
Pas një procesi të gjatë negociatash dhe konsultimesh, Komuna e Ulqinit, Ministria e Ekologjisë dhe Ministria e Financave kanë arritur një marrëveshje historike që përmbyll të gjitha procedurat për themelimin e Ndërmarrjes Publike “Kriporja e Ulqinit”. Ky vendim, i mbështetur nga përfaqësues të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, i hap rrugë rikthimit të kësaj zone unike ekologjike në funksion të qytetit dhe komunitetit lokal.
Kriporja e Ulqinit, e njohur ndërkombëtarisht për biodiversitetin dhe rëndësinë e saj si habitat për shpendët shtegtarë, prej më shumë se dy dekadash ishte e ngërthyer në procese të falimentimit dhe plane të vazhdueshme për shfrytëzim komercial. Vendimi i ri shihet si një triumf i angazhimit qytetar dhe i bashkëpunimit institucional për mbrojtjen e interesit publik.
“Ky është një hap i madh përpara dhe një dëshmi se përkushtimi i komunitetit është më i fortë se interesat që kanë rrezikuar resurset natyrore për vite me radhë,” thuhet në kumtesën e Komunës së Ulqinit pas një konference për media të mbajtur nga kryetari i komunës Genci Nimanbegu. Sipas tij, themelimi i NP “Kriporja e Ulqinit” konfirmon edhe njëherë orientimin evropian të qytetit dhe rolin kyç të komunitetit shqiptar në proceset shtetformuese dhe integruese të Malit të Zi, transmeton Ulqini Online.
Procesi i mbrojtjes së Kripores ka qenë i gjatë dhe shpesh kompleks. Disa momente kyçe përfshijnë:
- Kriporja është përballur me procedura falimentimi për më shumë se 20 vjet.
- Në vitin 2008 u parashikuan plane për transformimin e saj në zonë turistike.
- Në vitin 2012, me amendamentin e propozuar nga atëherë-deputeti dhe aktualisht kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, në bashkëpunim me OJQ-në MANS, u ndalua ndërtimi në këtë zonë.
- Në vitin 2016 u arrit një marrëveshje politike që parashikonte shpalljen e Kripores Park natyror.
- Më 24 qershor 2019, Kuvendi i Komunës së Ulqinit e shpalli zyrtarisht Kriporen Park natyror, status që aktualisht administrohet nga NP “Parku Kombëtar”.
Mirënjohje të veçanta u janë drejtuar institucioneve vendore, aktivistëve, ekspertëve dhe organizatave të natyrës që kontribuan në mënyrë të palodhur për ruajtjen e Kripores. Përkrahja ndërkombëtare, veçanërisht ajo nga BE-ja, ka qenë vendimtare në këtë proces.
Sipas marrëveshjes së re, kapitali fillestar për ndërmarrjen publike do të jetë 4 milionë euro, të ndara në raportin 60%-40% ndërmjet Qeverisë dhe Komunës së Ulqinit, përgjatë pesë viteve të ardhshme. Për më tepër, vlerësohet se Bashkimi Evropian mund të sigurojë deri në 15 milionë euro për projektet e rimëkëmbjes së Parkut të natyrës.
Kryesia komunale shpreh besimin se ky hap do të shndërrojë Kriporen në një model të zhvillimit të qëndrueshëm dhe një qendër të rëndësishme ekologjike, turistike dhe edukative.
“Kriporja do të jetë një burim krenarie për qytetin dhe një pasuri e mbrojtur për gjeneratat që vijnë,” përfundon kumtesa e Komunës së Ulqinit.
