nje-vele-ne-bune Nga QERIM VRIONI*

Aty nga fillimi i shekulli të kaluar, trojet e banuara nga shqiptarët (atëbotë ende nën sundimin osman) i vizitoi një studiuese angleze me emrin Edith Durham (1863-1944). Ajo kishte pasur probleme me shëndetin në vendlindje dhe, e këshilluar nga mjeku i saj, ndërmori një rrugëtim të gjatë jashtë Anglisë, kryesisht në disa vende të gadishullit të Ballkanit. Durham kishte ndjekur studimet në Akademinë Mbretërore të Arteve në Londër dhe ishte pjesëmarrëse në disa ekspozita me piktura. Ajo udhëtoi disa herë nëpër Shqipëri, e kur kthehej në atdheun e saj propagandonte me të madhe çështjen e pavarësisë së Shqipërisë. baneri-web-sajte-origjinaliNgado ku shkoi në tokat shqiptare, ajo u prit me dashuri nga vendasit aq sa u quajtë nga ata edhe “Mbretnesha e Malësisë”. Po ashtu Faik Konica e ka quajtur “Mikesha e përjetshme e shqiptarëve”, ndërsa Mbreti Zog, që nga mërgimi, në vitin 1944, kur Durham u nda nga jeta, shkroi për të :”Ajo na dha neve zemrën e saj dhe fitoi nderimin e malësorve tanë”. 70 vite më pas, më 2004, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu, e quajti Edith Durham “Një nga personalitetet më të shquara të Botës Shqiptare të shekullit të kaluar”. Prej kohësh, një shkollë e njohur në qendër të Tiranës mban emrin “Shkolla Edith Durham”. Emrin e saj të nderuar e kanë edhe rrugë në disa qytetet shqiptare si Shkodra, Durr[si, Prishtina, Prizreni etj. Një pjesë e krijimtarisë së Durham për shqiptarët është botuar disa herë në gjuhën shqipe, gjithashtu, për të janë shkruar edhe 2-3 studime monografike me vlera. Për veprimtarinë e Edith Durham në dobi të shqiptarëve, janë organizuar vitet e fundit edhe sesione shkencore e kulturore në Shqipëri.

Durham ka vizatuar dhe fotografuar në mjaft qytete e fshatra ku jetonin shqiptarët, ka njohur mirë jetën, historinë, gjeografinë (duke e bredhur pëllëmb për pëllëmbë), doket dhe zakonet e tyre e, gjithmonë ka shfaqur dashuri për ta. Syrit të saj artistik, nuk i kanë shpëtuar portretet e njerëzve nga të gjitha shtresat, mjediset aq të veçanta të banimit të tyre, veshjet karakteristike, ceremonitë fetare e sociale, të cilat i ka përjetësuar si nëpërmjet lapsit (në vizatime), po ashtu edhe të aparatit (në fotografi), të dy bashkëudhëtarëve të përhershëm gjatë rrugëtimit ndër trojet shqiptare të studjueses dhe artistes angleze.

Koha
Në vitet e para të shekullit XX, Shkodra ishte qendra e njerit nga katër vilajetet në të cilët Perandoria Osmane kishte ndarë adiministrativisht kombin shqiptar. Ajo, bashkë me Prizrenin, përbënin dy nga qytetet kryesore të banuara nga shqiptarët. Shkodra, shquhej më tepër për jetesë perëndimore, me lidhje tregtare, ekonomike, kulturore e fetare me mjaft qytete të njohura europiane. Qyteti kish gazeta, shtypshkronja, artizanat të zhvilluar, atelje fotografike, trupa teatrore dhe muzikore, shkrimtarë e poetë të njohur, e, natyrisht, me qindra dyqane ku vlonte tregtia me jashtë vendit dhe brenda tij. Një arterie e rëndësishme e Shkodrës për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave ishte edhe lumi Buna, i vetmi lum shqiptar i lundrueshëm qysh nga burimi e deri në det. Ai buronte nga liqeni aty pranë qytetit me të njëjtin emër. Në Shkodër, në ato kohë, hynin edhe anije të huaja me vela dhe me motor, të cilat bënin ndalesën e detyrueshme në doganën e qytetit që funksiononte rregullisht. Buna shërbente edhe transport të njerëzve, kafshëve dhe të prodhimeve bujqësore, brenda krahinës, sepse lëvizja lumore ishte më e lehtë dhe më e shpejtë se sa ajo tokësore. Fshatarët e vendbanimeve që lagte Buna kishin mësuar në ato kohë, të përfitonin edhe nga forca e erës për të lëvizur me lundrat e tyre nëpër lum, kryesisht kundra rrjedhjes së tij.

Fotografia
Edith Durham ishte përgatitur me kujdes për udhëtimin e saj largë vendlindjes. Ajo, përveç teshave, sendeve vetjake, veglave dhe fletëve të vizatimit kishte marrë me vete edhe një aparat fotografik amerikan “Kodak Broënie”, të cilin e bleu vetëm 5-6 muaj pas daljes së tij në qarkullim për publikun e gjerë. Këta aparate ishin relativisht të vegjël, praktik në përdorim, kishin një film me shumë poza e me përmasa rreth 3,5X4 cm., por edhe që kushtonin lirë. Natyrisht, para nisjes ajo do ketë marrë disa mësime praktike mbi përdorimin e aparatit nga ana teknike, sepse për çfarë do kuadronte si aspekt artistik, ajo ishte piktore e kish studjuar arte pamore. Me këtë aparat, Durham realizoi rreth 450 fotografi, të cilat iu dhanë më së pari Institutit Mbretëror të Antropologjisë (The Royal Antropological Institute, London). Një pjesë e vogël e tyre ishin botuar atëhere edhe në gazetat angleze të kohës si, “The Manchester Guardian”,”Times”, “Pall Mall Gazette”, duke i dhënë asaj vetvetiu edhe statusin e fotoreporteres. Gjithsesi, koha nga shkrepja e aparatit e deri tek shikimi i fotove në letër, që bëhej pasi kthehej në atdhen e saj, ka qënë e mbarsur me kureshtje të vazhdueshme për çka kishte kaluar nëpër objektivin e saj si artiste dhe si bamirëse. Fotografitë e realizuara nga Edith Durham rreth një shekull më parë, sot ndodhen në arkivat e “British Museum” (Muzeu Britanik) të Londrës.

Nje-vele-ne-bune-1

Ndër fotografitë e realizuara në Shqipëri, janë edhe disa sosh ku paraqiten kalime lumejsh me lundra, të ndërtuara nga fshatarët e zonave të buzëlumejve (disa fare primitive të me trungje të mëdhenj të gërryer Brenda) të njerëzve, kafshëve dhe mallrave. Mes tyre më tërhoqi vëmendjen fotoja e një barke të tillë, afërsisht 10-12 metra e gjatë, por e pajisur edhe me një velë e cila lundron nëpër Bunë. Lundra, me gjasë e ngarkuar me prodhime bujqësore, ngjitet përpjetë lumit e ndihmuar nga era e mbarë që gufon velën të cilën sikur e merr përdore atë dhe e çon atje ku dëshiron varkëtari ose pronari i saj. Lundërtari ndoshta i transporton ato drejt Shkodrës ose fshatrave para saj, për t’i shitur a shkëmbyer më mallra të tjera, ndoshta edhe industriale. Nga zhytja e lundrës në ujë, mësohet se ngarkesa është e plotë, ajo është e futur në thasë të bardhë ose e mbuluar me një material të bardhë. Viti i realizimit të fotografisë nuk jepet i saktë, specialistët e British Museum, ku ndodhet origjinali në letër me përmasa 12,6X 17,7 cm, shkruajnë për të ndërkohën 1910-1913.

Fotografia është kapur në formatin tradicional “peizazh”, ku lartësia e saj është më e madhe se gjysma e gjerësisë. Pjesa më e madhe e fotos, e poshtmja, i përket ujit (lumi Bunë), ndërsa lartë shihet toka me gjelbërimin e dendur, lundra me velën e fryrë nga era dhe qielli. Diku afër boshtit optik të fotos duket figura e bardhë e lundërtarit që mban drejtimin e ecjes në kiçin e barkës, një tjetër dallohet në bashin e saj. I pari mund të jetë pronari i lundrës dhe i mallit, por edhe vetëm lundërtar që paguhej për transport e, njeriu në bash, i zoti i ngarkesës. Gjithsesi, përcaktimet e sakta të tyre, mendoj se nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe në studimin e fotografisë.

Duke vështruar me kujdes foton, vërejmë se nga disa valëzime fare të vogla të tij, sikur ndjehet lëvizja e lumit që rrjedh nga e djathta e shikuesit në të majtë të tij. Gjithsesi, sipërfaqja ka një shkëlqim të çuditshëm, i cili jep një pasqyrim të mirë të qiellit të njëtrajtshëm, të pemës në të djathtë të velës, dhe velës, gjë që fotografja e ka kapur mirë me shkrepjen e saj, të realizuar bash në çastin e mbarë (aq i kërkuar dhe lakmuar nga fotografët). Një nga pjesët më tërheqëse të fotos, padyshim, është vela, jo vetëm për formën grafikisht të veçantë, por edhe për dritë-hijen e goditur, edhe kjo në saje të atij të çastit të mbarë që kapi fotografja duke qëndruar buzë ujit. Nga hija vertikale brenda velës kuptohet se koha e fotografimit i përkiste mesditës dhe veshja e hollë e lundërtarit tregon që stina është e ngrohtë. Ndarja e velës në dritë dhe hije, e ndriçon shumë foton, për këtë bindemi nëse përfytyrojmë velën si të ishte e gjitha në hije, pra afër të zezës, kësisoj ajo mund të shkrihej disi me të errtën e thellë të sfondit të gjelbëruar. Po ashtu, edhe thasët e bardhë të ngarkesës, përveçse i japin ndriçim fotos, me formës e tyre, thuajse drejtvizore, sikur e shtojnë lëvizjen në drejtimin e ecjes së lundrës. Kur shikojmë fotografinë, vështrimi ynë ecën horizontalisht në të kundërtë të rrjedhës së lumit, niset nga figura e fshatarit, kalon mbi varkë e qëndron më shumë tek vela, që siç e thamë më lartë, ka një formë mjaft tërheqëse gjeometrike, pastaj zbret poshtë tek e errëta e pemëve dhe del nga fotoja në rripin e tokës në bregun e ulët dhe të largët të lumit.

Fotoja do jetë realizuar gjatë udhëtimeve të shumta, kur ajo nuk e ndante nga dora aparatin “Broënie Kodak” e, si fotografe profesioniste shihte gjithçka rreth e rrotull saj, edhe me syrin e fotografit. Natyrisht, ajo ka fotografuar edhe përdorime të tjera të lundrave për kalime njerëzish dhe kafshësh nëpër lumej, në jug dhe në veri të vendit, por fotoja që kemi ndër duar ka një staturë tjetër, ku përfshihen historia me mënyrën e jetesës, zhvillimi ekonomik i vendit me estetikën e fotografisë e, mbi të gjitha, të kapjes së çastit të mbarë. Kështu, kjo fotografi, mendojmë se mbetet një nga më të goditurat, në mos më e arrira që “Mikja e shqiptarëve”, Edith Durham, ka realizuar në udhëtimet e saja në Shqipërinë e fillimshekullit XX.

Po çfarë e bënë, sipas mendimin tim, shumë të veçantë këtë fotografi të realizuar mbi 100 vite më herët? Ndër të tjera, kam bindjen se ajo nuk është e porositur, por shkrepje e çastit, pra gjithçka në të është e natyrshme, pa inskenime e pozime modelesh. Fotografen Durham, ndoshta e ka tërhequr lundra e ngarkuar, por sidomos vela e fryrë nga era. E dyta, fotoja nuk paraqet një lundër me vela me njerëz që shëtisin mbi lum për piknik a zbavitje, por një mjet transporti, pra jo për argëtim personash, po me njerëz që punojnë (këndvështrimi social). Tjetër, edhe sikur të fotografohej vetëm peizazhi i zgjedhur, pa lundrën, sërish imazhi fotografik do ishte tërheqës. Në këtë rast, ai do përbëhej nga tri njolla të mëdha, e qiellit, (e hapur), e gjelbërimit (e errët) dhe e ujit, tonalisht, midis tyre, ky i fundit, me një shkëlqim mbresëlënës (këndvështrimi estetik). Në fotografi hasen të gjitha tonalitet e gamës bardhë e zi, prej të bardhës së pastër (qielli, lundërtari, thasët) e deri tek e zeza e plotë (gjelbërimi djathtas fotos) e, kjo tregon aftësi teknike dhe fantazi të Durham në lëmin e dhomës së errët.

Vazhdojmë me foton, në cilën gjini të fotografisë mund të futet ajo sot, kur gardhet midis gjinive janë fare të ulta ? Një kumt që përcjell fotoja nga ajo kohë e largët, tregon se ajo është më afër me fotografinë dokumentare, sepse flet (dokumenton) sesi një shekull përpara në lumin Bunë kryhej transport edhe me lundra me vela, çka mund t’ju shërbejë studjuesve të historisë së jetës ekonomike dhe shoqërore të periudhës. Por duke përsiatur më gjatë, gjykojmë se ajo ndoshta qëndron fare mirë edhe në gjininë e fotografisë së artit, madje këtu edhe më mirë. Kështu, jam i mendimit se Edith Durham me këtë shkrepje buzëlumit ka arritur të realizojë edhe një fotografi me vlera të veçanta estetike.

Veprimtarive të shumta të anglezes Edith Durham në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, si studiuese, shkrimtare, antropologe, vizatuese duhet t’i përmendet edhe ajo si fotografe, që ndonëse këtu u rendit e fundit, nuk është më pak e rëndësishme. Opusi i saj me fotografi të Shqipërisë dhe shqiptarëve të viteve të para të shekullit të kaluar, ka vlera të veçanta për studiuesit e sotmë, vendas e të huaj. Ajo, në ato fotografi, ka lëvruar thuajse të gjitha gjinitë e saj, peizazhin, portretin, historinë, dokumentin, etnografinë, gjeografinë, jetën sociale, por gjithashtu edhe fotografinë e artit, një shembull par excellence është edhe kjo që diskutojmë. Për këtë, përveç studimeve për art, atë e ka ndihmuar edhe njohja mirë e mendësisë së shqiptarëve, e psikologjisë së tyre, por edhe të jetuarit miqësisht për një kohë relativisht të gjatë me ta. Po ashtu, Edith Durham-it, ndoshta i takon, edhe një vend në Historinë e Fotografisë Shqiptare, ndër fare pak të huaj, që sipas mendimit tonë, e meritojnë këtë status. Kjo edhe në saj të një vele të madhe që shtyn një lundër kundër rrjedhës së lumit, e që ajo e ka përngrirë me aq dashuri dhe art në fotografinë të cilën duket se i përshtatet fare mirë titulli “Një velë në Bunë”.

*Michigan, maj 2016

By admini