Pensionistët kosovarë po krijojnë shoqëri të reja në bregdetin shqiptar. Thonë se do ta vazhdojnë edhe pas kthimit nga Velipoja.
Metush Topalli (74) e Vebi Haziri (70) vijnë nga i njëjti qytet i Kosovës, por janë bërë miq në Velipojë. Kurrë nuk janë takuar në Ferizaj. “Sebep u ba deti”, thekson bashkëshortja e Topallit, Selimja (70), që po shoqërohej në pushime me bashkëshorten e Hazirit, Baftijen (68), shkruan sot “Koha Ditore”.
Jo bash krejt mirë
Çifti Haziri prej kohës së luftës si refugjatë jeton në Kanada. “Shtet më të mirë se Kanada në botë nuk ke. Atje në rend të parë të konsiderojnë njeri. Shtet i krejt botës”, thekson bindshëm Haziri mustaqethinjur.
“Shtet i bekuar”, ia pret fjalën bashkëshortja në tarracën e njërit prej hoteleve, që pushuesit i ka kryesisht pleq nga Kosova. Kanadezët e natyralizuar kanë vizituar para disa vjetësh Durrësin e Ulqinin. “Në Plazh të Vogël kallaballëk, e në të Madhin frynte e na qorronte zalli”, thekson Haziri, duke folur për brigjet e Ulqinit. Është viti i gjashtë që Haziri nuk e ndërron plazhin e Velipojës me të tjerët.
“Këtu është qetë. Uji është i pastër dhe njerëzit janë të mirë”, thotë Haziri. Ndryshe mendon Topalli: “Nuk janë krejt të mirë”.
Ka një përvojë të hidhur kur para disa vjetësh kishte mbetur në rrugë para hotelit “Argenti”, ku po qëndron tani. Përfaqësuesit e Sindikatës së Pensionistëve në Ferizaj i kishin thënë se në ofertën prej 150 eurosh për dhjetë ditë e kishte të paguar udhëtimin dhe qëndrimin në Velipojë.
“Këta të hotelit më thanë se nuk kanë ba marrëveshje”, kujton Topalli, i cili pushon në Velipojë qe shtatë vjet me radhë. “Hajt, hajt lëshoje djalin se ka punë”, ndërhyn bashkëshortja Baftije, që zihet ngushtë kur burri rrëfen përvojën e tij. “Sindikata e Pensionistëve kish pas ba dallavere” … (më gjerësisht lexoni sot në “E diela me Koha Ditore”)
/Koha Net/