
Vetëm gjatë shpalljes së zgjedhjeve të fundit parlamentare në Malin e Zi,sipas të dhënave zyrtare, organet e administratës shtetërore, vetëqeverisjet lokale, institucionet publike dhe fondet shtetërore kanë nënshkruar 13.460 vendime për punësim.
Ali Salaj
Zyrtarët malazezë për herë të parë shfaqën “shqetësimin” e tyre për punësimet dhe regrutimet partiake duke ravijzuar se “ kjo praktikë duhet të ndërpritet sepse do të fundosemi edhe më tej pasi janë kaluar të gjitha kufijtë” (Marash Dukaj, ministër i Administratës Publike).
Pse për këtë dukuri korruptive e shkëmbimit të votave me punësime dhe poste autoritetet më të larta malazeze po flasin kaq hapur dhe me një transparencë të habitshme?
Jo nga fakti se këto zyrtarë seriozishte tentojnë ta luftojnë këtë dukuri, por trysnia e rekomandimeve të BE-së janë rritur aqë shumë sa që kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe efikase të këtij problemi, posaçërisht në kuadër të pushtetit vendor ku është trefishuar numri i të punësuarve përmes linjave partiake. Komisioni Evropian dy herë e ka refuzuar një zgjidhje që qeveria aktuale e Malit të Zi e kishte dërguar me qëllim të zvogëlimit të numrit të të punësuarve në aparatin shtetëror për 20 për qind. Mirëpo, Brukseli është kategorik dhe nuk lejon që administrata publike më burokratike të racionalizohet.
Në arsyetimin e tyre krahasues këto zyrtarë përpiqen ta fajsojnë të kaluarën, kur në pushtet ishte Partia Demokratike Socialiste, që këtë formë të punësimit e kishte shumë identifikuese dhe të sistemuar nëpër disa nivele. Megjithatë, kur në vitin 2020 erdhën në pushtet strukturat e reja edhe ata nxituan ta ngarkojnë administratën dhe institucionet publike më shumë se ndonjëherë më parë. Ata u sollën si pronarë të shtetit, të cilët mbajnë çelësat e sektorit publik
Vetëm gjatë shpalljes së zgjedhjeve të fundit parlamentare në Malin e Zi,sipas të dhënave zyrtare, organet e administratës shtetërore, vetëqeverisjet lokale, institucionet publike dhe fondet shtetërore kanë nënshkruar 13.460 vendime për punësim.
Aktivitetet në kontekst të zgjedhjeve në nivel vendor dhe qendror u intesifikuan sidomos gjatë qeverisë së Dritan Abazoviqit ku u stërngarkua administrata dhe institucionet publike me militantë partiakë.
Përveç pozitave të larta si drejtorë të institucioneve shoqërore, arsimore dhe mjekësore, janë punësuar shumë militantë politikë nëpër pozita të ndryshme në administratën civile.
Ngjajshëm kanë vepruar edhe zyrtarët tjerë vendorë, për të cilët ende sot vazhdon procesi gjyqësor, siç është rasti me ish-kryetarin e Komunës së Ulqinit, Loro Ndrekiqi. Prokurori me këtë rast, ka urdhëruar rishikimin e kontratave të punës së përkohshme dhe të rastit për 90 punëtorë, pavarësisht se kur janë nënshkruar.
Komuna e Ulqinit është shembulli më i keq ku monopoli i partive ka shkaktuar ngulfatjen e administratës duke i shumëfishuar vendet e punës sipas përkatësisë partiake. Nëse në një zyrë të komunës ku punojnë 5 vetë do të identifikonim përkatësinë e tyre partiake do të dilnin po aqë parti. Kjo tregon se partitë politike në pushtetin vendor imponuan mendësi në baza partiake dhe familjare duke minuar njëherë e përgjithmonë meritokracinë, profesionalizmin dhe konkurrencën.