isha shumë i ri në vitet “70-ta të shekullit të kaluar, por më kujtohet shumë mirë se si në shtëpitë e shumë anamalasve (Anë të Malit – trevë në komunën e Ulqinit) u prisnim me padurim programet apo emisionet muzikore të  këngëtarëve popullorë të Shqipërisë, ku një vend të posaçëm kishte këngëtarja Naile Hoxha. Sa herë që këndonte ajo, si në radio apo televizion, siç ishin këngët: “Xhamadanin kuq si gjaku”, “Moj e mir synin larush”, “Djal i dashtun”, “Seç po fryn fllad pranvere”, e shumë këngë të tjera,të rriturit në shtëpi na detyronin të ndërprisnim ate çfarë ishim duke bërë, me qëllim që të ndigjojmë Nailen duke kënduar.Pra, kur Nailja këndonte, çdo gjë pushonte.Nailja me zërin e saj melodioz , bukurinë fizike dhe mënyrën e saj të interpretimit të bënte për vehte.

Ka ndodhur disa herë që gjatë interpretimit të Naile Hoxhës në ekranin televiziv, janë dëgjuar krisma revolës në ndonjë fshat të Anës së Malit, nga hareja  e atyre  burrave të cilët e kanë adhuruar dhe admiruar aq shumë këngëtaren.

Flitej se gjatë asaj kohe nëse i ka lindur dikujt vajzë, ka gjasa që të ishte pagëzuar me emrin “Naile”, pra sipas emrit të këngëtarës së talentuar.

Këto dhe shumë të tjera dëshmojnë për figurën influencuese dhe popullariterin e jashtëzakonshëm që ka pasur Naile Hoxha si këngëtare ndër banorët e kësaj treve, posaçërisht të gjeneratave të kohës së lartpërmendur.

Jam i bindur se artistja e njohur e këngëve popullore shqipe, Naile Hoxha do jetë për një kohë të gjatë në kujtesën e atyre që janë rritur duke ndigjuar këngët e saja por edhe në kujtesën e  shumë artdashësve shqiptar.

30 Gusht 2016

By admini