Mërgimtarët nga fshati Reç dhe Qurkaj të Komunës së Ulqinit , Kolë Zagreda dhe Azem Zeka më 9 qershor 2015 vizituan Lagjen e Trimave në Kumanovë, ku forcat policore maqedonase më datë 9 dhe 1o maj të këtij viti brenda 28 orësh zmbrapsën një grup të armatosur. Ai me këtë rast solli 10.ooo dollarë të cilët i ka grumbulluar vullnetarisht bashkë me disa shokë të tij bashkatdhetarë bamirës në Nju-Jork. Ata me këtë vepër konkrete treguan dhe dëshmuan anën humanitare dhe shpirtin fisnik e bujar.
“ Pas shumë skemave trishtuese, tronditëse e të tmerrshme që pamë dhe lexuam në media dhe deklaratave rrënqethëse të familjarëve të Kumanovës, që humbën më të afërmit e tyre, që gjenden në burgjet e Maqedonisë, dhe të atyre që mbetën pa shtëpi dhe u shpërngulën tek familjarët dhe miqtë, kam marrë iniciativë, që së bashku me disa shokë të mi fisnik të japim kontributin tonë modest, duke u solidarizuar me nevojat, hallet dhe shqetësimet e vëllezërve tanë, me familjet e dëmtuara shqiptare në Lagjen e Trimave në qytetin e Kumanovës”, thotë Zagreda dhe apelon tek njerëzit vullnetmirë dhe shoqatat bamirëse e humanitare t’i ndihmojnë shqiptarët e Kumanovës për të tejkaluar atë tmerr dhe ato monstra që i përjetuan.
Zagreda gjatë kësaj vizite njëditore Lagjes së Trimave në Kumanovë u takua me përfaëqsuesit e kësaj lagjeje, të cilët e njoftuan me pasojat e rënda dhe tragjike të këtij aksioni policor në këtë qytet dhe e falënderuan për ndihmën e dhënë vullnetare.
“ Ajo çka pashë në Kumanovë është shumë e dhimbshme dhe shokuese. Shtëpi të djegura, të bëra shkrumb, kulla të rrënuara, të shkatërruara, të dëmtuara, që të çojnë mallin e kullave të Jasharajve në Prekaz të Kosovës. Ajo që në fokus të veçantë vërejtëm edhe nga rrëfimet e njerëzve ishte diskriminimi që i bëhej popullit shqiptarë të Kumanovës karshi popullit maqedon. Shqiptarët me të cilët biseduam edhe përkundër të gjitha traumave që përjetuan flisnin me plot krenari e buzëqeshje për hallet e tyre të bindur se nuk ka forcë policore e cila do t’i shpërngulë ata nga qyteti i tyre Kumanova dhe se do të vazhdojnë ti ruajnë vatrat e tyre stërgjyshore dhe traditën e lashtë shqiptare.”, pohon Zagreda. Ai shprehet i bindur se dëmet materiale edhe mund të kompensohen, por jo dëmet shpirtërore dhe besimi i thyer dhe i humbur i kumanovarëve ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të këtij shteti.
Ulqin, 17 qershor 2015