Shkruan: Esat Mehmeti

Gjatë gjithë jetës së tij njeriu përpiqet të mësojë, të kuptojë botën që e rrethon dhe të dallojë të mirën nga e keqja.Njohuria është një nga pasuritë më të mëdha që mund të fitojë një individ, sepse ajo na ndihmon të mendojmë, të gjykojmë dhe të marrim vendime të drejta. Në të kundërt, mungesa e njohurive dhe e dëshirës për të mësuar të çon në injorancë.

Askush nuk lind i ditur dhe askush nuk mund të dijë gjithçka, sepse bota është  plot mistere dhe jeta njerëzore është me shumë të panjohura.Të mos dish është krejt diçka normale, sepse një njeri nuk mund të dijë gjithçka, por nëse ai ka dëshirë të mësojë, të pyesë dhe të kërkojë përgjigje, atëherë ai po e lufton mosdijen. Problemi fillon atëherë kur njeriu nuk dëshiron të mësojë, nuk kërkon të vërtetën, refuzon faktet ose gjykon të tjerët pa pasur njohuri të mjaftueshme.Në këtë kuptim, injoranca është më e rrezikshme se mosdija, sepse mosdija mund të shërohet me mësim e dije, ndërsa injoranca shpesh ushqehet nga krenaria e tepruar dhe refuzimi për të pranuar të vërtetën.

Çfarë është injoranca?

Fjala injorancë shpesh përdoret për të përshkruar një njeri që nuk di.Por, duhet të kuptojmë se askush nuk është i ditur në çdo fushë dhe është krejt normale. Një njeri mund të jetë i paditur për një çështje, por kjo nuk e bën atë domosdoshmërisht injorant. Injoranca shfaqet kur njeriu është i bindur se i di të gjitha, ose kur refuzon të pranojë njohuri të reja vetëm sepse ato nuk përputhen me bindjet e tij.Problemi lind kur egoja bëhet më e madhe se dëshira për të mësuar, për të marrë këshilla e pranuar gabimin.Mirëpo, ndonjëherë njeri injorant nuk është ai që thotë “nuk di”, por ai që thotë “i di të gjitha”. Disa njerëz nuk pranojnë të thonë “nuk e di”, sepse mendojnë se kjo i bën të duken të dobët. Njeriu i mençur nuk turpërohet të thotë:“Nuk di”.Të pranosh se nuk di diçka është shenjë modestie, sinqeriteti.

Shkaqet e injorancës

Injoranca lindë nga mungesa e arsimimit, nga krenaria e tepruar, ose besimi i verbër në informacionet e pakontrolluara edhe ushqehet nga paragjykimet dhe informacioni i rremë.Megjithatë, injoranca nuk është diçka që nuk mund të kapërcehet. Ajo mund të luftohet përmes arsimimit, mendimit kritik dhe dëshirës për të mësuar gjatë gjithë jetës.

Vërtet jetojmë në një kohë paradoksale. Në ditët e sotme, rrjetet sociale dhe interneti na ofrojnë një sasi shumë të madhe informacioni, por jo çdo informacion është i saktë. Kurrë më parë njeriu nuk ka pasur kaq shumë informacion pranë vetes. Me një telefon mund të lexojmë libra, të ndjekim leksione, të mësojmë gjuhë të huaja dhe të marrim informacion nga pjesë të ndryshme të botës.Megjithatë, shumë informacione nuk do të thotë se janë domosdoshmërisht të sakta.Në internet ekziston e vërteta, por edhe gënjeshtra. Ekziston shkenca edhe pseudoshkenca. Ekzistojnë burime serioze dhe lajme të rreme. Nëse njeriu nuk kontrollon burimet dhe beson çdo gjë që lexon, mund të bëhet viktimë e dezinformimit.Në jetën e përditshme, një person që nuk ka informacion të mjaftueshëm mund të marrë vendime të gabuara. Ai mund të mashtrohet lehtë, duke besuar thashethemeve e gjykuar njerëzit pa i njohur.

Të rinjtë janë shpresa më e madhe për të ardhmen, por janë edhe ata që mund të ndikohen më lehtë nga informacioni i pasaktë, sepse jetojnë në një botë ku rrjetet sociale kanë ndikim të madh. Një i ri që lexon, pyet, mëson gjuhë të huaja, njeh kultura të ndryshme, respekton mendimin e tjetrit dhe nuk beson verbërisht në çdo gjë që sheh, dëgjon apo lexon, është një njeri që po ndërton një të ardhme më të mirë.

Pasojat e injorancës

Injoranca mund të ketë pasoja të mëdha si për individin, ashtu edhe për shoqërinë. Një shoqëri e cila nuk investon në arsim, shkencë dhe kulturë e ka të vështirë të përparojë dhe rrezikon të mbetet një shoqëri e painformuar dhe mund të manipulohet lehtë.

Mënyra më e mirë për ta luftuar injorancën është arsimimi. Arsimi krijon njerëz që mendojnë në mënyrë kritike, krijojnë ide të reja dhe kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë.Por nuk mjafton vetëm të dimë të lexojmë, duhet të dimë edhe të mendojmë në mënyrë kritike.Një person i arsimuar nuk duhet ta përdorë dijen për t’i nënvlerësuar të tjerët. Njeriu i mençur nuk mendon se ka gjithmonë të drejtë. Ai është i gatshëm të ndryshojë mendimin kur përballet me argumente dhe prova më të mira.Një shoqëri e shëndetshme ndërtohet atëherë kur njerëzit nuk kanë frikë të pyesin, të mësojnë dhe të pranojnë gabimet e tyre. Të gjithë kemi gjëra që nuk i dimë, por dallimi qëndron të mënyra se si sillemi përballë asaj që nuk e dimë. Andaj, arsimi nuk është vetëm një mënyrë për të marrë një diplomë. Arsimi është për t’i dhënë njeriut aftësinë për të menduar me kokën e tij.Një qytetar i arsimuar nuk pranon çdo informacion që i serviret.

Krenaria e tepruar krijon injorancë

Nuk është turp të mos dish, nuk është turp të thuash”nuk e di”. Turp është të mos u bindesh gabimeve.Të mos dish është njerëzore, por të mos dish dhe të gjykosh të tjerët me arrogancë,është varfëri shpirtërore.Njeriu i mençur ndryshon mendim kur përballet me një të vërtetë më të fortë se bindja e tij. Një nga aleatët më të mëdhenj të injorancës është krenaria e tepruar, ajo i thotë njeriut:“Ti ke të drejtë,mos dëgjo askënd tjetër.”Andaj, ne duhet të kemi guximin t’i pranojmë gabimet, të dëgjojmë mendime të ndryshme dhe të kërkojmë të vërtetën.

Leximi-armë kundër injorancës

Në një botë ku informacioni ndryshon nga ora në orë, libri mbetet një nga mjetet më të fuqishme në formimit e njeriut.Kur lexojmë, ne nuk marrim vetëm informacion, por shohim botën nga këndvështrimet e ndryshme.Njeriu i ditur nuk është ai që ka përgjigje për çdo pyetje, është ai që nuk pushon së kërkuari. Një person mund të lexojë qindra artikuj në ditë dhe përsëri mbetet injorant nëse nuk di të mendojë në mënyrë kritike. Ka njerëz që lexojnë shumë, por kuptojnë pak. Ka edhe nga ata që dinë shumë, por nuk kanë urtësinë ta përdorin dijen me maturi. Nuk mjafton vetëm të jesh i arsimuar e i ditur. Duhet të jesh edhe i drejtë, njerëzor dhe i përgjegjshëm.Një shoqëri e përparuar nuk ka nevojë vetëm për njerëz inteligjentë, ka nevojë për njerëz të ndershëm, tolerantë, të përgjegjshëm dhe të gatshëm ta përdorin dijen për të mirën e përbashkët.

Të gjithë kemi pjesë të panjohura brenda vetes. Të gjithë kemi gjëra që nuk i dimë. Kjo nuk është dobësi. Dobësi është të refuzosh të mësosh, të mos praniosh gabimin. Andaj, le të lexojmë më shumë, të pyesim më shumë, të dëgjojmë më shumë dhe të gjykojmë më pak. Sepse çdo njohuri e re është një dritë më shumë, ndërsa çdo paragjykim i pabazuar është një gabim në vete.

Marrë nga “Koha javore “

.

By admini

Leave a Reply