E lindur në Ulqin, mësuesja Naxhije Buçinca për 6 dekada kontribuoi në arsimimin e 938 vajzave

Në borë e në shi, trokitën në dyert e shtëpive të fshatrave të ndryshme.

Naxhije Buçinca, së bashku me bashkëshortin Fahri Buçinca, ia kishin vënë vetes një mision të veçantë.

Çifti nga Vushtrria kishte udhëtuar në 68 fshatra gjatë viteve ’90, në luftë kundër analfabetizimit te vajzat, raporton Koha.

Gjatë kësaj kohe ata kishin identifikuar një numër të madh vajzash që e kishin braktisur shkollimin. Puna e tyre shumëvjeçare në këtë drejtim ua realizoi ëndrrën për shkollimin e 938 vajzave.

Buçinca, e lindur në Ulqin në vitin 1935, këtë mision e filloi para rreth gjashtë dekadash në vendin e lindjes, për ta vazhduar më pas kontributin edhe në Kosovë.

Në vitin 2013, çifti themeloi fondin “Buçinca”, që vazhdon edhe sot të kontribojë në shkollimin e vajzave. Sot, ata trokasin nëpër universitet private për të kërkuar ndihmën e donatorëve.

Shkollimin e tyre ata e vlerësojnë si bazë të fortë për pozicionimin e grave në familje, shoqëri dhe institucione vendimmarrëse.

Gjatë punës së tyre në teren, ata kishin identifikuar faktorët që i linin vajzat jashtë bankave shkollore.

Këtë kontribut e vazhduan edhe pas luftës, por që tashmë vajzave ua siguronin shkollimin universitar. Disa prej tyre tashmë zotërojnë profesionet në fusha të ndryshme.

Rrugëtimin e tyre, Naxhmije e Fahri Buçinca e kanë ndërmend ta dokumentojnë edhe në libër.