demarkacioni-kufirit-kosove-mali-zi-kullaRepublika e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi kanë arritur marrëveshje për demarkacionin dhe atë para 20 ditësh, në bazë të së cilës kufijtë mbesin ata të vitit 1974, kur Kosova ishte krahinë autonome e ish-Jugosllavisë.

Në këtë konkludim ka arritur gazeta malazeze “Vijesti”, e cila shkrimin e botuar në numrin e sotëm e bazon në burime të veta.

Sipas gazetës, marrëveshja bazohet në kufijtë e vitit 1974, e sipas të cilëve, pjesa e lokalitetit Kulla te Rozhaja dhe hapësira e Rugovës nën Çakor në komunën e Plavës, i mbetet Malit të Zi, transmeton Koha Net.

Gazeta thotë se banorët dhe një pjesë e opinionit publik kosovar kanë insistuar vazhdimisht që kjo pjesë t’i takojë Kosovës.

Tutje, gazeta bën me dije se komisioni për caktimin e kalimeve kufitare i Malit të Zi dhe komisioni për shënimin dhe mirëmbajtjen e kufirit i Kosovës, e kanë arritur marrëveshjen diku në Shqipëri, por ende nuk e kanë bërë publike. E kjo, sipas “Vijestit”, ka ndodh me vendimin e të dy qeverive.

Burimi i gazetës, ka thënë se marrëveshja u bazua në shënimet kadastrale të bëra në Kosovë qysh në vitin 1932, e sipas të cilave, rreth 6.000 hektarë tokë për të cilat po insiston një pjesë e kosovarëve, ishte regjistruar si pronë e Malit të Zi.

Kjo marrëveshje, sipas burimit të “Vijestit”, po del të jetë arritur para se Kuvendi i Kosovës të mblidhej më 25 qershor ku ftoi në interpelancë ministrin e punëve të jashtme Hashim Thaçin dhe miratoi një rezolutë me të cilën do të insistonte që vija kufitare të mbetet ajo e Kushtetutës së vitit 1974.

Prishtina dhe Podgorica janë në bisedime për demarkacionin që nga viti 2009.

By admini